E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Gjyqtarët të shpejtojnë çështjet dhe më pas të jenë pedagogë

18/03/2011  Nënkryetari i KLD-së në analizën vjetore “u tërheq veshin” gjyqtarëve

ELBASAN- Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë analizës vjetore të gjykatës së Elbasanit deklaroi se gjyqtarët kërkojnë të japin mësim në universitete edhe pse kanë ngarkesë mesatarisht 1 çështje në ditë. Spahiu nënvizoi faktin se në KLD ka fluks të kërkesa të gjyqtarëve që bëjnë kërkesa për të dhënë mësim si pedagogë të jashtëm në fakultete. “A mundet që një gjyqtar që ka ngarkesë të jashtëzakonshme pra siç thamë deri në 400 çështje të ketë hapësira të tilla për të pasur edhe hapësira të tjera sekondare përfshirë edhe ato akademike? Ne jemi pro kualifikimeve akademike tha nënkryetari, por duke u dhënë përparësi proceseve gjyqësore e çështjeve në gjykim, pasi nuk justifikohen angazhimet në jetën akademike nëse zvarriten çështjet civile dhe penale përtej afateve të parashikuar nga ligji procedurave penale apo civile”. Për sa i përket zvarritjes së proceseve gjyqësore në gjykatën e Elbasanit, nënkryetari i KLD-së u shpreh se “ka konflikte të mbartura vit pas viti dhe këto çështje bëhen shkak për ankesa në KLD për gjykatën tuaj dhe për gjyqtarë në veçanti. Së dyti, përbëjnë shkak për mungesë besimi ndaj gjyqësorit dhe vetë gjykatës së Elbasanit, ndërsa zvarritjet në gjithë gjykatat e vendit përbëjnë një cenim në Gjykatën Evropiane të Drejtave Njeriut”. Lidhur me cilësinë e gjykimit ai u shpreh se ka vend për përmirësime. Nënkryetari i KLD-së ka sjellë në vëmendje edhe zgjatjen e proceseve të rëndësishme edhe nga nivelet më të larta të gjyqësorit. Gjatë vitit të kaluar në gjykatën e Elbasanit u regjistruan 6223 çështje penale dhe ngarkesa për çdo gjyqtar ka qenë mesatarisht 366 çështje. Numrin e lartë të kërkesave për ulje të dënimit dhe lirimin para kohe, Spahiu e ka argumentuar me praninë e burgut të Peqinit dhe Kosovës. Në përfundim të fjalës së tij Spahiu deklaroi se është bërë vlerësimi i çdo gjyqtari dhe rezultatet e tyre do të përcaktojnë edhe karrierën në vazhdim. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›