E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, përfitimet e emigrantëve në Greqi dhe Itali

Në një kohë kur shumica e shqiptarëve punon "në të zezë", pa sigurime shoqërore, zgjidhja "e artë" mbetet vetëm një: sigurimi vullnetar. Këtu nuk flitet vetëm për rastet e shqiptarëve që punojnë brenda territorit shqiptar, por edhe emigrantët. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri më i madh i emigrantëve është në vendet fqinje, Greqi dhe Itali, respektivisht me 750 mijë dhe 471 mijë qytetarë shqiptarë. Kur një shtetas, për një arsye apo tjetër, nuk është i mbrojtur nga sigurimi i detyrueshëm, ose ka periudha të kaluara të pambuluara nga sigurimi i detyrueshëm, i kompenson këto vite sigurimi nëpërmjet skemës vullnetare të sigurimit.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mungesë të një marrëveshjeje për njohjen reciproke të periudhave të kontributeve me shtetet ku banojnë emigrantët, ka përgjegjësinë t‘i informojë sistematikisht emigrantët për ato përfitime që u ofron legjislacioni i sigurimeve shoqërore me vjetërsinë në punë që kanë në Shqipëri dhe për mundësinë që u jepet nëpërmjet sigurimit vullnetar, për plotësimin e viteve të punës, për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm. Por në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, çdo emigrant shqiptar mund të derdhë kontribute nga vendet ku jeton. "Marrëdhënia" do të ishte njësoj si t‘i derdhte ato në Shqipëri.

Sigurimi vullnetar

Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar. Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.

Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Përfitimi

Çdo qytetar shqiptar, qoftë dhe emigrant, në bazë të ligjit mund të përfitojë pension të pjesshëm kur ka jo më pak se 15 vite të siguruara. Një tjetër përfitim i mundshëm është pensioni i plotë, kur qytetari ka jo më pak se 35 vite sigurimi. Pension invaliditeti përfitohet kur qytetari është tërësisht i paaftë për punë. Këtë pension e përfitojnë ata persona që kanë qenë të siguruar në Shqipëri. Për vjetërsi të kontributeve më të vogla, proporcionalisht me periudhën e siguruar jepet pension invaliditeti i reduktuar.

Një invalid që mund të jetë në moshën 50 vjeç, përfiton pension të plotë invaliditeti kur ka 15 vjet vjetërsi pune. Ne rastet kur ka më pak, merr pension të pjesshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›