E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të rrëmbejë të bijën, plagos me thikë ish-gruan

Shënohet viktima e radhës së dhunës në familje. Mesditën e djeshme, një grua 38-vjeçare është plagosur me thikë nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Golem të rrethit të Shkodrës, kur 50-vjeçari Shemsi Kalaja ka goditur me thikë në gjoks Lire Buhajn, 38 vjeçe, me të cilën ishte divorcuar prej vitesh. Sipas policisë lokale, shkak i ngjarjes është bërë një konflikt i çastit mes ish-bashkëshortëve. Ndërsa gruaja e plagosur mësohet se pas ndërhyrjes kirurgjikale e ka kaluar rrezikun për jetën, autori ende nuk është prangosur nga policia.
Ish-bashkëshortët Shemsi Kalaja dhe Lire Buhaj, prindër të një vajze 7-vjeçare dhe një djali 10 vjeç, kishin katër vite të ndarë dhe gruaja jetonte te prindërit e saj në fshatin Golem.
Pas vendimit të gjykatës së rrethit, gruaja Lire Buhaj mbante në kujdestari vajzën, ndërsa ish-burrit të saj, Shemsi Kalaja, i ishte besuar kujdestaria e djalit. Konflikti ka ndodhur përpara shtëpisë së prindërve të 38-vjeçares, kur të dyja palët kishin ditën e takimit me fëmijët. Haxhire Buhaj, nëna e 38-vjeçares, e cila ka parë të gjithë skenën, tregon për "Shqip" se gjithçka ndodhi pasi ish-dhëndri i saj tentoi të fuste me forcë në makinë të bijën. "Ngjarja ndodhi 100 m larg shtëpisë dhe ai ishte me makinë dhe kishte sjellë djalin. Vajza doli dhe i tha djalit: Hajde moj nënë, shikoje motrën se është e sëmurë me grip. Por djali u kthye, u fut në makinë tek i ati dhe ime bijë u afrua te makina. Në këtë moment ish-burri i saj e tërhoqi me forcë për ta futur në makinë. Sapo pashë këtë skenë kapa disa gurë dhe qëllova në drejtim të makinës. Shikoja vajzën që tentonte të ikte dhe bërtiste, ndërsa ish-burri ushtronte forcë për ta futur brenda. Në këtë moment ai nxori një thikë nga mënga e xhakovendës dhe e goditi vajzën në gjoks. Ka katër vite që janë ndarë dhe ne gjithmonë kemi pasur probleme pas ndarjes, pasi ai vjen këtu duke na sharë dhe kërcënuar dhe sot ndodhi ajo që kishim frikë se do të ndodhte një ditë" thotë Haxhireja. Ajo kërkon nga autoritetet të marrin masa, për të shmangur vetëgjyqësinë. "Nëse do të kisha çiften në atë moment do ta qëlloja për vdekje, sepse tani kështu na ka ardhur puna, t‘i dalim zot vetes", thotë gruaja. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes, i cili pas krimit të kryer ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes.

A.Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›