E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet procesi i Gërdecit, mungojnë tre avokatë

Procesi gjyqësor në ngarkim të 28 të pandehurve që akuzohen si shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit ka dështuar ditën e djeshme, si pasojë e mungesës së tre avokatëve mbrojtës. Seanca ka filluar me 35 minuta me vonesë, për shkak se në sallë mungonin disa mbrojtës ligjorë. Trupi gjykues kishte autorizuar një punonjës të gjykatës për të "marrë" mungesat dhe në kushtet që nuk ishin të gjithë u vonua fillimi i procesit me shpresën se avokatët do të paraqiten në seancë. Por pritja ka rezultuar e kotë dhe treshja e Kolegjit Penal u fut në sallë. Fillimisht verifikuan palët dhe konstatuan prezencën e katër prokurorëve. Më pas u drejtuan te të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës. Në kafazin e hekurt ishin të pranishëm vetëm Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeçi, ndërsa dy të arrestuarit e tjerë, Mihal Delijorgji e Ylli Pinari, nuk kanë preferuar të marrin pjesë në këtë gjykim. Radha i ka ardhur pikërisht Delijorgjit. Pas thirrjes së emrit të tij asnjë nuk është përgjigjur dhe kryetari i Kolegjit Penal, Ridvan Hado, konstatoi se në sallë nuk ndodhej as avokati Maks Haxhia, që mbron interesat e Mihal Deliorgjit. Kryegjyqtari tha se ai nuk ka paraqitur asnjë justifikim në gjykatë, duke munguar "pa arsye". Më tej u vijua me të pranishmit e tjerë. Ra në sy mungesa e avokatit Mirash Martini që mbron interesat e tre të pandehurve ushtarakë. Ndërsa në fund u lexuan edhe emrat e të pandehurës Juliana Margariti e shoqëria "Albademil", që mbrohen nga avokati Maks Haxhia. Për këto arsye, seanca e djeshme është shtyrë ditën e hënë, në datë 14 dhjetor në orën 09.30. Por, në ambientet e gjykatës ishin të pranishëm edhe dëshmitarët e thirrur nga organi i akuzës. Ata janë ftuar brenda sallës së gjyqit dhe kanë marrë dijeni për orën e seancës së radhës. Në dalje nga gjykata deklaruan se kanë humbur kohë për pjesëmarrjen në gjykatë, pasi janë nga periferia dhe nuk kanë mundësi fizike e ekonomike për të shkuar sa herë që u teket avokatëve të mungojnë. Të irrituar kanë "kërcënuar" se ndoshta herës tjetër nuk do të paraqiten në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›