Pensionet, qeveria miraton koeficientët e indeksimit
Koeficientët e indeksimit të pagave do të përdoren për llogaritjen fillestare të pensioneve
Këta koeficientë do të përdoren për të gjithë personat që përfitojnë pension nga 1 janari 2008
Qeveria miratoi dje koeficientët e indeksimit që do të përdoren për llogaritjen fillestare të pensioneve nga viti 1994 deri më 2007. Këto koeficientë do të indeksojnë bazën e vlerësimit vjetor individual, mbi të cilën do të llogaritet pensioni për çdo përfitues. Indeksimi me koeficientët vjetorë aplikohet në mënyrë që, kur të bëhet llogaritja e pensionit, përfituesit të mos pësojnë humbje. Koeficientët e indeksimit bëjnë aktualizimin e pagave që personat kanë përfituar ndër vite, duke u dhënë atyre vlerë reale në ditët e sotme, pra duke i mbrojtur nga inflacioni. Këta koeficientë shumëzohen me pagën e një viti të caktuar dhe mbi bazën e vlerësimit vjetor bëhet llogaritja fillestare e pensionit. Aplikimi i këtyre koeficientëve mbi pagat do të bëhet vetëm për ata persona, të cilët përfitojnë pension nga data 1 janar e këtij viti dhe efekti financiar që do të dalë si rezultat i këtyre llogaritjeve do të përballohet me buxhetin e këtij viti. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të nisë punën për indeksimin e bazës vjetore për të gjithë aplikuesit që përfitojnë pension nga data 1 janar 2008 dhe mbi këtë bazë do të bëjë llogaritjen fillestare të pensioneve.
Kërkesa
Në ndryshimet e bëra në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, është parashikuar që personat, të cilëve u lind e drejta për pension, mund të bëjnë një kërkesë paraprake nga 30 ditë deri në 1 vit përpara datës së daljes në pension. Në rregulloren e re është parashikuar që, nga momenti i dorëzimit të dosjes tek inspektori pritës, deri në përpunimin e plotë të saj në të gjitha nivelet e ISSH-së, koha e përfundimit të saj të jetë 42-60 ditë. Në këtë periudhë kohore përfshihen të gjithë hapat e shqyrtimit, madje dërgimi i urdhërpagesës tek filiali postar, ku përfituesit i takon të tërheqë pensionin, që konsiderohet si akti përfundimtar në dosjen e pensionit.
Koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve:
Për vitin 2007 1.00;
Për vitin 2006 1.04;
Për vitin 2005 1.02;
Për vitin 2004 1.12;
Për vitin 2003 1.10;
Për vitin 2002 1.09;
Për vitin 2001 1.14;
Për vitin 2000 1.07;
Për vitin 1999 1.09;
Për vitin 1998 1.05;
Për vitin 1997 1.22;
Për vitin 1996 1.09;
Për vitin 1995 1.37;
Për vitin 1994 1.32.