E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, nuk do të bëhen vizita dhe analiza për ambulatorët

Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, ka nxjerrë udhëzim që të zbatohet referimi. Infermieret të shoqërojnë pacientët për analiza

Udhëzimi

Pacientët ambulatorë nuk do të lejohet të bëjnë vizita apo analiza në ambientet spitalore. Madje, edhe vetë pacientët e shtuar për të bërë ekzaminime apo analiza, do të shoqërohen nga infermierja e shërbimit. Ky është udhëzimi i fundit i lëshuar nga drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Gjeorgjina Kuli, e cila ka urdhëruar të gjithë shefat e shërbimeve që të mos bëhet më asnjë tolerim në këtë drejtim. Ndërsa pacientët pohojnë se janë të detyruar të shkojnë në QSUT, pasi shumica e analizave nuk realizohet në lagjet e tyre dhe mjekët nuk janë specialistë të mirë si profesorët e këtij spitali.

Udhëzimi

Shefat e shërbimeve duhet të merren me normalizimin e marrjes së analizave dhe shoqërimin e pacientëve në ekzaminime. Kështu e nis udhëzimin drejtoresha Kuli, e cila më poshtë saktëson se analiza të çfarëdo lloji, do të merren tek pacienti i shtuar nga infermierja e dhomës në shtratin e të sëmurit. Ndërsa pika e dytë e këtij udhëzimi, sqaron se shoqërimi i pacientit të shtruar për ekzaminime të ndryshme imazherike, do të bëhet nga infermierja e dhomës. “Ndalohet kategorikisht marrja e analizave të pacientëve ambulatorë brenda mjediseve të shërbimeve spitalore”, -theksohet në udhëzim, duke u shtuar se analizat tek pacientët ambulatorë mund të merren vetëm pranë reparteve të konsultave dhe pranë laboratorit qendror nga personeli përkatës, vetëm me rekomandimin e mjekut konsulent ose të shefit të ekipit të rojës së urgjencës. Gjithashtu, saktësohet se ngarkohen shefat e shërbimeve dhe shefja e sektorit infermieristik për zbatimin e këtij urdhri.

Pacientët

Në poliklinikat e lagjeve nuk marrim shërbim të specializuar dhe nuk bëhen analizat, ndaj dhe jemi të detyruar të përplasemi në dyert e spitalit. Kështu shprehen disa nga pacientët ambulatorë, që gjenden nëpër pavijonet e QSUT-së. Sipas tyre, ky udhëzim do të ishte i drejtë vetëm nëse poliklinikat e lagjeve do të kishin mundësi të përballonin të gjitha llojet e analizave. Por, problemi i tyre qëndron edhe në faktin se profesorët e QSUT-së u duken më profesionistë se mjekët e lagjeve, ndaj dhe zënë dyert e tyre për të bërë një vizitë. Por, nga ana tjetër, specialistët e spitalit më të madh në vend, shpjegojnë se pacientët ambulatorë duhet të vijnë vetëm me rekomandim, në të kundërt do të përballen me fatura shumë të larta.

1700 personele shëndetësore ka Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

42 shefa shërbimi ka Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

QSUT, ja rregullat që duhet të ndjekë pacienti për t'u shtruar në spital

Rregulla të përpikta që nuk duhet t'i anashkalojë askush, nëse do të sigurojë një shtrat në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Kështu, drejtoria e këtij spitali ka afishuar edhe rregullat që duhet të ndiqen për pacientët që do të shtrohen në pavijonet e spitalit. Kështu, në urdhëresë citohet se të gjithë kategoritë e pacientëve që planifikohen për hospitalizim, të jenë të kompletuar me analiza dhe ekzaminime përkatëse.

Ndërsa hapi tjetër është që, në momentin e hapjes se kartelës, pacienti duhet të paraqesë mandat arkëtimi, që ka kryer pagesën për konsultën që i është bërë para shtimit të pacientit në spital. "Çdo kartelë duhet të pajiset me mandat arkëtimi përkatës ose me vërtetimin pagesë, në rastet kur pacienti paraqet librezën shëndetësore, rekomandimi mjekut të familjes dhe mjekut specialist përkatës",- bëhet e ditur në urdhëresën e QSUT-së.Ndërkohë, shumë nga pacientët ankohen se u duhet të sorollaten së tepërmi për t'u shtruar në spital dhe se këto rregulla janë burokraci të tepërta, të cilat jo vetëm që nuk ndihmojnë pacientët, por i mundojnë ata së tepërmi. Ndërkohë disa mjekë paraqesin shqetësimin se, në shërbime të veçanta ndodh që të mos ketë shtretër, duke detyruar pacientët që të shtyjnë shtrimet e planifikuara, ç'ka shpesh ndikon negativisht për shëndetin e tyre.

Skema e sigurimeve gjen spitalet në kaos

Projektligji i hartuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë, parashikon se në janar të vitit 2009, në të gjithë sistemin shëndetësor do të aplikohet Skema e Sigurimeve Shëndetësore. Por, ende pa filluar zbatimi i kësaj skeme, duket se spitalet janë në krizë, pasi protestat kanë filluar jo vetëm për dhunë ndaj mjekëve, por edhe për mangësitë e theksuara në spitale. Sipas këtij projektligji, nëse nuk do të jesh i siguruar, nuk do të marrësh asnjë shërbim shëndetësor, përveç shërbimeve të urgjencës. Por, mbetet akoma enigmë se sa do të jenë të përgatitura spitalet tona që të futen në skemë me këto kushte që ka. Në projektligj shpjegohen mjaft qartë kategoritë që përfshihen në paketën e shërbimeve që mbulohen nga shërbimi i detyrueshëm dhe në paketën e shërbimeve suplementare. Projektligji për Sigurimet Shëndetësore parashikon që të fusë në këtë skemë edhe 42 spitale në vend, duke filluar nga 1 janari 2009. Në spitale nuk do të kenë më të njëjtin shërbim, si personat e siguruar, me ata të pasiguruarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›