Pronat shtetërore, ish-pronarët, blerje pa ankand
Qeveria favorizon ish-pronarët e trojeve për objektet e ndërtuara në pronat e tyre
Ish-pronarët e trojeve kanë të drejtën e parablerjes së objektit, duke shmangur procedurat e ankandit
Qeveria favorizon ish-pronarët në procesin e shitjes së pronave shtetërore. Sipas procedurave të miratuara dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ish-pronarët gëzojnë një sërë privilegjesh në këtë proces. Sipas këtij vendimi, në rastet e nxjerrjes në shitje të një prone shtetërorë, ish-pronarëve u njihet e drejta e parablerjes së objektit me vlerën fillestare të tij dhe pa iu nënshtruar procedurave të ankandit. Për t’u njohur e drejta e parablerjes së objektit në privatizim, ish-pronarët më parë duhet vërtetojnë me dokumente të rregullta nëse trualli ku është ndërtuar objekti ka qenë pronë e tyre.
Procedura
Sipas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave për shitjen e një prone shtetërore, në momentin e nisjes së procedurave të privatizimit të një prone shtetërore, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, bën një njoftim në një gazetë kombëtare. Kështu, pas bërjes së njoftimit, të interesuarit e tjerë, përfshirë edhe ish-pronarët e truallit mund të tregojnë interesin e tyre për blerjen e tij. Me këtë vendim, në qoftë se janë të interesuar për asetin në privatizim, ish-pronarët e kanë thuajse të sigurt përvetësimin e tij. Në rastet kur ish-pronarët e truallit pretendojnë të bëhen edhe pronarë të objektit, duhet të ndiqen këto procedura. Për rastet kur konfirmohet se objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, shitja bëhet pa ankand dhe personat e shpronësuar të truallit kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare që ka vendosur Komisioni i Vlerësimit të Pronës Shtetërore. Edhe në qoftë se në njoftimin e parë, ish-pronarët nuk kanë shprehur interesin e tyre, duke mos paraqitur dokumentet e pronësisë deri në afatin e përcaktuar në njoftim, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike është e detyruar të bëjë një njoftim të dytë në dy gazeta me qarkullim kombëtar. Në këtë njoftim të dytë njoftohet drejtpërdrejt edhe ish-pronari i truallit, duke i lënë një afat të ri prej 30 ditësh nga njoftimi i parë për paraqitjen e dokumenteve. Procedurat e zhvillimit të ankandit fillojnë vetëm nëse edhe pas njoftimit të dytë nuk ka interes të ish-pronarëve për objektin në privatizim. Edhe në këtë rast, këta të fundit përfitojnë në formë kompensimi vlerën e truallit të shpronësuar. Në blerjen e këtyre aseteve, ish-pronarët mund të përdorin në masën 80 për qind të vlerës së objektit edhe letrat me vlerë. Sipas vendimit të qeverisë, në blerjen e një aseti në privatizim, 80 për qind e vlerës së tij mund të paguhet me letra me vlerë dhe 20 për qind me lekë. Ish-pronarëve të truallit ku është ndërtuar objekti në privatizim i njihet e drejta e parablerjes së tij pa iu nënshtruar procedurave të ankandit, edhe nëse këto të fundit kanë filluar. Kështu, ish-pronarët gëzojnë të drejtën e parablerjes me vlerën fillestare të objektit, edhe nëse paraqiten në ditën e zhvillimit të ankandit me dokumentacionin ligjor që vërteton pronësinë e truallit.