E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, si do të përcaktohen fituesit

SHKRUAN: Jonida Tashi 06-07-2011 11:18

Skema e përllogaritjes së pikëve për në universitetet do të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar. Ky fakt konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të cilat shpjegojnë se edhe këtë vit do të përdoret e njëjta formulë për llogaritjen e pikëve, që bazohet në pesë komponentë për degët pa konkurs pranimi. Kështu, sipas kushteve të përcaktuara nga MASH, maturanti që dëshiron të vazhdojë studimet në universitetet publike duhet të ketë fituar 5 rezultate: notën mesatare të shkollës së mesme, 2 nota të shkallëzuara në provimet e detyruara, Letërsi dhe Matematikë, dhe 2 nota të shkallëzuara në dy provimet me zgjedhje. Në bazë të këtyre notave, për secilin maturant llogariten pikët që ai fiton dhe që shërbejnë për të konkurruar për studime në programe të ndryshme studimi në universitete. Formula e thjeshtë dhe më e përdorshme për llogaritjen e pikëve është: [( D1 + D2 + MES)KSH + Z1xKZ1 + Z2xKZ2] x 100, ku: D1, D2, MES, Z1, Z2 janë respektivisht notat e shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore të Letërsisë, Matematikës, mesatares së shkollës, të lëndës së parë dhe të dytë me zgjedhje; KSH - është koeficienti i shkollës. Për secilën lloj shkolle, universitetet propozojnë koeficientin përkatës në varësi nga drejtimi i shkollës së mesme. E thënë më thjesht, fakultetet për programet e studimit me drejtim natyror preferojnë maturantët me më shumë prirje në shkencat ekzakte dhe për këto shkenca propozojnë koeficiente më të lartë. E gjitha kjo bëhet që fakultetet të thithin kontingjentet e përgatitura më mirë në drejtimin e kërkuar nga programet e studimit që ofrojnë; KZ1, KZ2 - janë koeficientet e lëndëve me zgjedhje, që gjithashtu propozohen nga universitetet mbi bazën e të njëjtit arsyetim. Specialistët e arsimit shpjegojnë se bazuar në këtë formulë dhe duke pasur në dorë notat e katër provimeve, maturantët mund ta bëjnë vetë llogaritjen paraprake të pikëve, për të përzgjedhur më pas preferencat në Formularin A2. Por, para marrjes së këtij vendimi, maturantët, sipas specialistëve të arsimit, duhet të krahasojnë pikët e grumbulluara me ato të fituesve të fundit të vitit 2010. Në këtë mënyrë, secili prej tyre do të dijë se në cilin program studimi të preferuar ka më shumë shanse për të fituar, dhe mbi këtë bazë duhet të bëhet edhe përzgjedhja e preferencave. Përveç mosndryshimit të formulës së pikëve, edhe metodologjia që do të përdoret për përcaktimin e fituesve të universiteteve do të mbetet po e njëjtë më vitin e kaluar, ndërkohë që autoritetet e arsimit premtojnë një proces transparent që nuk ka synim penalizimin e maturantëve. Shefi i Vlerësimit të Maturantëve në MASH, Ndriçim Mehmeti, sqaron se rezultatet do të nxirren në sajë të lexuesit optik, dhe pas marrjes së Diplomës të Maturës, maturantët do të ndjekin procedurat për plotësimin e Formularit A2, ndërsa skema e përllogaritjes së pikëve do të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar. Për të marrë kërkesat e maturantëve për programet e studimit që ata duan të ndjekin, përgatitet një Formular i posaçëm A2, ku shpallen të gjitha programet e studimit që ofrojnë universitetet. Po në këtë formular merret dhe nota mesatare e maturantit. Kjo përbën elementin e pestë të Meritës, i domosdoshëm në formulën llogaritëse të pikëve të maturantit. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, që merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave, në bazën e të dhënave janë të gjithë elementët e nevojshëm për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Për përcaktimin e fituesve, ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.

Ndriçim Mehmeti

Rezultatet do të nxirren në sajë të lexuesit optik dhe pas marrjes së Diplomës të Maturës, maturantët do të ndjekin procedurat për plotësimin e Formularit A2, ndërsa skema e përllogaritjes së pikëve do të jetë e njëjtë me atë të vitit të shkuar

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›