E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, shtatëfishohen kontributet për 13 vjet

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Fondi i sigurimeve shëndetësore, i siguruar kryesisht nga kontributet që derdh popullsia ekonomikisht aktive, rezulton të jetë shtatëfishuar nga vitit 1995 në 2008-ën. E thënë ndryshe nga 0.8 miliardë lekë në vitin 1995, këtë vit ky fond ka arritur në 5.9 miliardë lekë. Nga të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor rezulton se numri i kontribuesve është rritur me 100 mijë persona, duke arritur në 653 mijë vetë.
Skema
Skema e sigurimeve shëndetësore i siguron të ardhurat jo vetëm nga kontributet që derdh popullsia ekonomikisht aktive si, të punësuarit në shtet dhe privat, të vetëpunësuarit në fshat dhe qytet, por edhe nga kontributi që derdh shteti për popullsinë joaktive. Përsa i takon kontributit të shtetit për popullsinë joaktive evidentohen dy situata. Ai ka pasur një rritje deri në vitin 2000, konkretisht nga 376 milion lekë të financuara në vitin 1995, në 1300 milion lekë në vitin 2000, dhe me një tendence ulje nga viti 2001 deri në vitin 2002, me 59 milionë lekë më pak. Më pas, ky kontribut ka ardhur në rritje, me një rritje mesatare vjetore 1.2 për qind. Në analizën e deritanishme, kontributi i shtetit llogaritet si diferencë për mbulimin e shpenzimeve, duke ndjekur të njëjtin parim si tek sigurimet shoqërore.
Kontributet
Masa e kontributit për personat e punësuar është 3.4 për qind e pagës mujore, nga të cilat 1.7 për qind i paguan punëdhënësi dhe 1.7 për qind i paguan punëmarrësi. Kontributi për të vetëpunësuarit në qytet është 7 për qind e pagës minimale, ndërsa të vetë punësuarit në fshat paguajnë 3 për qind (zonat kodrinore dhe malore) dhe 5 për qind zonat fushore. Ndërkohë, duke qenë se skema e sigurimeve shëndetësore mbulon të gjithë shtetasit, pra është universale, me vendim të veçantë të Këshillit Administrativ, në vitin 2004 u krijuan mundësi që kategori të veçanta, që nuk e gjejnë veten në ligjin ekzistues të sigurimeve shëndetësore, të sigurohen vullnetarisht.
Sigurimi vullnetar
Personi i siguruar në mënyrë vullnetare përfiton pa pagesë një pjesë të çmimit të barnave të listës së barnave që rimbursohen dhe shërbimin pa pagesë te mjeku i përgjithshëm dhe i familjes. Shtetasit mund të sigurohen vullnetarisht në rastet kur nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, apo nuk përfitojnë të drejtën për t u regjistruar si punëkërkues dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë. Personi që kërkon të sigurohet vullnetarisht, në bazë të Rregullores së Sigurimit Vullnetar nr. 2, datë 30.09.2003, lidh nje Akt-marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në të cilën përcaktohet shuma e kontributit që personi duhet të paguajë, mënyra e pagesës, si edhe përfitimet nga skema.
Dokumentacioni
Për të vërtetuar që personi i interesuar i përket kategorive të përcaktuara, ai paraqet në DRSKSH dokumentacionin, ku përfshihet çertifikatë lindjeje, vërtetim për vendbanimin e tij, deklarim nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes i gjendjes së tij shëndetësore, si dhe kërkesë me shkrim. Që personi i siguruar në mënyrë vullnetare të përfitoje sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhe kohe për një vit. Me pas, pagesat bëhen si parapagim dhe për periudha jo me pak se tre muaj. Masa e kontributit është 3.4 % e pagës mujore minimale të përcaktuar çdo vit me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Pensionet e reduktuara
Për të marrë pension të pjesshëm, duhet aplikuar në tre vjetët e fundit, para së të mbushë moshën e plotë të pensionit. Ndërkohë që mund të operojë dhe me derdhjen e sigurimeve vullnetare. Në momentet që do të nisë marrja e pensionit, do të zbritet nga masa e përfitimit pjesa për vitet e mbetura të pasiguruara, në rast se merret pension i parakohshëm.

Ky lajm është publikuar: 18/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›