E Diel, 1 Nëntor 2026

Ta mbash apo jo foshnjën, ligji nuk e zgjidh dilemën

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Më mirë të bësh dashuri pa fëmijë, sesa fëmijë pa dashuri.” Ky deklarim para 90 vjetësh mjaftoi për të futur në burg deklaruesin, Hinke Bergegren

Çështja e mbarimit të shtatzanisë ka shqetësuar njerëzit që nga fillimi i kohës. Aborti, fjalë kjo e cila vjen nga fjala latinisht për lindjen e parakohshme, është debatuar në çdo kulturë – nga Kisha, nga profesioni mjekësor si dhe avokatët dhe gjykatësit në tërësi. Në shumicën e vendeve thuhet që vendimin e fundit e merr gruaja dhe askush tjetër, pasi ajo është përgjegjëse për trupin e saj si dhe për të ardhmen e saj. Ligji ia ka njohur asaj abortin si drejtë të saj dhe ajo nuk është e detyruar të paraqesë arsye ose të mbrojë vendimin për një abort.

Aftësia për të ngjizur, mbartur dhe lindur fëmijë është një forcë e fuqishme dhe e qenësishme, ku përfshihen edhe emocione të forta. Vendimi për të vazhduar ose për t i dhënë fund një shtatzanie ka të bëjë me individët dhe shkencëtarët në shumë nivele: ato emocionale dhe etike, teknike dhe mjekësore.
Një vendim me nënkuptime kaq të thella për ekzistencën – ku kufiri midis jetës dhe vdekjes duket kaq qartë – nuk është kurrë një vendim i lehtë. Vetë legjislacioni nuk e bën vendimin aspak më të lehtë për gruan zgjidhjen. Ajo ka nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Kujt duhet t i drejtohet? Cilat janë nënkuptimet e vendimit të saj? Gruaja me të shoqin duhet të ketë në dispozicion këshillues me përvojë të cilët do t u japin përgjigje pyetjeve të tyre dhe do të bisedojnë me ta për këtë çështje. Ky informacion synon t u japë grave njëfarë baze kur ato përballen me vendimin për të mbaruar ose vazhduar shtatzaninë
Mbrojtja më e mirë
“Më mirë të bësh dashuri pa fëmijë, sesa fëmijë pa dashuri.” Ky deklarim, sot nuk është aspak i debatuar, por para më pak se 90 vjetësh, ai mjaftonte për të futur në burg deklaruesin, Hinke Bergegren. Cili ka qenë krimi i tij? Lartësimi i prezervativave si armë kundër varfërisë, sëmundjes dhe shtypjes. Para njëqind vjetësh, varfëria ishte mjaft e përhapur në Europë. Puna e rëndë e krahut, mungesa e ushqimit dhe e gjumit, familjet e mëdha si dhe kushtet e ngushta të banimit ishin që të gjitha pjesë të jetës së përditshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Shëndeti i dobët ishte shumë i përhapur dhe ritmet e vdekshmërisë ishin të larta, sidomos mes grave shtatzana, grave kur lindnin dhe foshnjave të sapolindura. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme përhapeshin nëpër Evropë. Në këto rrethana, ekzistonte një nevojë urgjente për edukimin e publikut në lidhje me shëndetin seksual. Nismëtarët e edukimit seksual panë mundësinë që individët të fillonin të komandonin shëndetin e tyre seksual, duke zgjedhur se sa fëmijë do të lindnin dhe duke ditur se si të parandalonin infeksionet. Filluan të krijoheshin shoqata për të përhapur kontraceptimin, edukimin seksual nëpër shkolla, abortin sipas dëshirës dhe legalizimin e homoseksualitetit. Qysh atëherë, janë përhapur forma të reja kontraceptimi dhe njohuri të përmirësuara të metodave më të vjetra. Koncepti bazë i edukimit për shëndetin në lidhje ne riprodhimin mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar: T u jepet njerëzve njohuria për të zgjedhur atë lloj kontraceptimi që u përshtatet atyre më së miri.
Njerëz të ndryshëm kanë nevoja të ndryshme. Kontracepsioni synon të parandalojë shtatzaninë e padëshiruar dhe abortin e mundshëm, si dhe për të bërë marrëdhëniet intime më të sigurta – duke siguruar mbrojtje kundër infeksioneve seksualisht të transmetuara (IST) dhe duke ruajtur pjellorinë dhe oreksin seksual. Zgjidhja më e mirë ndryshon sipas individit dhe situatës përkatëse. Asnjë kontraceptiv nuk është 100 per qind i sigurt, por çdo metodë është më e sigurt sesa mungesa e kontraceptimit. Disa herë, një kombinim metodash është zgjidhja më e mirë. Pavarësisht nga lloji i kontraceptimit që ju përdorni, duhet ta trajtoni partnerin tuaj me dashuri dhe respekt.
Fekondimi si ndodh
Një burrë prodhon qeliza mashkullore riprodhuese për pjesën më të madhe të jetës së tij, pasi të ketë arritur pjekurinë seksuale. Sperma krijohet në testikujt e burrit, brenda qeses së tyre. Testikujt prodhojnë gjithashtu edhe hormonin seksual mashkullor, të quajtur testosteron, një steroidë anabolike e dobët e cila nevojitet për krijimin e spermës. Lloje të ndryshme steroidash anabolike gjenden natyrisht në trup. Marrja e steroidave anabolike shtesa mund të ngatërrojë prodhimin e testosteronit dhe më në fund edhe të spermës. Rreth 150 miliona qeliza (spermatozoidë) krijohen çdo ditë dhe duan më shumë se dy muaj për t u zhvilluar plotësisht. Ato lënë testikujt përmes kanalit vas deferens dhe përzihen me lëngun seminal, i cili prodhohet në gjendrën e prostatës dhe në kanalet e spermës. Një derdhje e vetme përmban zakonisht disa qindra miliona spermatozoid. Lëngu spermatik mund të jetojë në tubat fallopianë të gruas deri pesë ditë. Kur të ndodhë fekondimi, qeliza e burrit bashkohet me qelizën - vezë të gruas.
Një grua ka rreth 400 vezë. Gjatë jetës së saj nuk krijohen të tjera. Këto qeliza shumë të vogla mbahen në vezoret, të cilat ndodhen në fund të legenit, secila në njërën anë të mitrës. Mitra e ka trajtën e një dardhe të kthyer përmbys. Pjesa e poshtme- qafa e mitrës, mund të ndihet në majë të vaginës. Pjesa e sipërme e mitrës është e lidhur me vezoret me anë të dy tubave fallopianë. Kur gruaja të ketë arritur pjekurinë seksuale, një vezë piqet zakonisht çdo muaj dhe lëshohet nga vezoret. Procesi i ovulimit (lëshimit të vezës) drejtohet nga hormonet. Gratë kanë dy hormone seksuale, estrogjenin dhe progestogenin, të cilat prodhohen në vezore. Veza merret nga një prej tubave fallopiane, i cili e çon drejt mitrës. Veza jeton vetëm 24 orë. Në rast se nuk pllenohet, niveli i progestogenit bie në mënyrë drastike pas dy javësh, duke shkaktuar menstruacionin nga mitra.
Kur burri derdh lëngun spermatik gjatë marrëdhënieve seksuale, spermatozoidët arrijnë shpejt tubat fallopianë nëpërmjet vaginës dhe mitrës. Spermatozoidët mund të mbeten në mitrën dhe/ose tubat fallopiane për tre deri pesë ditë. Në rast se gruaja lëshon një vezë gjatë kësaj kohe, veza mund të pllenohet. Prandaj fekondimi mund të ndodhë menjëherë ose deri disa ditë pas marrëdhënieve seksuale. Fekondimi ndodh zakonisht në tubin fallopian. Atëherë veza e pllenuar zbret poshtë, drejt mitrës, ku ngulitet rreth një javë pas pllenimit. Pas kësaj, gruaja nuk ka më menstruacione, sepse trupi i saj vazhdon të prodhojë progestogen. Vini re! Lëshimi i vezës ndodh dy javë para menstruacioneve, por në qoftë se ju keni një cikël të parregullt, është e pamundur të parashikoni se kur do të lëshoni prapë vezë.
Përgatiti D. Kona

Çështje kohe
Muslimanizmi: Shpirtin e sjell engjëlli pas 120 ditësh
”Të gjitha zgjedhjet e vështira shkaktojnë grahma të mëdha. Dhe kjo është një zgjedhje e vështirë. Por unë jam prapëseprapë i mendimit që veza e mbarsur është një person, që do të thotë se ka një vlerë të qenësishme dhe të drejtën të ketë një jetë. Nëse do të zhvendosej krijimi i personit në një fazë të mëvonshme të zhvillimit, atëherë kam frikë se mosshtyrja e këtij kufiri në këtë rast bëhet dogmatik, në rastin më të keq e zgjedhur sipas dëshirës,” thotë Erwin Bischofberger, i cili është profesor këshillues në etikën mjekësore në institutin Karolinska në Solna të Suedisë dhe njëkohësisht at jezuit, një rend brenda kishës katolike. Ndërkaq, Kisha moderne lutheriane ka marrë një qëndrim tepër të kujdesshëm. “Por kjo nuk ka ndodhur për shkak të truthatësisë, por sepse është për traditë që përgjegjësia për të mbajtur qëndrim ndaj çështjeve etike, t´i mbetet vetë individit. Në këtë rast, Kisha luan vetëm rolin e këshilltarit”, thotë Ulf Görman. Pasuesit e shkollave të judaizmit dhe islamizmit janë përfshirë gjithashtu në këtë debat. As atyre nuk u vjen në ndihmë ndonjë burim i shkruar që të jepte një përgjigje të qartë. Brenda judaizmit, pikëpamja tradicionale është që krijesa në barkun e gruas është "një njeri foshnjor". Kështu që, një nga mënyrat më mbizotëruese të të kuptuarit, është ajo sipas të cilës, krijesa, për sa kohë që gjendet në mitër, nuk mund të shihet si një njësi e pavarur, por si një pjesë e të ëmës së tij. Myslimanët thonë se profeti Muhamed përligji që krijesa zhvillohet përgjatë tre periudhave 40-ditore, pas 120 ditësh merr shpirtin e sjellë nga një engjëll. Kështu, mënyra më e zakonshme e të kuptuarit të kësaj çështjeje te myslimanët është ajo sipas të cilës, dështimi lejohet përpara kufirit 120 ditor, i cili i përgjigjet 19 javëve shtatzanie. “Mënyra liberale myslimane e të kuptuarit të kësaj çështjeje përputhet me ligjet e disa vendeve të cilat e vënë kufirin tek java e 18-të”, thotë Ulf Görman.

Fillimi i dhimbjes
Shkencëtarët: “Ndjenjat te fetusi nisin pas 8 javësh”
Sot shkencëtarët e dinë, që tek fetusi ndjenjat lindin që tetë javë pas mbarsjes. Pas disa javësh, shqisa ndjenjë është zhvilluar në duar dhe krahë dhe rreth javës së 14-të, mbi të gjithë sipërfaqen e lëkurës. Para disa vjetësh, disa studiues britanikë zbuluan se fetusi, që pas 20 javësh, reagon ndaj dhimbjes duke çliruar hormone stresi. Por nuk është e thënë që mund të ndjejë dhimbje, pasi truri është akoma shumë i pazhvilluar. Fetusi reagon edhe ndaj zhurmës si edhe ndjen edhe shijet. Pjesa më e madhe mendojnë se jeta në një farë mënyre fillon me mbarsjen. Por kjo nuk do të thotë se veza e mbarsur ka një vlerë të plotë njerëzore. “Unë e shikoj këtë si një proces, që më pas i sjell jetën njeriut. Kjo është një çështje e vështirë për t u zgjidhur. Por nëse duhet të zgjidhet midis hedhjes së vezës së mbarsur dhe shfrytëzimit të saj për një çështje të mirë, do të zgjidhja këtë të dytën. Me këtë, nuk dua të them që njerëzit mund të bëjnë ç´të duan me to”, thotë prof. Ulf Görman.
Ky lajm është publikuar: 18/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›