E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mafia, 24 organizatat më të fuqishme në botë

Autori i Lajmit: red.
Ç do të thotë “Mafia”
Mafia është një term shumë i përhapur në botë për të përkufizuar organizata kriminale. Analizat moderne të këtij fenomeni e cilësojnë mafien si “organizatë pushteti”, duke vënë në dukje se ekzistenca e saj nuk varet nga të ardhurat e shumta nga veprimtaritë e saj ilegale, por nga bashkëpunëtorët që kanë pozita në institucione të ndryshme shtetërore, sidomos politikanë.

Vrasje, trafiqe droge, armësh, pastrim parash, me këto veprimtari mund të përkufizohet secila prej organizatave më të mëdha dhe më të frikshme që funksionojnë sot në të gjithë rruzullin. Ndonëse secila prej 24 grupeve më të fuqishme mafioze ka mënyrën e veçantë të veprimit, ka edhe nga ato që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Padyshim organizata më e madhe është “Cosa Nostra” italiane dhe ajo amerikane. Për të mos lënë më pas “Camorra”-n, mafien ruse dhe atë aziatike. Secila ka të veçantat e veta, por të gjitha kanë të përbashkëtën e madhe, veprimtarinë e kundraligjshme.

“COSA NOSTRA” italiane, gjigandja siciliane
Është themeluar në fillim të shekullit XVI në Sicili, megjithatë lindja e kësaj organizate i atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur amerikanët ndihmuan ringritjen e mafies në Sicili. Shumë bosë italo-amerikanë, të burgosur në SHBA (si Lucky Luciano e Vito Genovese, sa për të thënë ndonjë emër), u kontaktuan nga CIA dhe u lanë të lirë në mënyrë që t i siguronin mbështetje në Itali aleatëve. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siciliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano.
“CAMORRA”, mjeshtre falsifikimesh e gjobash
Kjo organizatë është themeluar nga mesi shekullit XVI në Napoli. Fjala “Camorra” dikur kishte kuptimin e një takse, që paguhej nga pronarët e lokaleve për të siguruar mbrojte. Këto të dhëna i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë më 1735. “La Camorra” aktualisht vepron në 111 vende (përfshirë këtu qytete dhe provinca). Struktura e saj është e ngjashme me atë të “Cosa Nostra”-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar. Fusha kryesore e veprimtarisë së saj është trafiku i drogës, falsifikimet, vënia e gjobave, trafiku i armëve, prostitucioni, rrëmbimet, etj. Shefat historikë të “Camorra”-s kanë qenë Karmine Alfieri dhe Rafaele Kutolo.
“NDRANGETA”, 5600 anëtarë “antishtet”
Kjo organizatë e ka selinë në Kalabri. Përbëhet nga 144 organizime me 5600 anëtarë. Ajo e realizon kontrollin e saj në territorin kalabrez falë lidhjeve mafioze të quajtura “Ndrine”. Ka një strukturë të dukshme horizontale, ekzistojnë lidhje të ngushta midis grupeve të ndryshme, por nuk ka një qendër drejtuese rajonale apo provinciale. “Ndrangeta” ka kryer dy vrasje të ashtuquajtura të mëdha, në gusht të vitit 1991 vrau prokurorin Skopeliti dhe më pas ish-presidentin e hekurudhave të Italisë, Ludoviko Ligato, si dhe cilësohet me karakter të dukshëm antishtet. Shefi historik i “Ndrageta”-s është konsideruar De Stefano.
“SACRA CORONA UNITA”, lidhje me shqiptarë
Nuk është e vetmja organizatë mafioze në Pulia të Italisë, por pa asnjë dyshim është më e rëndësishmja dhe më e madhja. Selinë qendrore e ka në Pulia. Fillimet e saj i ka në vitet 80 dhe sot është organizimi më i fuqishëm. Përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtarë, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Torontos. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies, për sa i përket territorit dhe aferave, por aktualisht paraqitet dhe vepron me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e kësaj mafieje është përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh.
“STIDDA”, shumëkombëshja më e re
Organizata “Stidda” është themeluar në Sicili, por nuk ka asgjë të përbashkët me “Cosa Nostra”-n siciliane. Ngjason më shumë me “Sacra Corona Unita” me qendër në Pulia. Anëtarët e saj nuk janë vetëm italianë, por edhe shqiptarë, afrikanë dhe aziatikë. Madje janë të anëtarësuar edhe rusë. Merret kryesisht me trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, trafik armësh dhe deri diku me pastrim parash. Anëtarët e kësaj organizate kanë kryer disa vrasje, të cilat nuk kanë pasur bujën e vrasjeve të organizuara nga “Cosa Nostra”, “Camorra” apo “Sacra Corona Unita”. Është një organizim mjaft i ri dhe i veçantë i mafies italiane, për të mos thënë organizimi më i ri.
“ORGANIZATSYA”, mafia e elitës
Kjo organizatë, e cila vepron edhe sot, i ka fillimet që në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndahet në 3 nivele: Grupe të vogla të përbëra nga 10 deri në 15 persona, të pavarur në mënyrë direkte nga krerët e mafies, brigadat e mëdha që përbëhen nga 200 deri në 300 persona, të cilët drejtojnë grupet e vogla dhe të ashtuquajturit “vjedhësit e ligjit”, që janë rreth 150 veta. Ata kanë pushtet ekonomik dhe politik. Duke qenë se shumica janë avokatë, mjekë, inxhinierë dhe politikanë, ata janë të aftë të realizojnë projekte dhe operacione financiare me shifra stratosferike. Mafia ruse merret më shumë me trafik droge dhe armësh.
“NEOMENKLATURNAJA”, dora e ish-komunustëve
Interpretimi i fenomeneve mafioze në Rusi do të duhej vendosur në një kontekst më të gjerë analizash mbi të ashtuquajturën “Nomenklaturnaja privatizacija” (kjo do të thotë privatizim në shërbim të nomenklaturës), falë së cilës, eksponentë të nomenklaturës së lartë dhe të mesme të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik kanë arritur, në pjesën më të madhe, që gjatë viteve të tatëpjetës dhe rrëzimit të regjimit komunist (1986-1992) të shndërrohen në kapitalistë dhe pronarë të rinj, nëpërmjet një veprimtarie bashkëpunimi për përvetësimin e burimeve financiare, shpesh në bashkëpunim me mafien e organizuar edhe jashtë Rusisë.
“YAKUTSA”, bandat japoneze me shenja dalluese
Çdo bandë mafioze në Japoni quhet “Yakutsa”, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditën e saj spikasin rituale shumë të vjetra si shumë kohë para viteve 90. Riti i Sakazukishiki-t, është ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri duke pirë sakë nga gota e kryetarit. Riti i Irezumi-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave. Riti tjetër i organizatës mafioze japonezë “Yakutsa” është Yubitsume, e cila ka të bëjë me prerjen e gjymtyrëve të ndryshme të trupit. Në të tre këto ceremoni protagonistët janë oyabun, (kapo), kobun, (vartësit).
“COSA NOSTRA” amerikane, e lindur nga emigrimi
U themelua në fillim të shekullit të kaluar dhe u pasurua në dy dekadat e parë. Ajo lindi për dy arsye: Emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh midis të cilëve kishte dhe nga ata që ishin marrë me krime, dhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia për t i shpëtuar ligjit në Itali u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre e pati Mori, prefekti i Palermos gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Janë 5 familje në Amerikë që mbanin kontakte të ngushta me krerët në Itali: Familja Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino, ku dy të fundit marrin pjesën me të madhe të fitimeve.
“SOLMCEVO”, “Trekëndëshi i Artë” i trafikut të heroinës
Është një organizatë mafioze ruso-aziatike, e cila funksionon kryesisht në Hungari, Republikën Çeke, Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, SHBA, Kosta Rika, Izrael, por edhe në shumë vende të tjera të Azisë së Jugut. Është një organizatë që për nga ashpërsia konkurron me “Cosa Nostra”-n dhe “Camorra”-n. Merret kryesisht me trafik armësh, qeniesh njerëzore dhe droge. Kriminaliteti ruso-aziatik është tashmë i specializuar në trafikun e heroinës që vjen nga “Trekëndëshi i Artë” (Birmani-Laos-Kamboxhia) dhe nga “Gjysmëhëna e Artë” (Pakistan-Afganistan-Iran) dhe për shpërndarjen vijuese në vendet e ish-BS-së, Evropës dhe SHBA-së.
“MOGILEVIC”, operacione nafte e metalesh
Organizata “Mogilevic” është grupimi më i fortë i mafies në Hungari, Budapesti është baza operative e kësaj organizate. Rrjeti i saj është i shtrirë në Ukrainë, Republikën Çeke, Izrael, SHBA, Karaibe, etj. Kjo organizatë mafioze, e cila ka ndikim ruso-aziatik ka perfeksionuar metodat për riciklimin e kapitaleve të paligjshme dhe është në avangardë në përdorimin e transportit të naftës, metaleve joferrikë dhe materialeve strategjike, në operacionet për pastrimin e parave “të pista”, jo vetëm të tyre, por edhe të organizatave të mëdha kriminale ndërkombëtare.
“IVAN KOV”, fluks kontrabande në gjithë globin
Është një organizatë tipike mafioze ruse, por që funksionon më tepër jashtë kufijve të Rusisë, madje shumë larg. Organizata “Ivan Kov” e ka shtrirë rrjetin e saj kryesisht në SHBA dhe Karaibe. Kjo organizatë ka instaluar baza operative për trafikimin e heroinës nga Hong Kongu, Singapori dhe Bangkoku, ku bashkëpunon me “Triadë”-n kineze. Heroina transportohet nëpërmjet ajrit nëpër Lindjen e Largët, në Azinë Qendrore dhe kështu, me tokë, përmes Pakistanit, Uzbekistanit, Taxhikistanit dhe, vijon në Moskë, San Peterburg, nga ku malli niset me maune për në Evropën Perëndimore dhe me avion në SHBA.

Ky lajm është publikuar: 18/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›