E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, si funksionon skema e re

• Reforma e pensioneve do të prekë vetëm të punësuarit aktualë.Fabiola ÇelaTri shtyllat e reja, të propozuara për ndryshimin e skemës, do të jenë efektive vetëm pas disa vitesh. Ministria e Financave, si iniciatorë e reformës, nuk ka përcaktuar akoma kushtet, por një gjë është e sigurt, brezi i popullsisë që aktualisht merr pensione, nuk do të përfitojë nga reforma.NdarjaSot të gjithë ata që janë të punësuar paguajnë rreth 30 për qind të pagës për të përfituar nga sigurimet shoqërore. Vetëm 23 për qind e saj shërben për pensionin, pjesa tjetër janë për asistencë mjekësore dhe shërbime të tjera. Skema aktuale është e bazuar në sistemin solidar. Pra, paratë që mbahen nga paga e një të punësuari, nuk shërbejnë për pensionin e tij, por për pagesën e të moshuarve që tashmë kanë dalë në pension. Kjo skemë sigurohet edhe me mbështetjen e buxhetit të shtetit, dhe i ka të përcaktuara pensionet maksimale dhe minimale në qytet dhe fshat. Kjo skemë, që përdoret aktualisht, sipas specialistëve dhe Bankës Botërore, po shkon drejt falimentimit. Për këtë arsye është propozuar sistemi tjetër. Ai me tri shtylla. NdryshimiTri shtyllat e sistemit të ri janë një lloj sigurimi privat i detyrueshëm. Shtylla e parë është ajo aktualja, e dyta është sigurimi privat, por i detyrueshëm dhe e treta është sigurimi privat vullnetar. Në shtyllën e parë është shteti që garanton vazhdimësinë e pagesës së një pensioni minimal për gjithë jetën e pensionistit. Në shtyllën e dytë paratë që paguhen për sigurimin, do të investohen nga privati dhe do të kthejnë një normë më të lartë fitimi, pra një pension më të madh. Në shtyllën e tretë, sigurimi është vullnetar. Pra, të punësuarit, ose jo, mund të derdhin para që t’i marrin më vonë në formën e pensionit, kundrejt janë norme fitimi të përcaktuar. Si do të funksionojëDuke përjashtuar shtyllën e tretë, që është fakultative, dy shtyllat e para do të jenë të detyrueshme. Kjo do të thotë që çdo i punësuar do të vazhdojë të paguajë sigurime shoqërore, por paratë që i mbahen atij nga paga do të ndahen në dy pjesë. Pjesa e parë do të vazhdojë të shërbejë për shtyllën e parë. Pra, do të shërbejë për financimin e pensionistëve që aktualisht kanë mbaruar kohën e punës. Me paratë që derdhen në shtyllën e parë shteti do të sigurojë pensionin minimal. Pjesa tjetër e parave, që shkojnë për shtyllën e dytë, do të investohen nga privati dhe do të japin një pension shtesë. Në vendet e zhvilluara nuk ekziston shtylla e parë. Kjo pasi atje pensionet private dhe skema e investimit ka filluar prej kohësh. Shqipëria është e detyruar të përdorë edhe shtyllën e parë, pasi ata që paguajnë tani sigurime kontribuojnë për pensionistët që marrin sot pensione. KohaSipas të dhënave mendohet që skema e re, ajo e ndarjes së kontributeve në dy skema, atë shtetërore dhe atë private, do të fillojë për të gjithë ata që kanë lindur në vitet 1975-1980. Kjo është vetëm një hipotezë, pasi ndryshimi i skemës do të jetë pjesë e debateve politike dhe teknike. Sidoqoftë, në rast se do të ishte kjo fashë kohore, atëherë të parët që do të përfitonin nga skema e re do të ishin ata që kanë mbushur 35 vite punë. Pra, janë me llogaritje të përafërt, skema do të jepte frytet e para në vitet 2030. Megjithatë kjo është vetëm një hipotezë e hedhur dje, gjithçka do të vendoset në bashkëpunim politik me të gjitha partitë. shembulliNjë i punësuar që ka një pagë prej 100 mijë lekësh, sot paguan për sigurimet shoqërore 30 për qind të pagës. Nga kjo, 23 për qind janë për pensionin dhe pjesa tjetër është për sigurimet e tjera. Pra, çdo muaj ai paguan 23 mijë lekë për pension (bashkë me punëdhënësin). Me skemën e re, paratë që ai derdh për pension do të ndahen në dy shtylla, ose në dy lloj menaxhimesh. Për shembull, në rast se reforma e pensioneve do të vendosë ndarjen e sigurimeve 20 për qind për skemën e parë dhe 10 për qind për skemën e dytë, atëherë të punësuarit 20 mijë lekë do t’i shkojnë për sigurimin shtetëror dhe 10 mijë lekë për sigurimin privat. Për 20 mijë lekët e shtyllës së parë, shteti do t’i sigurojë të punësuarit një pension minimal. 10 mijë lekët e shtyllës së dytë do të investohen nga menaxhuesi privat i skemës. Pra këto para do të sjellin të ardhura të tjera. Këto para do të përdoren për të gjithë kohën e punës. Pas mbushjes së moshës së pensionit, qeveria do të përcaktojë moshën mesatare të jetës pas daljes në pension dhe paratë do të shpërndahen sipas kësaj kohe pjesëtuar me muajt. Çdo vit privatët duhet të informojnë çdo pensionist për investimet e parave të tyre dhe për fitimet e nxjerra nga ato. Në këtë mënyrë, paratë e derdhura çdo muaj do të shtohen dhe si rrjedhojë në fund të moshës së punës, çdo pensionist do marrë më shumë para. Duhet theksuar se të dy skemat janë të detyrueshme. Financat, që iniciuan debatin, nuk kanë vendosur akoma si do të ndahen kontributet që derdhin aktualisht të punësuarit për pension. Ky është një shembull hipotetik. tri shtyllatShtylla e parë, përmes së cilës kryesisht garantohet mbrojtja e të moshuarve nga varfëria. Kjo shtyllë duhet të jetë e detyrueshme dhe nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit;Shtylla e dytë, e cila mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo shtyllë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizmin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga shtylla e parë;Shtylla e tretë, e cila është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizmin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve.Sherefedin Shehu: Mosha e re, përfitues të skemësQeveria do të hartojë një skemë të re për pensionet, e cila do të prekë vetëm moshat e reja. Kështu është shprehur dje zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, në një prononcim për mediat, i cili sqaroi në detaje të gjitha shtyllat ku do të bazohet kjo reformë. “Me ristrukturimin e këtij sistemi synojnë ndarjen e pensioneve nga ndihmat ekonomike, me qëllim që të kemi një sistem pensionesh, ku përfitimet të jenë të bazuara nga kontributet”, tha ai. Por kjo reformë nuk do të cenojë përfitimet e sotme. “Në këtë kuadër është folur për një sistem trekolonësh, i cili ekziston në shumë vende të botës”, u shpreh Shehu. Ky sistem trekolonësh në vetvete ndahet në dy komponentë, ku i pari është i detyrueshëm ose shtetëror dhe i dyti është privat. Komponenti i detyrueshëm në praktikën e sigurime shoqërore ndahet në dy kolona. E para është një sistem që përdoret nga shumica e vendeve dhe po ky sistem praktikohet edhe në Shqipëri. Ky sistem është i përzier me elementë të politikave sociale. “Ne tashmë kemi filluar të flasim për kolonën e dytë, e cila do të nisë të zbatohet pas një diskutimi. Zbatimi i saj mund të nisë pas 3 apo 5 vjetësh, pasi ne ende nuk jemi në gjendje që të përcaktojmë”, theksoi ai. Kolona e parë e këtij sistemi ndahet në dy menaxherë, ku njëri është shtetëror dhe një privat. Ndërsa pjesa e kontributeve të detyrueshme dhe e përfitimeve nga sistemi ekzistues do menaxhohet nga institucione private quhen kolona e dytë, por dhe kjo kolonë bazohet në kontribute të detyrueshme. “Pra, këto janë kontributet që paguajnë sot punëdhënësit dhe punëmarrësit, të cilat ndahen në dy linja”, sqaron Shehu. Një linjë menaxhohet nga Instituti i Sigurimeve Shtetërore dhe pjesa tjetër do të jetë e menaxhuar nga institucione private financiare. Pjesa e kontributit që shkon tek këto institute private të pensioneve do të investohen. Këto para mund të investohen në shumë mënyra, si p.sh. mund të depozitohen nëpër banka, mund të investohen në tregun evropian etj. “Gjithsesi ajo që ka rëndësi është fakti se shtohen paratë që ne kontribuojmë dhe ashtu siç e kemi thënë, masa e kontributit lidhet fort me masën e përfitimit”, sqaroi ai. Diskutimet për reformën në pensione sapo kanë nisur dhe ende nuk është përcaktuar se cila shtyllë do të aplikohet. Por në diskutimet e ardhshme, përveçse do të zgjidhet se cili është varianti më i mirë, do të përcaktohet edhe se cila moshë do të preket nga reforma e re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›