Klosi: Meta të kthehet në familje
• Sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Kosi, i ka bërë thirrje dje kreut të LSI-së të rikthehet në kampin opozitar."Ne i bëjmë thirrje lidershipit të LSI-së të rikthehet në familjen e përbashkët në kampin opozitar, të gjithë së bashku të kemi mundësi në fitoren e 2009. Kërkojmë që të heqë dorë nga këto praktika të cilat po bëjnë të shqetësuara, jo vetëm të gjithë të majtët në Shqipëri, por dhe shumë njerëz të cilët po trokasin përditë në dyert tona të zhgënjyer nga politikat personale të Ilir Metës", tha Klosi. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave lidhur me polemikat e ditëve të fundit brenda kampit opozitar në lidhje me sistemin zgjedhor dhe komisionin e posaçëm parlamentar për këtë çështje, Klosi tha se, "PS e sheh me shqetësim kërkesën e vazhdueshme të lidershipit të LSI për t'u imponuar si kryeministër i të majtë". "Partia Socialiste po sheh me shqetësim kërkesën e vazhdueshme të lidershipit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për t'u pozicionuar si Kryeministër i së ardhmes i së majtës, duke u kapur për këtë pozicion pas politikave të vjetra dhe pas Fatimesë së Ndroqit". Sipas tij, në këtë kërkesë, LSI nuk ka asnjë argument parimor. "Ne shikojmë po ashtu me shqetësim, që në këtë kërkesë nuk ka asnjë argument, por vetëm kërkesa personale".