Biznesmenët, një muaj në burg për mashtrimin e qytetarëve
• KORÇE - Gjykata e Faktit në Korçë vendosi dje masën e sigurisë "një muaj burg", për dy biznesmenët Jani Lluka e Ilia Nikolla, të akuzuar për mashtrim të dhjetëra qytetarëve të Korçës.Në seancën e djeshme të drejtuar nga gjyqtarja Vojsava Osmanaj, ndaj dy biznesmenëve u ngrit akuza e mashtrimit të qytetarëve kundrejt fitimit, por njëherësh u bë e ditur se paralelisht po punohet edhe për vërtetimin e akuzës për krijimin e një firme piramidale. Në fjalën e tij, prokurori i çështjes, Përparim Vukaj pohoi para trupit gjykues së veprimtaria huamarrëse e biznesmenëve Lluka dhe Nikolla ka filluar që në vitin 2003. "Në pamundësi për t'i kthyer këto shuma të mëdha, - është shprehur Vukaj, - dy të akuzuarit u janë fshehur huamarrësve. Kjo ka bërë që në adresë të tyre të ngrihen padi gjyqësore dhe të kërkohet në Prokurori edhe ndjekje penale për mashtrim me përmasa të mëdha". Në përfundim ai kërkoi burg pa afat për dy të akuzuarit. Pala mbrojtëse, e përfaqësuar nga avokatët Gjergji Gjoka dhe Nevzat Tarrelli kanë hedhur poshtë akuzën e ngritur dhe kanë kërkuar lirimin e të ndaluarve nga salla e gjyqit. Sipas tyre, nuk bëhej fjalë për shpërdorim besimi të qytetarëve dhe as përfitim, pasi lekët e marra hua janë investuar për teknologji të reja dhe për shtim të kapitalit bazë të firmës "Interkonfeksion Kompani". "Janë investuar 2 milionë euro dhe këtë e vërtetojnë ekspertët dhe specialistët e bankave", është shprehur avokati Tarrelli. Njëherësh ai ka kërkuar që dy biznesmenët të lihen të lirë për të administruar biznesin e tyre, me qëllim që t'iu përgjigjen huadhënësve të tyre. Ndërsa avokati Gjoka ka nënvizuar se janë disa persona të biznesit konkurrues, që shtyjnë qytetarët huadhënës për padi, me qëllim shkatërrimin e këtij biznesi të madh. Dy biznesmenët në fjalën e tyre kanë kërkuar që të lihen të lirë që të administrojnë biznesin e tyre dhe t'u përgjigjen huadhënësve me kthimin e borxhit. Ata kanë deklaruar se vënë në dispozicion pasuritë e patundshme familjare dhe personale për të shlyer huadhënësit. Gjyqtarja Osmanaj duke deklaruar vendimin e masës së sigurisë "një muaj me burg", ka përfunduar duke u shprehur se gjykata është në fazën e dyshimeve dhe se dy biznesmenët kanë të drejtë të shlyejnë borxhet e marra brenda periudhës së mësipërme. j.gjMashtron fshatarët, u merr 500 mijë lekëELBASAN - Ka mbledhur rreth 500 mijë lekë te bashkëfshatarët e tij për kanalin vaditës të fshatit dhe më pas këto para i ka mbajtur për vete, duke mos i derdhur në llogarinë bankare të parashikuar. Protagonisti i ngjarjes është Sadik Çela, banor i fshatit Mollas, të rrethit të Elbasanit. Plani i tij për përvetësimin e parave të mbledhura nga bashkëfshatarët ka marrë fund dje kur është ndaluar nga efektivët e Policisë së Elbasanit. Burimet e gazetës pohuan dje ndalimin e 43-vjeçarit Çela. Ndalimi i tij erdhi pas denoncimit të bërë nga bashkëfshatarët për shpërdorimin e parave të tij. Mësohet se Çela si ish-kryetar i shoqatës "Sulova" të ujit vaditës në zonën e Mollasit kishte grumbulluar nga banorët e këtij fshati para, të cilat do të përdoreshin në kuadër të programit të Bankës Botërore, për hapjen e kanaleve vaditëse. a.k