Ish-pronarët, ndërtim pallati në zonat informale
• Të gjithë ish-pronarët mund të ndërtojnë pallate në zonat informale, nëse toka e tyre ndodhet brenda vijave të verdha dhe është pjesë e zonës urbanistike.BLEDAR HOTIKy është vendimi më i fundit i komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese gjatë miratimit dhe shqyrtimit të projektligjit “Për legalizimin e zonave informale”. Amendamenti është propozuar nga ana e deputetit të PD-së, Ardian Kollozi, i cili ka kërkuar që “për të gjitha ato ndërtime pa leje që përfshihen brenda vijës së verdhë dhe për të cilat ka një studim urbanistik për ndërtimin e pallateve mbi 5 kate do të prishen. Shteti do marrë përsipër strehimin e banorëve që jetojnë në to, ndërsa pronari që ka marrë lejen e ndërtimit do ngrejë pallatin”. Kjo është miratuar vetëm me votat pro të deputetëve të maxhorancës, ndërsa opozita, edhe pse e pakët e pranishme në mbledhje ka votuar kundër. Sipas Kollozit, propozimi ka të bëjë me plotësimin e detyrimit të strehimit të atyre banorëve që do të mbesin jashtë nga ndërtimi i banesave, duke bërë që qeveria të ketë detyrimin që të strehojë këto familje. Ndërhyrja që po bëhet prek nenin 35, pika dy. Në ligjin aktual ishte parashikuar që strehimi të realizohet nga ana e investitorit që do të realizonte pallatin, tani kjo i shmanget, ia lë si detyrim shtetit. “Kur pronari i truallit ndërton sipas planit rregullues, firma investitore detyrohet që, në çastin e paraqitjes së kërkesës për leje shesh ndërtimi, të paraqesë në zyrën e urbanistikës përkatëse deklaratën noteriale për vendosjen në dispozicion, në çastin e përfundimit të objektit, të pasurisë së paluajtshme ndërtimore në favor të strehimit të familjes, që disponon ndërtimin pa leje në këtë truall. Sipërfaqja e strehimit për këtë familje përcaktohet sipas normave në fuqi, të parashikuara për kategorinë e familjeve të pastreha”, thuhej në këtë nen. Më pas theksohej se, “gjatë periudhës së zhvillimit të truallit, investitori merr përsipër, me shpenzimet e veta, strehimin e familjes, që dispononte ndërtimin pa leje. Deklarata noteriale e investitorit për kalimin në pronësi të sipërfaqes së strehimit të familjes së pastrehë regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në çastin e depozitimit për regjistrim të aktmarrëveshjes së zhvillimit të truallit”. Ky ka qenë ndryshimi i vetëm esencial i ndryshuar nga komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, pasi ndërhyrjet e tjera kanë qenë vetëm teknike. Në fillim mbledhja e komisionit ka nisur e ndezur, ku socialistët kanë nisur të diskutonin dhe të kontestonin nenin 1 dhe nenin 2 të projektit, që heqin shprehjen e zonave informale, duke e përcaktuar për çdo njësi të ndërtuar në mënyrë të paligjshme. “Nuk do flitet më për zonat informale. Legalizimi tashmë do bëhet për çdo objekt veç e veç. Pushteti vendor na ka penguar në punën tonë. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007 ne nuk kemi punuar për afro 7 muaj për shkak se këshillat bashkiakë dhe komunalë nuk ishin konstituar. Vendimmarrja e KRRT-së nuk është e nevojshme për procesin e legalizimit. Ajo do të vlejë vetëm për urbanizimin”, deklaroi nënkryetari i ALUIZN-it, Ferdinand Shehu. Më pas gjithçka ka vendosur forca e kartonit ku maxhoranca ka miratuar p/ligjin pa pasur ndryshime të shumta. Maxhoranca nuk ka pranuar asnjë prej pretendimeve të opozitës për këtë projekt, ku e majta konteston fuqishëm shmangien e pushtetit vendor nga ky proces.DebatetFerdinand Shehu, ALUIZNi:Propozimet tona konstatojnë në atë që bëhet një herë shpallja zonë informale dhe pastaj bëhet legalizimi i çdo godine. Prandaj është normal heqja e termit “zonë informale”.Rexhep Uka, PD:Ne nuk mund ta heqim këtë terme, pasi ndryshon i gjithë objekti i ligjit. Ylli Bufi, PS:Kjo pikë ju nxjerr zbuluar në qëllimin tuaj për të shmangur nga vendimmarrja pushtetin vendor. Eshtë e papranueshme që të hiqet termi “zonë informale”.Ferdinand Shehu:Nuk do flitet më për zonat informale. Legalizimi tashmë do bëhet për çdo objekt veç e veç. Pushteti vendor na ka penguar në punën tonë. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007 ne nuk kemi punuar për afro 7 muaj për shkak se këshillat bashkiakë dhe komunalë nuk ishin konstituar. Vendimmarrja e KRRT-së nuk është e nevojshme për procesin e legalizimit. Ajo do të vlejë vetëm për urbanizimin.Ndriçim Hysa, PS:Ndryshimet e bëra dhe premtimi i ALUIZNI-t për të përfunduar 50 për qind të legalizimeve brenda 2008 tregon qartë se kemi të bëjmë me një shfrytëzim të këtij procesi për efekte elektorale. Dihet tashmë se 2009 është një vit elektoral. Pilo Keri, PS:Nuk duhet lënë ky debat, kjo gjë është e rëndësishme, nuk hiqet termi “zona informale”, duke u zëvendësuar me njësi për ndërtim. Përndryshe humbet edhe vlera e ligjit.