E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet suplementare janë dhënë sipas “shijeve” politike

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Aktualisht, profesorët që nuk marrin pension suplementar kanë një pension prej 20-22 mijë lekësh dhe këtu hyjnë pjesa më e madhe e profesorëve, ndërsa ata që kanë fituar pensionin suplementar marrin rreth 30-35 mijë lekë pension.
Eshtë marrë një vendim qeverie për statusin e profesorit, profesor doktorët, profesorët e asociuar.dhe mjeshtrat e kërkimit. Në këtë vendim është bërë një diferencim i padrejtë në trajtimin me pension midis profesorëve të dalë në pension në këtë kohë e atyre që do të dalin më vonë dhe nga ana tjetër, atyre që kanë dalë vite më parë. Sipas vendimit ata që janë ende në punë, do të paguajnë më shumë sigurime që të fitojnë një pension shtesë suplementar. Profesor Isa Gorica, kreu i sindikatës së pensionistëve, pohon:
“Sipas përllogaritjeve të sindikatës sonë, pensioni i profesorëve me gjithë pensionin suplementar, pas vendimit të qeverisë do të shkojë 38-48 mijë lekë të reja, sipas titujve që mbajnë: profesor i asociuar dhe profesor. Ndërsa aktualisht, profesorët që nuk marrin pension suplementar kanë një pension prej 20-22 mijë lekësh dhe këtu hyjnë pjesa më e madhe e profesorëve, ndërsa ata që kanë fituar pensionin suplementar marrin rreth 30-35 mijë lekë pension.
Sipas profesor Goricës, një nga mangësitë e vendimit të qeverisë është se nuk janë përfshirë në të Doktorët e Shkencave, që është edhe kjo një gradë e lartë, të cilët kanë dhënë një kontribut kolosal në zhvillimin e vendit, kanë shumë botime, kanë merita të rëndësishme në histori, mjekësi, albanologji e në të gjitha fushat. Për më tepër, kjo kategori intelektuale nuk shkakton ndonjë rëndesë të madhe në buxhetin e shtetit, pasi bëhet fjalë për rreth 100 vetë gjithsej,-shprehet ai.
Kreu i sindikatës së pensionistëve qorton faktin që sigurimi i zakoshëm ka një diapazon 1 me 5, që do të thotë se për pagat e larta, detyrimi i sigurimit arrin deri në 5-fishin e kontributit të sigurimeve mbi pagë minimale (që është 18 mijë lekë). Ndërkohë që nga ana tjetër, ky raport nuk ruhet kur vjen fjala për përfitimin e këtij kontributi si pension. Diferenca mes pensionit minimal në qytet dhe pensionit maksimal është 1 me 2.
90% e profesorëve nuk marrin pension suplementar. Kryertari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica, thotë se deri më sot, shumica e profesorëve nuk përfitojnë pension suplementar dhe se procedura e përfitimit është e gjatë, burokratike dhe jotransparente. “Pjesa më e madhe e pensioneve suplementare janë ndarë mbi bazën e përkatësive politike, -thotë ai, -dhe jo të meritave intelektuale. Profesorët e tjerë janë diskriminuar, për faktin që vlerat e tyre kanë mbetur në dorë të një komisioni në Kryeministri i cili po të dojë e aprovon pensionin suplementar, po të dojë nuk e aprovon. Shumë kërkesa të profesorëve nuk janë aprovuar. Por në raste të tjera, pjesa më e madhe e tyre as që i janë futur procedurës së aplikimit për të përfituar pension suplementar”.
Meqenëse vendimi që ka nxjerrë qeveria sipas të cilit profesorët do të përfitojnë të gjithë pension suplementar, edhe nëse miratohet nga parlamenti, hyn në fuqi më janar 2010, profesorët që duan të përfitojnë më shpejt, duhet të ndjekin këtë procedurë: Të bëjnë një kërkesë në vendin e punës. Vendi i punës e nis kërkesën në Qark dhe Qarku ia çon Kryeministrisë. Pas kësaj ata do të duhet të presin deri në kthimin e përgjigjes. Në rast se vendimi miratohet, burokracitë shkurtohen. Profesorët do ta përfitojnë pension suplementar duke paraqitur dokumentacionin në ISSH.
Bisedoi Denisa Kona

Një projektligj kokë e këmbë i korruptuar

Pensionet suplementare për profesorët dhe asistent- profesorët nuk do të jepen për ndonjë kontribut të veçantë që kanë dhënë në zhvillimin e fushave ku kanë kontribuar, sikurse propagandohet, nuk do të jepen për meritat e tyre intelektuale, por do të jepen mbi bazën e një kontributi financiar shtesë, që ata duhet të paguajnë çdo muaj. Pra, profesorët duhet të paguajnë sigurime shoqërore më të larta, që të përfitojnë pensione më të larta. Kështu, në këtë version si del projektligji i qeverisë, profesorëve nuk u bie veçse të marrin një pjesë të parave të tyre.
Skemë diskriminuese për profesorët në privat
3.5% të pagës duhet të derdhin për të fituar pensionin suplementar profesorët që punojnë në sektorin publik dhe 7%, profesorët e punësuar në sektorin privat (!), -një diskriminim tjetër ky në radhët e tyre, i pabazuar asgjëkundi, pasi profesori ia jep kontributin shoqërisë njësoj, si në sektorin shtretëror edhe në atë privat dhe është antiligjore të trajtosh të njëjtin kontigjent me dy palë standarde. Të dyja palët e profesorëve do të marrin 1.3% të pagës mesatare referuese për kohën që kanë mbajtur titullin profesor. Por ç është më e habitshmja, masa e këtij përfitimi nuk mund ta kalojë katërfishin e pensionit bazë.
Skema absurde të trilluara në përllogaritjen e pensioneve të profesorëve nuk synojnë tjetër veçse të ngatërrojnë dhe të vështirësojnë logjikën e thjeshtë të përfitimit të një pensioni suplementar. Këto skema janë vërtet “të zgjuara”. “Masa e pensionit suplementar është 1.3 për qind e pagës mesatare referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “profesor” dhe 1.1 për qind të pagës mesatare referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “asistent profesor”.
Skemë diskriminuese për titujt e marrë në moshë të shtyrë
Keni dëgjuar ndonjëherë që midis dy profesorëve, ai që ka më shumë vite si i tillë të quhet më i vlefshëm se një tjetër që ka më pak vite? Po do ta dëgjoni tani. Në vendimin e qeverisë, pensioni suplementar për profesorët do të jepet mbi bazën e viteve të tyre si profesorë. Me këtë skemë, profesorët që kanë shumë pak kohë që kanë dalë në pension, do të përfitonin një pension suplementar të papërfillshëm. Por edhe profesori që ka një mesatare vitesh, nuk do të përfitonte vecse një shtesë asistence.
Ja sa do të përfitonte profesori që ka 10 vite pune me titull: Po marrim pagën 100 mijë lekë të reja si pagë mesatare bruto për profesorin. 1.3% e kësaj page shkon 1300 lekë. Kjo shumëzohet me vitet, në rastin tonë 10 vjet dhe del 13 mijë lekë pensioni suplementar për profesorin që ka 10 vite që mban titullin. Ndërsa për profesorin e asociuar kjo do të shkonte edhe më pak, për shkak të pagës më të ulët dhe të koeficientit më të ulët. Konkretisht sipas të njëjtit shembull, me pagë 80 mijë lekë, prof.as. do të fitonte 8800 lekë të reja pension suplementar.
Profesorët nuk marrin tituj në moshën 20-vjeçare
Zakonisht, titujt fitohen në një moshë të shtyrë, pas shumë vitesh përvojë dhe kontributesh profesionale. Titulli profesor fitohet rreth moshës 50-vjecare. Kjo do të thotë se me skemën e përllogaritjes së pensionit suplementar sipas vjetërsisë së marrjes së titullit, ky pension reduktohet në vlera modeste të një asistence (rreth 10 mijë lekë). Paradoksalisht qeveria flet për një pension suplementar deri në 4-fishin e pensionit minimal, por jo më tepër! Kjo është demagogji. Në vend të kësaj, qeveria duhet të kishte menduar që pensioni suplementar nuk duhet të zbresë në një vlerë qesharake, edhe nëse një person ka vetëm 1 ditë që ka marrë titullin profesor. Sepse, në momentin që dikush merr titullin “profesor”, kjo nuk do të thotë se pikërisht atë ditë ai vlen më shumë. Marrja e titullit është shpërblim dhe nderim për një kontribut shumë të gjatë e të madh në kohë për shkencën, kulturën etj. Nëse dikush merr titullin profesor në vitin 2009, do të thotë se kontributi i tij shtrihet për dhjetëra vite më parë. Për këtë arsye, të llogarisësh pensionin suplementar të profesorit nga dita e marrjes së titullit, do të thotë të mohosh këtë kontribut të tij.
Krahasimi i shtrembër me pensionin suplementar të deputetëve
Zyrtarët e kanë argumentuar nevojën, që profesorët të paguajnë sigurime suplementare për të marrë pension suplementar, me faktin se kështu veprohet edhe me pensionet e deputetëve. Mirëpo, puna e deputetit nuk është e përhershme dhe vitet për pagesën e pensionit suplementar shpesh janë 4, aq sa zgjat një mandat. Ndërsa mosha e daljes në pension për deputetët është shumë e hershme: pas moshës 55 vjeç ata fitojnë të drejtën e pensionit të deputetit. Ndërsa pedagogët dalin në pension zyrtarisht 68 vjeç e shpesh për shkak të pensionit të ulët, e shtyjnë daljen edhe 2-5 vite. Koha e kontributit të tyre është shumë më e gjatë se ajo e deputetit. Në të tilla rrethana, pensioni suplementar i tyre nuk duhej të trumbetohet si shpërblim për meritat e veçanta në zhvillimin e kombit, veçse një kthim parash. Por çdokush, nëse do të dojë të përfitojë dy pensione, mund të derdhë edhe kontribut në institut privat. Është e njëjta logjikë e ndjekur për pensionin suplementar të profesorëve...

Qeveria kujdeset që pensioni suplementar të mos kalojë kufirin maksimal të 4 pensioneve minimale, por harron të vendosë kufirin minimal

Sa vite pension hanë profesorët?
Dy kontribute të detyruara për profesorët, nëse duan “dy pensione”
Profesorët dalin në pension edhe më vonë sesa punonjësit e tjerë (68 vjeç është limiti i moshës zyrtare të pensionit për ta, që disa herë kapërcehet vullnetarisht). Duke marrë parasysh jetëgjatësinë mesatare të popullsisë, profesorëve u bie të hanë shumë- pak vite pension, madje, edhe të mos hanë fare. Në këto kushte, atyre do t u leverdiste më mirë, që paratë për kontribut suplementar t i ruanin si kursime për të marrë 100% të atyre që kanë ruajtur apo më shumë, nëse i vënë në bankë. Kurse në derdhjen e një kontributi shtesë, pjesa më e madhe e shumës do të mbetet në arkën e sigurimeve dhe profesorët pensionistë nuk do ta konsumojnë dot. Jetëgjatësia mesatare e burrave në Shqipëri, sipas disa burimeve shkon 69 vjeç deri në 74 vjeç (kjo e fundit sipas INSTAT). (Bëni llogari se sa pensione suplementare do të arrijë të përfitojë profesori dhe sa ka derdhur në vite). Sipas idesë qeveritare, profesori duhet të paguajë rreth 3500 lekë te reja shtesë sigurime në muaj, përvec sigurimit të zakonshëm prej rreth 15 mijë lekësh të reja në muaj-një kontribut i majmë ky. Pra, për të marrë një pension plus prej 10 mijë lekësh, duhet të paguajë edhe një kontribut të ngjashëm me kontributin e një punonjësi me pagë minimale që përfiton pension minimal. Llogaritë janë bërë mirë: Profesorët duhet të paguajnë e pastaj të marrin. Por do të marrin si përfundim rreth trefishin e pensionit minimal duke dhënë kontribut në raport 1-6, pra sa për 6 pensione minimale. (Sa për 5 pensione minimale japin kontribut që tani, pa kontributin shtesë).

Ky lajm është publikuar: 30/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›