E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorimi, TV Klan i jep Berishës katër herë më shumë kohë se Ramës

Nga Tema

Një monitorim i medieve në këtë nisje të fushatës zgjedhore, realizuar nga Delta MCM dhe MC Monitoring, me mbështetjen e USAID, nxjerrë përfundimin se televizionet kanë bërë një mbulim të pabarabartë të fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe.

Monitorimi është bërë për disa nga televizionet e cilësuara si me audiencën më të madhe në vend.

Sërish Televizioni Publik Shqiptar mbetet i pabalancuar në favor të qeverisë dhe Partisë Demokratike. TVSH i ka dhënë PD dy herë më shumë kohë sesa PD. Bie në sy se ky televizion ka bërë një mbulim negativ për PBDNJ.

Rekord ka vendosur dhe transmetuesi kombëtar, TV Klan, që i ka dhënë tri herë më shumë kohë PD sesa PS. Vetë Berisha ka marrë katër herë më shumë kohë te ky televizion sesa Rama. Gjithashtu, mbulimin më negativ TV Klan, ashtu si TVSH, e ka patur për PBDNJ.

Ndërkohë, edhe opozita ka televizionet e saj që e kanë favorizuar. Kështu, Top Channel, News 24 dhe TV Koha i kanë dhënë më shumë kohë PS, por prapë hendeku nuk ka qenë aq i madh sa në rastet e sipërpërmendura.

TV Vizion Plus duket si televizioni më i balancuar deri në këto momente të fushatës duke u dhënë kohë të barabartë në dispozicion palëve.

Sipas monitorimit, dy koalicionet e dyta të fushatës, përkatësisht koalicioni i LSI dhe Poli i Lirisë, kanë marrë më pak kohë televizive se sa duhej të merrnin.

TV Klan

Ndarja e kohës nga ana e TV Klan për PD ishte 267.3 minuta dhe për PS 95.3 minuta. Koalicioni i kryesuar nga PD, “Bashkimi për ndryshim”, mori 33.2 minuta mbulim. Koalicioni i kryesuar nga PD, “Aleanca e Ndryshimit”, mori 0.4 minuta. PR mori 30.1 minuta. LSI mori 25.4 minuta. PBDNJ mori 15.4 minuta. PD dhe aleatët e saj në total përfituan 314.9 minuta krahasuar me 156.3 të përfituara nga PS dhe aleatët e saj. Mbulimi për PD ishte më pozitiv se për secilën parti tjetër dhe PBDNJ mori mbulimin më negativ. Sali Berisha, i cili pati mbulimin më pozitiv, mori 108.9 minuta, krahasuar me Edi Ramën që mori vetëm 28.7. Fatmir Mediu mori 10.5 minuta i ndjekur nga Meta me 10.3 minuta kohë transmetimi.

News 24

Koha e dhënë nga News 24 për PD ishte 281.5 minuta, ndërkohë që PS mori 279.2 minuta. LSI mori 67.4 minuta, G99 63.4 minuta, PSD 46.8, PAA 32.5, PR 28.6 dhe PDS 26.8. Në total, koalicioni i kryesuar nga PD mori 372.1 minuta. Koalicioni i kryesuar nga PS mori 431.1 minuta. Kryeministri dhe kryetari i PD, Sali Berisha, mori 92 minuta mbulim, ndërkohë që Edi Rama i PS mori 78 minuta. Ilir Meta i LSI mori 9 minuta, njëlloj me Erion Veliajn e G99. Valentina Leskaj nga PS mori 7 minuta.

Top Channel

Koha e dhënë nga Top Channel për PS ishte 128.5 minuta krahasuar me 98.5 minuta për PD. G99 përfitoi 20.2 minuta, PBDNJ 20.1 minuta dhe LSI mori 15.3 minuta. PR mori 9.5 minuta. Totali i mbulimit për PD dhe aleatët e saj ishte 108 minuta krahasuar me totalin prej 179.2 minutash të marrë nga PS dhe aleatët e saj. Koalicioni i kryesuar nga PD, “Aleanca e Ndryshimit”, mori vetëm mbulim negativ, sikurse edhe lloji i mbulimit për koalicionin e kryesuar nga LSI “Aleanca Socialiste për Integrim”, si dhe partia e sapoformuar PLIDR. “Poli i Lirisë” mori 65% të kohës mbulim negativ, ndërkohë që G99 rezultoi partia që iu ofrua mbulimi më pozitiv, me 25% të totalit të mbulimit pozitiv të fokusuar tek ajo. Edi Rama ishte politikani që mori më shumë kohë transmetimi, 47 minuta. I dyti ishte Sali Berisha me 28 minuta, Erion Veliaj me 8 minuta dhe Ilir Meta me 4 minuta.

Koha TV

Minutazhi i dhënë nga Koha TV për PS ishte 116.2 minuta. PD mori 49.1 minuta. PR mori 9.3 minuta dhe LSI mori 5.2 minuta. Koha totale e dhënë për PD dhe aleatët e saj ishte 66.3 minuta, krahasuar me PS dhe aleatët e saj që morën 131 minuta. Mbulimi ishte neutral për të gjitha partitë. Edi Rama ishte politikani me mbulimin më të madh prej 37 minutash, ndërkohë që Berisha mori 13 minuta. Edhe Valentina Leskaj e PS mori 10 minuta.

TVSH

Koha e dhënë nga TVSH për PD ishte 124.3 minuta, krahasuar me 68.4 minuta që mbuluan PS. LSI mori 27.5 minuta, PR mori 20.2 minuta dhe PBDNJ mori 14.4 minuta. Koalicioni i kryesuar nga PD mori 166.3 minuta, ndërkohë që koalicioni i kryesuar nga PS mori 96.6 minuta. PBDNJ pati substancialisht mbulimin më negativ me 82% dhe PD më pozitivin me 40%. Politikani me mbulimin më të madh ishte Sali Berisha me 29 minuta, i ndjekur nga Edi Rama me 19 minuta, Ilir Meta me 16 minuta dhe Fatmir Mediu me 8 minuta.

Vizion Plus

Koha e caktuar nga Vizion Plus për PD ishte 123 minuta krahasuar me 121.6 minuta për PS. G99 mori 15.2 minuta dhe PBDNJ 12.9 minuta. Koalicioni i kryesuar nga PD mori 138.1 minuta dhe koalicioni i kryesuar nga PS mori 156.3 minuta. PD pati një mbulim negativ në 30% të totalit të kohës së transmetimit që iu caktua. Politikani që pati mbulimin më të madh ishte Edi Rama me 35 minuta dhe i dyti ishte Berisha me 12 minuta. Erion Veliaj mori 6 minuta kohë, ndërkohë që Ilir Meta mori 5 minuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›