E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shantazhet e Credins në emër të Familjes Berisha

Nga Mero Baze

Mbrojtja publike e kryeministrit shqiptar për një biznesmen që e ka konsideruar kohë më parë si “trafikant”, ka trimëruar një bandë të tërë nëpunësish, që janë në të vërtetë pjesë e rrethit familjar të zotit Berisha, të padisin gazetën “TemA” për investigimin e skandalit të privatizimit të shoqërisë shtetërore, ARMO.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka gënjyer publikisht vetëm tri javë më parë në emisionin e gazetarit Alfred Peza në Ora News, kur tha se kompania shtetërore, ARMO, iu shit një konsorciumi të huaj. Dokumentet që gazeta “TemA” nis të botojë sot dhe do të vazhdojë disa ditë, dëshmojnë qartë se blerësi i vetëm i ARMO-s është Rezart Taçi. Aksionerët e pretenduar si të huaj, “Texas Association” dhe “Mercuria”, janë tërhequr menjëherë nga kompania, para se ajo të bëjë pagesën dhe se dokumentacioni provon që ata nuk kanë bërë asnjë pagesë që ditën e parë që kanë hyrë formalisht në këtë garë. Duke qenë se një nga kushtet e blerjes së ARMO-s duhet të ishte blerësi strategjik, ikja e tij ende pa u bërë pagesa, është një kusht i mjaftueshëm për legjislacionin shqiptar që blerja të konsiderohej NUL dhe tenderi të anulohej.

Banka Credins është një bankë që po përdor lidhjet familjare me Sali Berishën për të konkurruar në tregun shqiptar. Kujtojmë se mbesa e gruas së tij, Elvana Hana, zotëron 40 për qind të aksioneve themeluese të grupit Credins dhe një përqindje më të vogël në bankën Credins. Kjo bankë nuk ka sqaruar ende zyrtarisht transaksionin e pagesës së 77 milionë eurove për llogari të këtij konsorciumi në Bankën Qendrore të Shqipërisë.

Gazeta “TemA” po boton sot dokumente që provojnë se, më 19 nëntor 2008, ky konsorcium po kërkonte kredi për të bërë pagesën nga një prej aksionerëve të tij, Rezart Taçi. Ne kemi kërkuar publikisht të na tregohet se si kanë mbërritur paratë në llogarinë e Rezart Taçit, a justifikohen këto pará me veprimtarinë e tij apo ka dërgesa të dyshimta nga jashtë, ose më e keqja e mundshme, por e besueshme, ndoshta këto pará mund t’i ketë paguar Credins.

Banka Credins vetëm në padinë ndaj gazetës “TemA” pranon që paratë kanë qenë në llogarinë e konsorciumit. Tanimë dyshimet tona bëhen më të besueshme dhe do të vazhdojmë të kërkojmë, jo vetëm përmes hetimit gjyqësor, por dhe përmes ndihmës që do t’i kërkojmë organeve zyrtare të hetimit në Shqipëri, të zbardhin këtë çështje.

Media nuk ka mekanizma hetimi më shumë sesa mekanizmat publikë në Shqipëri. Ne nuk kemi më shumë në dorë se sa t’i drejtohemi Artan Santos apo Ardian Fullanit të na thonë si është bërë pagesa. Ne nuk e kemi as fuqinë e Ina Ramës, as të gjykatave shqiptare që të kërkojmë dokumente dhe informacion të klasifikuar. Për të qenë transparentë, ata duhet t’iu përgjigjen kërkesave tona publike. Ata nuk e kanë bërë ende deri më sot. Ne ende deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Guvernatori Fullani dhe drejtori i Credins, Artan Santo, për dyshimet tona të bazuara te këto fakte skandaloze. Fullani ka qenë i zënë me një shtëpi që po ndërton pa leje në Golem, kurse ky Artan Santo, në vend që të bënte një letër me pesë rreshta e të sqaronte, ka humbur muaj të tërë duke na gjetur miq e duke na kërcënuar që ta ndalnim këtë hetim.

Ky hetim nuk do të ndalet. Askush nuk mund të na frikësojë me gjyqe dhe gjoba miliarderësh. Askush nuk mund të na kërcënojë në emër të pushtetit, edhe pse nuk kemi çfarë humbasim më shumë. Zoti Berisha e di mirë inventarin e pasurive tona, pasi një makinë private që kisha e “dogji shkëndija elektrike” dhe një shtypshkronjë e mbylli me policë. Zoti Santo është i lirë të shkojë ta marrë atje ku është dhe ta kthejë në pasuri të Rezart Taçit. Ne nuk do të tërhiqemi sot e tutje përditë duke kërkuar në faqe të parë të gazetës që banka Credins të sqarojë fije e për pe gjithë transaksionet e këtij operacioni të dyshimtë, i cili ka të bëjë me paratë e qytetarëve shqiptarë. ARMO ishte një pasuri publike e shqiptarëve dhe ata duhet të dinë si u grabit ajo. Banka Credins, nga ana tjetër, para se të jetë bankë e familjes Berisha, është banka ime dhe e qytetarëve shqiptarë që kanë depozituar aty paratë. Është banka ku na detyrojnë të paguajmë sa herë kemi punë me shtetin. Si e tillë ato pará janë dhe paratë e mia dhe të qytetarëve të tjerë shqiptarë. Artan Santo dhe Ardian Fullani do të përgjigjen deri në fund për çdo operacion, derisa të na bindin se ata, as nuk kanë pastruar pará, as nuk kanë mashtruar me transaksionin, as nuk kanë cenuar ligjet dhe rregulloret e Bankës Qendrore. Kur të na bindin për këtë përmes sqarimeve publike dhe transparente, ne do t’i falënderojmë për sqarimin dhe do të vazhdojmë punën tonë.

Kryeministri Berisha duhet të kontrollojë tashmë deklaratat e tij me dokumentet që po botojmë për të na mbushur dhe një herë mendjen se kush e ka blerë ARMO-n dhe si e ka paguar. E di që nuk mërzitet shumë nga ballafaqimi i gënjeshtrave të tij me të vërtetat, por shpresoj që qytetarët shqiptarë të dinë të gjykojnë për to.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›