E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet suplementare, vendimet dorëzohen në qeveri

26/11/2009  Propozohet zbatimi i rillogaritjes dhe kontributet e prapambetura

Ministria e Financave pritet të dorëzojë brenda muajit të ardhshëm projektvendimet që do të konkretizojnë ligjin mbi pensionet suplementare të ish-ushtarakëve. Burimet kanë bërë të ditur se do të jenë aktet nënligjore ato që do të vendosin rillogaritjen e pensioneve dhe masën e kontributeve që do të paguajë shteti për të liruarit nga reforma në ushtri, e nisur që prej vitit 1992. Gjithsesi, masa maksimale e përfitimit të pensionit do të jetë ajo e parashikuar në ligj dhe e llogaritur sipas eksperiencës për vite pune. Nga ana tjetër, ish-ushtarakët e dalë në pension të parakohshëm do të kenë të drejtë të kërkojnë pensionin e plotë sapo të mbushin moshën.

Vendimet, që mësohet se janë përfunduar prej ekspertëve, pritet të marrin firmën e ministrit përkatës. Ndërkohë që periudha e fundvitit në të cilën ndodhemi, pritet të mos lejojë nisjen e aplikimit të pensioneve të reja. Ndërsa fondet e parashikuara për ISSH-në pritet të kalojnë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, në rast se ato nuk do të përdoren për kategoritë e tjera të pensioneve suplementare, për të cilat nuk është parashikuar dalja me një vendim të posaçëm të qeverisë. Ekspertët sqarojnë gjithashtu se është historiku i gjatë i zhvillimeve në ushtri, ndarja me kategori të lirimit dhe situata të tjera të parashikuara në ligj që kërkon daljen me një vendim të posaçëm. Por pavarësisht se ligji është botuar në Fletoren Zyrtare prej disa muajsh, qeveria nuk ka vepruar me draftet e posaçme. Duket se kjo bëhet për të mos ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese apo dhe në rastin ekstrem kur Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë shfuqizimin e neneve të veçanta të ligjit, gjë që më pas do të kërkojë shfuqizimin e akteve nënligjore mbi pensionet suplementare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›