E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensioni suplementar, përfitojnë rreth 450 profesorë



Rreth 450 profesorë në vendin tonë do të përfitojnë pension suplementar, sipas një vendimi të posaçëm të qeverisë. Lajmi u bë i ditur dje në një konferencë për shtyp nga ministri i Arsimit, Fatos Beja, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj dhe kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kacani. “Nga vendimi i qeverisë do të përfitojnë të gjithë profesorët dhe profesorët e asociuar, si ata që kanë qenë në pension dhe ata që do të dalin në pension”, - tha ministri Beja, duke shpjeguar se në këtë drejtim është marrë në konsideratë kontributi i gjithsecilit dhe njëkohësisht dhe vjetërsia në marrjen e titullit profesor ose profesor i asociuar. Kjo përcaktohet për secilin në bazën e një koeficienti që është 1.3 për qind e pagës referuese të profesorit dhe 1.1 për qind e pagës referuese të profesorit të asociuar. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, u shpreh se kjo nismë është ndërmarrë për të vlerësuar më shumë punën e profesorëve. “Pensioni aktual për mendimin tim nuk ishte ai i duhuri. Ajo që është e rëndësishme është që rritja e pensionit është jo statike, por dinamike. Është një shtesë pensioni e konsiderueshme, shumë e kënaqshme për profesorët. Kjo edhe pasi ata do të mund të dalin në pension në moshën sipas Kodit të Punës. Kjo do të ndihmonte edhe në ndërrimin e kuadrove në universitete e institucione të tjera”. Sipas një llogaritjeje fillestare, pensioni i tyre do të shkojë deri në 48 mijë lekë të rinj.
Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kacani, vlerësoi se “qeveria ka bërë një hap mjaft pozitiv me këtë vendim që vlerëson punën dhe figurën e profesorëve, një punë jo vetëm si kontribut individual, por për gjithë shoqërinë shqiptare”.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›