E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politekniku, zbardhen 1335 kuotat dhe tarifat për pranimet e reja



Jonida Tashi

Universiteti Politeknik i Tiranës do të hapë dyert për mbi 1300 studentë të rinj gjatë vitit akademik 2009-2010. Sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Politeknikut, studimet me kohë të plotë, gjatë vitit të ri akademik, pranë gjashtë fakulteteve të këtij universiteti, do të kenë të drejtë t’i ndjekin vetëm 1335 studentë. Inxhinieria e Ndërtimit dhe ajo Mekanike renditen të parat në listë për numrin e kuotave të pranimit, me nga 150 studentë në secilën prej tyre. Fill pas tyre vjen një tjetër degë e preferuar nga të rinjtë për studimet e larta, që është ajo e Arkitekturës, me 100 kuota pranimi. Ndërsa për degët e tjera të fakulteteve të Politeknikut është propozuar një numër i vogël kuotash pranimi, që varion nga 30-80 studentë për degë.
Kuotat
Aktualisht kuotat e propozuara për pranimet e reja të studentëve janë depozituar për miratim në Ministrinë e Arsimit. Kuotat e pranimeve janë propozuar pas rishikimit të kapaciteteve nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse, është Ministria e Arsimit ajo që do të marrë përsipër miratimin e këtyre kuotave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre. Përveç kuotave, drejtuesit e Universitetit Politeknik kanë propozuar edhe tarifat e studimit për vitin e ardhshëm akademik. Krahasuar me tarifat e vitit të kaluar, pagesa e sivjetshme për studentët nuk ka pësuar asnjë rritje. Si gjithmonë, më shtrenjtë studimet në Universitetin Politeknik do të jenë për degën e Arkitekturës, për të cilën tarifa e propozuar është 30 mijë lekë, pagesë kjo e njëjta me atë të vjetshmen. Ndërsa pagesa e shkollimit për degët e tjera të fakulteteve të Politeknikut variojnë nga 15-20 mijë lekë.
Mesatarja
Universiteti Politeknik i Tiranës ka vendosur si kriter për pranimet e reja të studentëve mesataren mbi notën 6. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, i cili shprehet se për pranimet e reja të studentëve do të respektohet nota mesatare e kandidatëve. Kjo do të thotë se maturantët që mesataren e lëndëve të formimit bazë e kanë më pak se nota 6 nuk do të kenë të drejtë të ndjekin studimet në një nga degët e Universitetit Politeknik në Tiranë. Gjithashtu, drejtuesi i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, sqaron se këtë vit, në këtë universitet, do të pranohen vetëm studentët që kanë fituar pikët e mundshme për të ndjekur studimet e larta në një nga degët që ofron Universiteti Politeknik, por që kanë edhe mesataren e lëndëve të formimit bazë mbi 6. Shkak për vendosjen e mesatares mbi 6 si kriter pranimi janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri për degën që do të studionin. Kjo edhe për faktin se në disa degë të fakulteteve të Universitetit Politeknik ndjekin studimet studentë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtën për të studiuar në një degë tjetër. Deri tani nuk dihet ende nëse edhe universitete të tjera të vendit do të vendosin mesataren si kriter pranimi për të ndjekur studimet e larta.

Universiteti Politeknik i Tiranës Kuota Tarifa
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
Inxhinieri Ndërtimi 150 25 000
Inxhinieri Mjedisi 50 15 000
Inxhinieri Hidroteknik 80 15 000
Inxhinieri Gjeodezi 60 15 000
Arkitekturë 100 30 000
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit
Inxhinieri Elektronike 30 20 000
Inxhinieri e Telekomunikacioneve 30 20 000
Inxhinieri Informatike 30 20 000
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Mekanike 150 15 000
Inxhinieri Materiale 60 15 000
Inxhinieri Tekstili dhe Modë 60 15 000
Fakulteti i Gjeologji-Miniera
Inxhinieri Gjeologjike-Shkencat e Tokës 60 15 000
Inxhinieri e Gjeoburimeve 70 15 000
Inxhinieri Gjeoinformatikë 50 15 000
Fakulteti i Formimit të Përgjithshëm
Inxhinieri Matematike 60 15 000
Inxhinieri Fizike 60 15 000
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike
Inxhinieri Elektrike Energjetikë 60 20 000
Inxhinieri Elekt.Automatizim i Industrisë 60 20 000
Pranë Universitetit Politeknik
Inxhinieri Mekatronikë 60 20 000

Kuotat e pranimit për studentët jashtë trojeve shqiptare

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit Kuotat
Inxhinieri Elektronike 5
Inxhinieri e Telekomunikacioneve 5
Inxhinieri Informatike 5
Fakulteti i Formimit të Përgjithshëm
Inxhinieri Matematike 5
Inxhinieri Fizike 5
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Mekanike 10
Inxhinieri Materiale 10
Inxhinieri Tekstili dhe Modë 10

Kuotat për studimet me kohë të pjesshme
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Logjistikë Prodhimi 40

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›