Ish-koordinatori i Paktit, Busek: “I gjithë Ballkani, në bllok në BE”
Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të anëtarësohen në bllok në Bashkimin Europian. Ky është mendimi i ish-koordinatorit special të Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, i njohur edhe si një ndër lobuesit e integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Duke iu përgjigjur pyetjes së agjencisë “Euroactiv”: “Ju keni kontakte të mira personale me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar. Na tregoni sekretin: A janë duke aplikuar për anëtarësim në BE në ditën në vijim?”, ish-koordinatori dha këtë përgjigje: “Ata janë duke e diskutuar këtë”. “Gjithashtu, kjo lidhet edhe me çështjet e tyre të brendshme politike, sepse kjo mund të ketë ndikim në drejtim të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare (në Shqipëri)”, - tha dje zoti Busek në intervistën për “Euroactiv”. “Opinioni im personal është që pas Kroacisë atje mund të jetë një bllok vendesh për t’u anëtarësuar”, - vijoi ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit. Eksperti i çështjeve rajonale e motivon këtë për shkak të rrezikut real që ekziston: “Ne duhet të mësojmë nga eksperienca e Sllovenisë dhe Kroacisë, ku njëri shtet bllokon procesin e integrimit të shtetit tjetër për shkak të problemeve dypalëshe që ekzistojnë mes tyre”, - tha Busek. Ai e konsideroi një non-sens real, duke thënë se është më mirë që të gjitha vendet të hyjnë bashkërisht në BE. Busek njihet si një nga mbështetësit e integrimit të shpejtë të Ballkanit në BE. Ai komentoi faktin se edhe vendi i tij, Austria, është e gatshme për një gjë të tillë, duke përjashtuar vetëm Turqinë. Ish-zëvendëskancelari austriak ka komentuar në intervistën e dhënë për agjencinë europiane edhe sfidat që ka BE-ja tani; si miratimi i Traktatit të Lisbonës, kriza ekonomike dhe çështjet e emigracionit. Erhard Busek ka qenë për 7 vjet në krye të Paktit të Stabilitetit, nisma e krijuar në vitin 1999 për integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit. Ai gjithashtu është një nga lobuesit zyrtarë të Maqedonisë për integrimin e saj në Bashkimin Europian.
Albert Gjoka
REAGIMET
1- Ambasadori Uillson: “Shqipëria do të aplikojë, por nuk do të marrë përgjigje shpejt”
“Mendoj se është e rëndësishme që Presidenca të jetë gati kur të jetë koha e duhur dhe aplikanti të jetë gati në kohën e duhur”, - deklaroi për gazetën “Albania” disa ditë më parë ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Freisër Uillson (Fraser Wilson), duke komentuar paraqitjen e kërkesës për anëtarësim gjatë presidencën çeke nga Tirana zyrtare. Ai u shpreh se “duket pothuajse shumë qartë se Shqipëria do të kandidojë gjatë presidencës çeke. Por, ka shumë mundësi që të mos marrë përgjigje për një farë kohe pas aplikimit. Është e rëndësishme që Shqipëria të mos ndiejë se po trajtohet ndryshe nga të tjerët, sepse ajo do të trajtohet në të njëjtën mënyrë si dhe vendet e tjera. “Por, vlerësimi do të bëhet në mënyrë të tillë që një vend që aplikon është gati për këtë status, apo jo. Sepse është bërë e qartë që kushtet janë shumë-shumë strike”, - tha Uillson.
2- Borchardt: “Kaloni krizën, pastaj aplikoni për në BE”
Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, ka këshilluar sërish qeverinë shqiptare të mos nxitojë me aplikimin në Bashkimin Europian. Sipas diplomatit gjerman, vendet e Ballkanit duhet të kalojnë njëherë me sukses krizën ekonomike që ka përfshirë botën dhe më pas të ndërmarrin hapa drejt integrimit. Borchardt tha se kriza ekonomike do të vazhdojë të mbetet pengesë për anëtarësimin për sa kohë nuk kalohet.
“Ne për momentin nuk i sugjerojmë qeverisë shqiptare hapa të mëtejshëm, ky është një qëndrim që ne e mbajmë kundrejt të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, kjo për shkak sepse është e vështirë edhe për t’u shpjeguar qytetarëve të BE-së pranimin e shteteve të reja, pasi ne jemi në një krizë botërore. Ne rekomandojmë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë një aplikim për anëtarësim në BE, pasi perspektivat të jenë më pozitive”, - tha Borchardt.
18 Prill 2009