Komiteti i Helsinkit, inspektim burgjeve për të drejtat e njeriut
Promovimi i të drejtave të personave të privuar nga liria në Shqipëri është qëllimi i një projekti që nisi të zbatohet dje nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Agjencia Holandeze e Institucioneve të Korrektimit (AHIK), me financim të Komisionit Europian në Tiranë. Burime zyrtare nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit bënë të ditur dje se projekti: "Së bashku për një respektim më të mirë të të drejtave të personave të privuar nga liria" synon të promovojë të drejtat e këtyre personave dhe të grupeve në nevojë në veçanti, duke advokuar për rritjen e ndërgjegjësimit dhe profesionalizmin e strukturave të Policisë së Shtetit si dhe personelit të institucioneve penitenciare. Kjo nismë do të përqendrohet në përmirësimin e zbatimit të ligjit nga ana e punonjësve të institucioneve shtetërore si komisariateve të policisë, të paraburgimit dhe burgjeve, për një respektim dhe trajtim me të mirë të personave në kontakt me to. Gjithashtu ajo do të rrisë ndërgjegjësimin dhe njohjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e ligjit nga punonjësit e policisë dhe institucionet penale në trajtimin e personave në kontakt me këto institucione si dhe të japë ndihmesë psikologëve dhe punonjësve të kujdesit social për bërë të mundur ofrimin e një trajtimi të veçantë për personat e privuar nga liria, me fokus të veçantë në grupet në nevojë në institucionet e paraburgimit dhe burgjet.
18 Prill 2009