E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të riut për kontrabandë cigaresh



Pogradec- Një i ri ka rëndë dje në prangat e policisë për veprën penale të tregtimit të mallrave kontrabandë. Policia e Elbasanit bëri të ditur se 28-vjeçari, Besnik Shuli, me banim në Pogradec, u arrestua mbrëmë vonë, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në mjetin e tij tip "Volswagen" me targë PG 181 A, në unazën e qytetit të Elbasanit, u kap duke transportuar mall kontrabandë.
Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 40 minikoli me 2 mijë paketa cigare të markës “Marlboro” të bardhë pa pullë fiskale, me vlerë 400 000 lekë, të cilat kishin si destinacion Tiranën. Aktualisht Shuli ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit në pritje të hetimit për veprën penale "tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë".

Dy të rinj dhunojnë fizikisht myftiun

Pukë - Myftiu i Pukës ka mbetur i plagosur si pasojë e një grindjeje me dy shtetas. Zëdhënësja e shtypit e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, Fatbardha Çelepia, bëri të ditur se myftiu Gëzim Kopani u dëmtua fizikisht pas një konflikti personal midis shtetasve Ylber Smakaj, 31 vjeç, banues në Fushë-Arrës dhe Ermal Prengaj, 19 vjeç, banues në Tropojë. Nga të njëjtat burime mësohet se ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes së të enjtes dhe kishte si shkak një konflikt për motive të dobëta, që nuk ka të bëjë me detyrën e Kopanit në krye të komunitetit mysliman të qytetit të Pukës. Sipas saj, shtetasi Gëzim Kopani ka bërë kallëzim penal në polici, ndërsa forcat e Policisë së Pukës janë në kërkim të shtetasve Smakaj dhe Prengaj. Materialet në ngarkim të dy shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë për veprën penale të fyerjes dhe goditjes së një personi tjetër.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›