E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët 5 mijë lekë, administrata dyfishin

11/12/2008  Shpërblimet e Vitit të Ri

Pensionistët në qytet dhe në fshat do të marrin një shpërblim prej 5 mijë lekësh me rastin e Vitit të Ri. Ky është vendimi i marrë nga qeveria, në të cilin gjithashtu përcaktohet edhe masa e shpërblimit prej 10 mijë lekësh deri në një pagë të plotë shpërblim për punonjësit e administratës shtetërore. Në këtë mënyrë edhe gjatë këtij fundviti qeveria ka respektuar traditën e dhënies së shpërblimeve jo vetëm për moshat e treta, por edhe për punonjësit buxhetorë.

Deklarata

Duke e cilësuar vendimin si kartolinën e qeverisë për festën e fundvitit, Kryeministri Sali Berisha tha se nga ky vendim përfitojnë rreth 800 mijë familje shqiptare, punonjës të administratës, institucioneve publike dhe pensionistëve të të gjitha kategorive, në qytet dhe fshat. “Ne ndërmarrim këtë akt tradicional për këtë qeveri si një vullnet për t’u uruar Vitin e Ri qytetarëve të vendit jo vetëm me fjalë, por edhe me një shpërblim në fund të vitit, me të cilin bëhet i paqenë inflacioni, që ishte në nivelet më të ulëta prej 2.6 për qind. Në këtë mënyrë ata lehtësohen dhe kursimet e tyre nuk preken shumë për të festuar Vitin e Ri”, - tha Berisha. Ai theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë nuk përfshihet në rritjen e njoftuar të pensioneve më 1 maj. Sipas Berishës, pensionistët në mbarë vendin do të marrin një shumë prej 5 mijë lekë, kudo që ndodhen dhe të të gjitha kategorive. “Kjo shumë nuk llogaritet në rritjen e premtuar të pensioneve. Rritja e pensioneve më datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet. Ndaj dhe shpërndarja e lajmeve nga ‘zyrat e dëshpërimit’ se nuk ka lekë për rritjen e pensioneve më lejoni t’i siguroj 520 mijë pensionistët shqiptarë se lekët ekzistojnë dhe pensionet më 1 maj për 170 mijë pensionistë në fshat do të kapin dyfishimin e tyre dhe për 260 mijë pensionistë në qytet pensionet rriten nga 40 deri në 70 për qind në 4 vjet, duke tejkaluar në këtë mënyrë të gjitha premtimet tona , që për pensionet në qytet ka qenë pensione jo më të vogla se 100 dollarë”, - tha Berisha.

Administrata

Duke u ndalur në pjesën e shpërblimit për administratën shtetërore, Berisha u shpreh se si rezultat i miradministrimit në fondin pagave shpërblimi do të jetë nga 10 mijë deri në një pagë. “Qeveria këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës, dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta”, - tha ai. Sipas Berishës, nëse nga miradministrimi kanë tepruar në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë dhe me këtë kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë. “Shpresoj që me miradministrimin e fondit të pagave që është bërë të shpërblejmë me një pagë të veçantë në radhë të parë ata që janë më në nevojë, me paga të ulëta dhe ata që kanë më shumë fëmijë”, - u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, parimet mbi të cilat mbështetet ky vendim janë qeveria e shërbimit dhe shërbesave. “Ky është një qëllim konstant i qeverisë dhe nuk ka të bëjë me asnjë qëllim tjetër përveç shërbimit dhe shërbesave dhe zemrës së dhembshur, parime nga të cilat ne nuk tërhiqemi për sa kohë do të jemi në pushtet, për sa kohë do të na votojnë qytetarët, për sa kohë të na besojnë të rinjtë, të rejat, gratë, burrat, të moshuarit e këtij vendi”, - tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›