E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sugjeron dialog mes PS-LSI

11/12/2008  Kreu i qeverisë vlerëson se konsensusi mes të majtëve shton garancinë e procesit

Meta shtrin dorën e bashkëpunimit për Kodin Zgjedhor. Rama hesht

Kodi Zgjedhor është bërë tashmë molla e sherrit për partitë e spektrit të majtë. Debati, i cili u duk se u mbyll me miratimin në Kuvend, u rihap sërish me rikthimin e tij nga ana e Presidentit. Po nëse më parë partitë e vogla bënin përgjegjëse dy partitë e mëdha për hartimin e një kodi antikushtetues, tashmë akuzat dhe kritikat janë fokusuar vetëm te Partia Socialiste. Kjo pasi mazhoranca, më saktë Partia Demokratike, ka preferuar shtyrjen e miratimit në Kuvend të Kodit Zgjedhor, me qëllim që mes PS-së dhe LSI-së të gjendet gjuha e përbashkët lidhur me kontestimet që vijnë nga kjo e fundit për administrimin e zgjedhjeve. Tashmë në pozitat e një spektatori, e djathta ndjek nga jashtë zhvillimet brenda kampit të majtë. Ndërkohë aktualisht mes këtyre dy partive nuk mund të pritet një diskutim mbi çështje të ligjit elektoral. Më së shumti, vihen re deklarata nga selia e LSI-së, që konsistojnë në një bashkëpunim për të zgjidhur ato çështje të Kodit që cenojnë standardet e zgjedhjeve.

Marrëdhëniet PS-LSI

Partia Socialiste është e vendosur që të mos hyjë në diskutime me Lëvizjen Socialiste për Integrim për Kodin Zgjedhor. Burime pranë kësaj partie konfirmojnë se nuk do të ketë asnjë diskutim mes PS-së dhe LSI-së për ndryshime në Kod. Ndërkohë LSI-ja, nga ana e saj, nuk heq dorë nga kërkesa për rishqyrtim të atyre neneve të Kodit Elektoral që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor. Duke përfituar nga rikthimi në Kuvend i Kodit nga kreu i shtetit, LSI-ja i shtriu dorën e bashkëpunimit PS-së për t’u ulur në tryezë, ftesë që u refuzua dhe që nuk pritet të merret në konsideratë nga lidershipi i kësaj partie. Kjo do të thotë se socialistët e konsiderojnë të mbyllur këtë çështje dhe presin vetëm miratimin në Kuvend të dispozitës kalimtare, përmes së cilës do t’i jepet përgjigje dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor.

Vendimi i së djathtës

Ishte Kryeministri Sali Berisha që bëri me dije lidhur me vendimin e së djathtës për shtyrjen e miratimit në Kuvend të Kodit. Sipas tij, një vendim i tillë nuk lidhet me shtyrjen e zgjedhjeve, por është një mundësi që i jepet PS-së dhe LSI-së për të gjetur zgjidhje mbi përplasjet që ekzistojnë për ligjin elektoral.

Për mua, nëse komisioneri ishte i Gjinushit, i Ilir Metës apo i zotit Milo, apo i tjetërkujt, kjo nuk përbën ndonjë dallim të madh, përkundrazi, mbajta përbaltjen e grevës së urisë. Uroj që të ketë një dialog dhe të bëhet zgjidhja më e mirë. Nuk është e vërtetë se, nëse jepet koha e nevojshme për dialog, do të dëmtohet procesi, përkundrazi, procesi merr edhe garanci shtesë për këtë diskutim”, - u shpreh kreu i ekzekutivit lidhur me këtë çështje. Duke sqaruar pozicionin e tij në këtë situatë, Kryeministri Berisha nënvizoi se “unë jam neutral në këtë mes. Uroj që ata të gjejnë një mirëkuptim, unë nuk përzihem”.

Kodi Zgjedhor

LSI kërkon konsensus

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka reshtur së ndërgjegjësuari opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, lidhur me problemet që sjell Kodi i ri Zgjedhor për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Për këtë arsye, me rikthimin e këtij kodi në Kuvend nga presidenti, Bamir Topi, lidershipi i kësaj partie vijoi më tej me përpjekjet e tij për të bërë të mundur realizimin e kërkesës për rishqyrtimin të neneve që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor. Kështu, fillimisht, kreu Meta i dërgoi në mënyrë zyrtare një letër kryetarit të PS-së, Edi Rama ku duke përfituar nga rikthimi i kodit në Kuvend i kërkoi një takim për të diskutuar mbi ligjin elektoral. Po kështu, kryeparlamentares Topalli LSI i kërkoi, po për këtë çështje, mendimin e ekspertëve ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›