E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani reagon për Ditën e pensionistëve

Nga Tema

Antena brenda familjes

Dje ishte Dita e të moshuarve. Kryeministri Berisha do të shkonte te shtëpitë e pleqve për t’i përshëndetur dhe për të treguar angazhimet e mbajtura të qeverisë për moshën e tretë. Flamuri, i cili bën gati skenën në këto raste, nuk kishte punë, pasi kryeministri do të shkonte sa për t’i përshëndetur. I vetmi që i duhej në punë, ishte Bogdani.

- Gerti, ti duhet të rrish gati sot. Ata mund të shkojnë pas nesh në takime me pensionistët dhe duhet me iu përgjigj.

- Dakord, doktor, gati jam, ç’t’u them?

- Jo, prit tani, se akoma s’kanë shku, por, nëse shkojnë, e duan një përgjigje.

Dy orë më pas ngjarja ndodhi. Edi Rama takoi pensionistët dhe akuzoi kryeministrin se nuk ka mbajtur premtimet për moshën e tretë. Kaq mjaftoi që kryeministri të fillonte të lexonte deklaratën.

- Shkruaj Gerti, - tha. - Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës, i cili ka braktis prindërit e tij në moshë të re dhe që ka fyer veteranët e luftës, u kujtua dje për hallet e tyre. Qeveria jonë, si qeveri e shërbesave dhe shërbimeve, ka rritur pensionet dhe ka shtuar kujdesin për moshën e tretë. Por ne do të kujdesemi së shpejti dhe për kryetarin me korrespodencë të Bashkisë së Tiranës, që do të dalë në pension në zgjedhjet që vijnë.

- OK, e mbajta shënim. Ta shpërndaj?

- Shpërndaje menjëherë. Prit pak. Nëse shkon dhe ai Veliaj t’i takojë, thuaji një fjali dhe atij. I thuaj, ti që ke marrë kompjuterin nga zyra e financave, nuk mund t’u qash hallin pensionistëve, se me ato shifra që ka pas në kompjuter, do kishe bërë një shtëpi pleqsh...

- OK, e mbajta dhe këtë shënim. Po e shpërndaj.

Duke e bërë gati për ta shpërndarë, Bogdani po vihej në siklet, pasi i dukej shumë deklaratë qesharake. Ishte në mëdyshje se si ta shpërndante. Mori Flamurin në telefon.

- Kam një hall, - tha. - Si i bëhet kur do të ndash ndonjë deklaratë që ia fut kot ai burri, se më vjen zor, se më tallin gazetarët?

- Ta them unë, - i tha Flamuri. - Merr një e-mail, hidh kot gjithë adresat e gazetarëve dhe çoja një kopje vetëm adresës së atij burrit. Pastaj çoji dhe një kopje RD që ta botojë dhe TV “Klanit” të hapë lajmet. Të tjerëve mos u nis, që të jesh në rregull. Po e panë vetëm këtu, e dinë që e ka bërë ai burri dhe nuk tallen me ty.

- Rrofsh! - i tha Gerti. - Se tallen gjithë dynjaja me mua. S’di dhe ç’t’iu them. Se u thosha që më duhet sa të bëhem deputet, por më duket se as në listë nuk më fut, se jam te minibashkia.

- Hajt mos u mërzit, se do ta zgjidhim atë punë. Po shikojmë një variant për të dy ju, dhe për ty, dhe për Ed Ramën. Si ta zgjidhim për atë, e zgjidhim dhe për ty.

- Faleminderit, - i tha Bogdani. - Ia keni thënë Edit këtë apo t’ia bëj unë surprizë?

- Jo, jo se ia thotë vetë ai burri, - tha Flamuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›