E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipokrizia e ish-dëshmitarëve të gjyqeve politike

Nga Ernest Tushe

Evropa kërkon me ngulm që të dënohen krimet e komunizmit në Shqipëri, si dhe të hapen dosjet e ish-spiunëve dhe ish-dëshmitarëve të gjyqeve politike gjatë diktaturës komuniste, por, siç duket, shumë personave në politikë dhe në media kjo gjë nuk iu pëlqen. Ata vazhdojnë të promovojnë në faqet e gazetave dhe revistave të tyre personazhe tashmë të denoncuar publikisht si ish-spiunë dhe dëshmitarë të rremë. Dhe ironia, ish-dëshmitarja në gjyqin tim sot mburret (në një intervistë) me ato gjëra, për të cilat më ka akuzuar direkt në zyrat e hetuesisë speciale të burgut 313 të Tiranës në vitin 1980. Përpara kriminelit dhe njërit prej rrugaçëve më të mëdhenj të kohës, Dhimitër Shkodranit, ajo deklaronte se “Ernesti shpeshherë më sillte revista të modës së huaj, të cilat i merrte në ambasadën italiane dhe më bënte agjitacion dhe propagandë për veshjet”. Ndërsa në revistën “Jeta”, Adriana Kovaçi (Civici) pretendon se “jam rritur duke shfletuar revista të huaja”.

Kjo pafytyrësi e personazheve të tilla, zonja në fjalë nuk është e vetmja që nuk shfaq asnjë shenjë pendese, tregon edhe një herë domosdoshmërinë e aprovimit të një ligji të plotë dhe pa ekuivoke për përjashtimin përgjithmonë nga jeta politike dhe publike të personave të tillë negativë, të cilët në çdo moment janë duke prishur imazhin e asaj Shqipërie që ne kemi ëndërruar dhe që luftojmë ta çojmë në parametrat e Evropës së Bashkuar, atë Evropë që kemi ëndërruar që kur ishim të vegjël, por që tipa si Kovaçi (Civici) & Co, na penguan jo vetëm atëherë, por edhe sot.

Është e pafalshme që LSI, një parti e cila pretendon që përfaqëson të renë dhe zhvillimin, vazhdon të mbajë në gjirin e vet personazhe të tilla, edhe pasi janë denoncuar në media. Ilir Meta, Adriana Kovaçi (Civici) & Co mund të shpifin sa të duan për arritjet e qeverisjes së djathtë, por duhet ta dinë mirë se askush dhe asnjëherë ata nuk do të jenë të besueshëm, derisa në radhët e tyre do të mbajnë armiqtë e mendimit perëndimor në Shqipëri.

Të kuptohemi, nuk kam aspak urrejtje, pavarësisht vuajtjeve personale direkt nga veprimtaria e saj. Për të ushqej po atë lloj përbuzjeje që kam edhe për “homologët” e saj të tipit Fehmi Abdiu, Skënder Breca, Diana Çuli, Fatmira Laskaj e shokët e tyre të partisë dhe të idealeve komuniste.

Parlamenti i Shqipërisë ka vendosur që në datën 9 tetor do të çojë për miratim ligjin për hapjen e dosjeve. Edhe pse e majta ka deklaruar, edhe në shtypin e sotëm, se nuk do ta votojë këtë ligj, dhe kuptohet arsyeja, e djathta shqiptare duhet ta votojë për t’u shkëputur përfundimisht nga e kaluara e errët komuniste. Vetëm atëherë martirët e demokracisë shqiptare dhe ata mijëra të tjerë, të cilët vuajtën nën regjimin diktatorial, do të çlirohen ndoshta sadopak nga brenga dhe dhimbjet që i kanë mbajtur mbi kurriz për dekada të tëra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›