Pensionistët, autorizimi për tërheqjen e pensionit nga një i tretë
Anilejda Shëmbitraku
Pensionistët, të cilët tërheqin pagën mujore të pensionit nëpër banka, ndjehen të lodhur pasi një herë në gjashtë muaj u duhet të vetëdeklarohen se jetojnë ende. Nëse nuk e kryejnë këtë veprim, u mbahet pagesa e pensionit. Një rregull i tillë ka ekzistuar pak kohë më parë për të gjithë pensionistët që kishin mbushur 80 vjeç. Mosdorëzimi i dokumentit që pensionisti jeton ka shkaktuar sorollatje të tyre. I pyetur në lidhje me këtë çështje, Ali Emini, nëndrejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deklaroi: “Në rastin kur një pensionist shkon dhe e merr pensionin vetë, nuk ka nevojë që ta marrë këtë dokument. Ne marrim edhe shqetësimin nëse është paguar rregullisht pensioni, por nuk është e nevojshme që të merret një certifikatë për të vërtetuar që është gjallë".
Sqarimi
Në ISSH sqarojnë se ky mund të jetë një keqkuptim i punonjësve të bankave, pasi në bazë të marrëveshjes kërkohet certifikatë familjare vetëm në rastet kur pensionisti ka autorizuar dikë tjetër për të tërhequr pagesën, si në rastet kur është i sëmurë apo jeton jashtë vendit. Sipas zotit Emini, Instituti i Sigurimeve Shoqërore u mundëson pensionistëve të tërheqin pagesën mujore në bankë, në të njëjtin numër llogarie që ka pasur kur ishte i punësuar, me poste apo dhe në arkat e sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar dhe rastet e abuzimeve ku familjari ka vazhduar të tërheqë pensionin edhe pas vdekjes së pensionistit, raste këto që më pas janë ndëshkuar.
Marrëveshja
Për të gjithë pensionistët që tërheqin pensionin në Postën Shqiptare ekziston një akt-marrëveshje nr. 1261 Prot. (ISSH), Nr. 2823 Prot. (Posta) dt.08.08.2003 e lidhur mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Postës sha, Shqiptarë me objekt “Për pagimin e përfitimeve nga Sigurimet Shoqërore”. Konkretisht, në përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje, në paragrafin III, është parashikuar se: 1. Kur pensionisti nuk ka mundësi të paraqitet në zyrën postare të Postës sha për të tërhequr pensionin, pensionistit i dërgohet pensioni në shtëpi, sipas rregullave të caktuara nga Posta Shqiptare. Pensionisti ka të drejtë të autorizojë një person tjetër me prokurë, në bazë të neneve 72 dhe 73 të Kodit Civil. Personi i autorizuar me prokurë për tërheqjen e pensionit paraqet në qendrat e pagesës këto dokumente: Librezën e pensionit të pensionistit; prokurën e përfaqësimit; certifikatën me fotografi të personit të autorizuar për tërheqjen e pensionit. (Prokura e përfaqësimit dhe certifikata me fotografi mbahen nga qendra paguese).
Mblidhet Këshillit Kombëtar i Barazisë Gjinore
Ksera: “Ministria e Punës ka ndërmarrë masa për zbatimin e Rekomandimeve të Komitetit të CEDAW”
Në takimin e radhës së Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, të thirrur nga ministri i Punës, Spiro Ksera, që është edhe kryetar i këtij këshilli, u diskutua lidhur me rekomandimet e Komitetit “Për eliminimin e diskriminimit ndaj grave”, dhënë për qeverinë shqiptare pas paraqitjes së Raportit të 3-të në Nju Jork, më 26 korrik 2010. Vlerësoj se këto rekomandime dhe angazhimet tona duhet të diskutohen paraprakisht në këtë mbledhje, për t`u përhapur më gjerë në të gjitha nivelet. Sipas ministrit Ksera, “diskutimi i rekomandimeve pikërisht në një nga ditët e fushatës së aktivizimit kundër dhunës ndaj grave bëhet më kuptimplotë”. Shqipëria aderon në Konventën “Për eliminimin e diskriminimit ndaj grave” që në vitin 1993. Konventa, që konsiderohet edhe si Kushtetuta e grave në mbarë botën, është bërë pjesë e sistemit ligjor kombëtar dhe ka shërbyer si bazë në hartimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e barazisë gjinore dhe dhunës në familje. Pas paraqitjes dhe mbrojtjes së Raportit të qeverisë shqiptare dhe debatit interaktiv me 23 ekspertët e Komitetit më 30 korrik 2010, u dhanë konkluzionet dhe rekomandimet për Shqipërinë, të cilat duhet të përmbushen nga institucionet dhe aktorët brenda 4 viteve, kohë kur do të paraqitet raporti i katërt.
MASAT
1- Përkthimi dhe botimi i rekomandimeve - mbështetur nga UNIFEM.
2- U është kërkuar institucioneve më të larta të shtetit: Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit, mbështetje dhe angazhim personal për zbatimin e rekomandimeve dhe iniciativave ligjore që duhet të ndërmerren në 4 vitet e ardhshme për përmirësimin e statusit të grave.
3- Bashkë me dërgimin e rekomandimeve u është kërkuar të gjitha ministrive të linjës që, sipas specifikës, të hartojnë plane konkrete veprimi për t’i përfshirë në programet e punës së tyre për 4 vitet e ardhshme.
4- U është kërkuar organeve të Gjyqësorit të njohin dhe respektojnë në dhënien e vendimeve gjyqësore Konventën CEDAW, si dhe legjislacionin për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje.
5- U është kërkuar të gjitha institucioneve të marrin masa për respektimin e kuotës 30% për përfaqësimin e grave në organet ekzekutive, gjyqësore e jetën publike.
6- Rekomandimet janë përfshirë edhe në draft-planin e ri të veprimit për Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje për vitet 2011-2015, e cila është në proces.
Konferenca e fondit të arsimit për romët
Edukimi i romëve mbledh përfaqësues të qeverisë, pushtetit vendor, donatorëve dhe shoqatat rome
Në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta u zhvillua Konferenca e Fondit të Arsimit për Romët, në të cilin u prezantuan arritjet dhe sfidat në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit të Dekadës për Përfshirjen e Romëve. Në Konferencë morën pjesë zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra, zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, përfaqësues të donatorëve, të organizatave të romëve etj. Zv.ministrja Kodra vuri në dukje punën që po bëhet nga institucionet për integrimin e komunitetit rom dhe sfidat për të ardhmen. Me anëtarësimin në Dekadën e Përfshirjes së Romëve në 2008, MPÇSSHB u ngarkua nga kryeministri me përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e deklaratës “Dekada e përfshirjes së romëve”. Ky plan veprimi u aprovua në tetor 2010 dhe përfshin periudhën janar 2010-dhjetor 2015. Fokusi i politikave të institucioneve është përqendruar në uljen e fëmijëve braktisës së shkollës, veçanërisht atyre që u përkasin komunitetit rom. Në projektin “Shansi i dytë”, i cili ka si qëllim integrimin e fëmijëve braktisës dhe rikthimin e tyre në procesin e detyruar mësimor, janë ngritur 62 klasa në 992 shkolla, ku përfitues janë 513 fëmijë, nga këta 310 janë fëmijë Rom. Për të siguruar ecurinë e tyre normale në drejtim të nivelit arsimor MASH ka mundësuar ofrimin e mësimdhënies në lëndë të ndryshme gjatë orëve të lira në të cilat numri i fëmijëve Rom që marrin pjesë është 2598. Drejtoritë Arsimore Rajonale janë angazhuar dhe kanë realizuar 103 fushata ndërgjegjësimi dhe këshillimi për prindërit romë, aktivitete të cilat u zbatuan nga 294 mësues të trajnuar për këtë qëllim.
10 Dhjetor 2010