E Diel, 1 Nëntor 2026

Statistikat, një në tri gra dhunohet në Shqipëri



Lizeta Duro
Një në tri gra dhunohet në Shqipëri, çka do të thotë se këtë vit janë mbi 600 mijë të tilla që kanë denoncuar dhunën. Këto ishin statistikat që u bënë publike në Konferencën kombëtare të organizuar nga Ministria e Punës dhe mbështetur nga PNUD-i, mbajtur me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Keqtrajtimi i grave është një nga krimet më të zakonshme dhe më pak të denoncuara në vend. Keqtrajtimi ushtrohet kundër grave të çdo moshe, race, klase dhe kombësie. Atë e ushtrojnë bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit. Keqtrajtimi merr forma të shumta dhe përfshin një numër sjelljesh kërcënuese dhe të dëmshme. Ai mund të marrë formën e keqpërdorimit emocional dhe me fjalë, ku kërcënimi për ushtrim dhune është i drejtpërdrejtë ose i fshehtë. Në këtë konferencë, zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra, prezantoi Mekanizmin Kombëtar të Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje, i cili do të ngihet dhe funksionojë, për herë të parë, në të gjithë vendin, pranë njësive vendore. Mekanizmi do të përbëhet nga një grup ekspertësh të të gjitha fushave dhe do të garantojë siguri për viktimat duke reaguar menjëherë në rastet e identifikuara.

Kryeministri

I Pranishëm në këtë konferencë, kryeministri Berisha e konsideroi dhunën ndaj grave një nga problemet themelore në kohët e sotme. Kryeministri shprehu angazhimin e vet për të bërë ndërhyrjet e nevojshme ligjore në mënyrë që shkaktarët e krimeve në familje të dënohen maksimalisht duke i cilësuar si të shëmtuara aktet e dhunës ndaj gruas, ndërsa siguroi se do të merren masa ekstreme në ndëshkimin e personave që ushtrojnë dhunë. “Kjo konferencë mblidhet për një problem akut, që është dhuna ndaj gruas. Krimi në përgjithësi është një fenomen i dënueshëm, por një burrë që vret gruan duhet të konsiderohet si një mostër e vërtetë”, - u shpreh kryeministri Berisha. Në këtë aktivitet Berisha premtoi se ai personalisht do të bëj çdo gjë që ata, të cilët kalojnë në këtë formë ekstreme dhune, të kenë një dënim të përjetshëm dhe përfundimtar, si dhe u bëri apel grave që të mos e presin luftën ndaj këtij fenomeni si lëmoshë nga burrat, por të ngrihen fuqishëm me forcën e moralit dhe të drejtat e tyre, sepse nga ky qëndrim vlerësohet më tepër familja dhe shoqëria shqiptare.

Ksera
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, theksoi gjatë konferencës se fushata e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave, për herë të parë u dha zë edhe grave nga zonat më të thella grave rurale në Veri dhe Jug të vendit, pasi këtë vit fushata nuk ishte përqendruar në kryeqytet, apo qendra të mëdha urbane, por aktivitetet sensibilizuese u shtrinë në të gjithë vendin, duke u fokusuar në problematikën e gruas rurale, e cila u bë edhe vetë protagoniste e kësaj fushate. “Pikërisht, duke marrë shkas nga përhapja e këtij fenomeni të zymtë në shoqërinë tonë, gjatë kësaj kohe janë ndërmarrë një sërë nismash për hartimin e politikave eficiente dhe përmirësime ligjore që sigurojnë mbështetje më të madhe për viktimat. Në shtator miratuam ndryshimet në ligjin ‘Për masat e dhunës në marrëdhëniet familjare’, të cilat synojnë zgjidhjen e problematikave që kanë dalë gjatë zbatimit të tij, si dhe ngritjen strukturave të posaçme përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje”, - u shpreh Ksera. Sipas ministrit të Punës, nismat ligjore të ndërmarra vijnë në koherencë të plotë me përmbushjen e angazhimeve nga ana e kësaj ministrie për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, si dhe në plotësim të detyrimeve që rrjedhin nga dokumentet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë.

Sekretarja e Shtetit, Klinton

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, sekretarja e Shtetit të SHBA-ve, Hilari Klinton, me anë të një fjalimi ka rikujtuar dhe një herë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe respektimin e saj duke thënë se që nga dita kur Eleonor Ruzvelt paraqiti Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut para Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e konsideroi atë si një ngjarjeje të madhe, si në jetën e Kombeve të Bashkuara, ashtu dhe në jetën e njerëzimit. “Unë dëshmoj vepra të vogla dhe të mëdha kurajoje çdo ditë, në çdo pjesë të botës. Liu Xiaobo, fituesi i çmimit ‘Nobel’ për Paqen këtë vit, ndihmoi në krijimin e Charter `08, që bënte thirrje për reforma politike paqësore në Kinë dhe humbi lirinë e tij për këtë shkak. Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut unë përsëris thirrjen tonë për lirimin e tij të menjëhershëm”, - u shpreh Klinton. Sipas sekretares amerikane të Shtetit, një shoqëri civile energjike është një përbërës thelbësor i vendeve të lira dhe megjithatë, shumë qeveri vazhdojnë të përdorin kërcënimin, praktika ligjore të dyshimta, kufizime, ndalime dhe injorim të qëllimshëm ndaj zërave të atyre që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Ambasadorja britanike

Ambasadorja britanike, Fiona Mekullam, gjatë një deklarate për shtyp në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, u shpreh se në këtë ditë Shqipëria me të drejtë mund të jetë krenare për përpjekjet e saj gjatë njëzet viteve të fundit për të rivendosur për qytetarët e saj të drejtat themelore të njeriut, të cilat u shtypën për aq kohë nën diktaturë, megjithëse ka shumë për të bërë për të garantuar dhe zbatuar të drejtat e të gjithëve, veçanërisht të të pambrojturve. ”Gratë ende përjetojnë diskriminim apo paragjykim, pavarësisht nga përparimi i rëndësishëm dhe pavarësisht legjislacionit të ri. Shqipëria miratoi një ligj kundër diskriminimit në shkurt të vitit 2010, por shumë njerëz, që ligji synon të mbështesë, ende nuk janë duke i ndjerë përfitimet. Kuota gjinore në Kodin Zgjedhor arriti në dyfishimin e numrit të grave deputete në Parlament”, - u shpreh ambasadorja. Sipas saj, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut këtë vit është e dedikuar për ata njerëz që janë duke luftuar për t’i dhënë fund diskriminimit në të gjithë botën.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

Ambasadori Eugen Uollfart, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, dje, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, organizoi një veprimtari me zyrtarë të lartë shqiptarë, aktorë kryesorë në fushën e të drejtave të njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe Trupit Diplomatik. Në fjalën e tij, Uollfart u shpreh se Shqipëria ka treguar se ka bërë hapa përpara lidhur me adresimin e të drejtave të njeriut dhe tani po kalon nga çështjet e të drejtave themelore të njeriut të një vendi në konflikt, në të drejta më specifike të qytetarëve, në një vend që synon të arrijë standardet europiane. “Njohja e dinjitetit të lindur dhe e të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë. Në Shqipëri mbetet edhe shumë për të bërë, sidomos lidhur me të drejtat e fëmijëve, grave, personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesve të komunitetit rom”, - tha ambasadori Uollfart. Duke folur për përparimin e Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut që prej vendosjes së Prezencës, në vitin 1997, ambasadori vuri në pah arritje të tilla madhore për vendin, si: heqja e dënimit me vdekje, ngritja e institucionit të Avokatit të Popullit dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe miratimi i ligjit kundër diskriminimit.

11 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›