E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, mësuesit dënohen me gjoba deri më 50 mijë lekë



Anilejda Shëmbitraku

Projektligji për arsimin parauniversitar i publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, përveç ndryshimeve dhe përmirësimeve në krahasim me ligjet e mëparshme, ka të përcaktuar një rregullore shumë strikte për mësuesit. Në nenin 89 të këtij projektligji bëhet fjalë për shkeljet e punonjësve: “Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP), kur konstaton shkelje nga punonjësit e institucioneve arsimore ose njësitë arsimore vendore, të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore që lidhen me funksionet e tij, ka të drejtë: t`u propozojë punëdhënësve masa ndëshkuese për punonjës arsimorë nga ‘vërejtje’ deri në ‘lirim nga detyra’; të gjobisë punonjësit me gjobë në masën nga 10 000 deri në 50 000 lekë”.

Mësuesit
Sipas nenin 69 të projektligjit me fondet e siguruara nga dhurimet ose sponsorizimet, drejtori i institucionit arsimor mund të punësojë me kohë të plotë ose të pjesshme mësues ndihmës për klasa të caktuara, për nxënësit me vështirësi në të nxënë ose mësues dhe specialistë për lëndët/modulet me zgjedhje; si edhe mësues jashtë institucionit, që janë të suksesshëm në arritjet e nxënësve, me qëllim që të ndihmojnë në zhvillimin profesional të mësuesve. Mësuesit, sipas këtij projektligji, duhet të respektojnë kodin e etikës në marrëdhëniet me nxënësit, kolegët, prindërit dhe eprorët e tij; të shmangë dhe të njoftojë konfliktet e mundshme të interesit gjatë kryerjes së detyrës. Punonjësi i institucionit arsimor e ka të ndaluar të ushtrojë dhunë fizike ose psikologjike ndaj nxënësve. Mësuesi e ka të ndaluar t`u japë mësime me përfitim financiar ose material nxënësve të institucionit ku është i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme.

Financimi
Sipas nenit 42 dhe 43, përcaktohen burimet e financimit për arsimin parauniversitar, shtetëror dhe privat. Institucioni arsimor publik përfiton nga njësia bazë e qeverisjes vendore përkatëse një fond sipas formulës “për nxënës” që e përdor për riparime të vogla ose shpenzime të tjera të nevojshme. Ky fond përdoret sipas kritereve të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave. Ministria veçon nga buxheti i shtetit një fond (grant shkollor) për të cilin konkurrojnë institucionet arsimore publike dhe që përdoret për të përmirësuar kushtet e të nxënit. Ministria mbështet financiarisht shkollat private vendase, të cilat janë institucione jofitimprurëse, kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione arsimore private dhe kanë rezultate të larta në vlerësime kombëtare ose ndërkombëtare. Sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, mbështetja financiare diferencohet sipas renditjes së shkollës për arritjet e nxënësve në provimet e arsimit bazë ose të Maturës Shtetërore. Shkollat private e përdorin mbështetjen financiare për: mjete të laboratorëve mësimorë, pasurim të bibliotekës, trajnime të mësuesve; bursa ose/dhe subvencione shtesë të teksteve për nxënësit në nevojë dhe ata me prirje të veçanta, si dhe për shpërblime për nxënësit me prirje të veçanta ose për mbështetjen e tyre për pjesëmarrje në veprimtari të posaçme për ta, si olimpiada, konkurse etj.

NDALOHET
Ligjërisht nxënësit nuk merren në aktivitete partiake

NENI 36
1- Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre.
2- Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
3- Ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit.
4- Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare.

Inspektorati
Krijimi i institucionit që do të vëzhgojë shkollat

Në nenin 63 të projektligjit për arsimin parauniversitar flitet për krijimin e Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, IAKP. “Këshilli i Ministrave ngre një agjenci kombëtare që ka për mision përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor për të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar nëpërmjet inspektimit të institucioneve arsimore dhe njësive vendore arsimore. Struktura dhe organika e IKAP-it përcaktohen me urdhër të kryeministrit. IKAP ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Udhëzuesin e Inspektimit, të cilin e miraton ministri. Funksionet kryesore të IKAP-it janë: Vlerëson cilësinë e shërbimit të institucioneve arsimore dhe të njësive vendore arsimore; kontrollon pajtueshmërinë e veprimtarisë së institucioneve arsimore dhe të njësive vendore arsimore me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi; këshillon drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve arsimore dhe të njësive vendore arsimore; informon ministrin për gjetjet e tij dhe bën publike raportet e inspektimit.

NENI 72
Kualifikimi dhe trajnimi i mësuesit
1- Shkallët e njëpasnjëshme të kualifikimit të mësuesve janë tri:
a- “mësues i kualifikuar”;
b- “mësues specialist”;
c- “mësues mjeshtër”.
2- Numri minimal i krediteve për të aplikuar për një shkallë kualifikimi si dhe procedurat e provimit të jashtëm për ta përfituar shkallën e kualifikimit përcaktohen me udhëzim të Ministrit.
3- Sistemi i trajnimit të punonjësve arsimorë përfshin elementet e mëposhtme: Mësuesit, specialistët e njësive arsimore vendore dhe të IKAP-it sigurojnë kredite nëpërmjet trajnimeve nga agjenci të cilave u janë akredituar programet e trajnimit nga Komiteti i Akreditimit; pjesëmarrësit në trajnime marrin certifikatën e një programi trajnimi përmes provimit të jashtëm, i cili zhvillohet sipas procedurave që përcaktohen nga ministri me akt nënligjor; Trajnimet zhvillohen sipas sistemit “kërkesë-ofertë”: mbi bazën e kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese.
4- Një shkallë kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

NENI 73
Emërimi dhe pushimi nga puna i mësuesit

1- Për një vend vakant, mësuesi i diplomuar dhe i licencuar dhe nëndrejtori përzgjidhen me konkurrim të hapur dhe emërohen nga drejtori i institucionit përkatës, pas propozimit të një komisioni të përbërë nga punonjës të atij institucioni, sipas procedurave të përzgjedhjes dhe emërimit të përcaktuara me udhëzim të Ministrit.
2- Drejtori i institucionit arsimor publik ka të drejtë të largojë nga institucioni një mësues, pas konsultimit me komisionin e përmendur në pikën 1 të këtij neni, kur mësuesi:
a- dënohet për vepra penale;
b- nuk gëzon shëndet të plotë mendor sipas konfirmimit nga organet e shëndetësisë;
c- kryen shkelje të rënda kundrejt nxënësve ose kolegëve, sipas kuptimit të “shkeljes së rëndë” që përcaktohet me udhëzim të ministrit;
ç- nuk arrin të përmbushë detyrimet për kualifikimin e vazhdueshëm;
d- ka arritje të ulëta të nxënësve në krahasim me mësuesit e tjerë të institucionit.

13 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›