Projektligji, fëmijët e emigrantëve do të mësojnë gjuhën amtare
Anilejda Shëmbitraku
Në projektligjin për arsimin, që është prezantuar dje, detaj thelbësor është përcaktimi ligjor që i bëhet mësimit të gjuhës amtare për të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptarë në të gjitha vendet ku ndodhen. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, gjatë konferencës për shtyp me drejtues të arsimit në të gjithë vendin, personalitete të botës së arsimit, ish-ministra të Arsimit, rektorë, dekanë, profesorë, nxënës të shumë shkollave të kryeqytetit, ka paraqitur projektligjin “Për arsimin parauniversitar” duke hapur diskutimin publik të tij. Ky projekt do të jetë ligji i arsimit të standardeve europiane. Ministri Tafaj tha se ky draft ka një pjesëmarrje të gjerë ekspertize vendase dhe të huaj dhe ne jemi të hapur për ta dëgjuar fjalën e personaliteteve dhe ekspertëve.
Ndryshimi
Ligji ekzistues, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, bashkë me amendimet e tij, luajti një rol parësor në ndryshimet rrënjësore që sistemi arsimor parauniversitar shqiptar realizoi për t`iu përshtatur kërkesave thelbësisht të reja që shtroi për arsimin kalimi nga diktatura në demokraci dhe nga ekonomia tejet e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë. Megjithatë, pas një periudhe të funksionimit të këtij Ligji realitete të reja parashtrojnë nevojën e rishikimit tërësor të tij. Projekt ligji i ri i prezantuar sot synon: të konsolidojë reformat më të rëndësishme të suksesshme të zbatuara në Shqipëri sidomos gjatë viteve të fundit; të krijojë mundësinë për zhvillime të ardhshme arsimore me të njëjtin ritëm me vendet e tjera evropiane. Arsimi i standardeve europiane duhet t’i paraprijë Shqipërisë Europiane. Ky projektligj do të jetë Ligji i Arsimit të Standardeve Europiane.
Hartimi
Ligji është hartuar me një pjesëmarrje të gjerë të ekspertëve të MASH-it, agjencive të saj, DAR/ZA në bashkëpunim me një ekspert të huaj. Për hartimin e tij janë studiuar modele dhe ligje analoge të viteve të fundit të disa shteteve me ngjashmëri në të kaluarën politike dhe në vizionin për të ardhmen si legjislacioni arsimor i Sllovenisë, Çekisë, Hungarisë, Sllovakisë, Lituanisë, si dhe i disa vendeve perëndimore, si Austria e disa lande të RFGJ-së. Projektligji pasqyron qartë standardet e parashikuara në Kushtetutë dhe në konventat ndërkombëtare përsa i takon së drejtës për arsim, barazisë për arsimim për të gjithë, pa asnjë lloj diskriminimi, për shkak të origjinës sociale, përkatësisë fetare, kombësisë, gjinisë, ngjyrës, gjendjes shëndetësore ose ndonjë shkak tjetër. Në këtë kontekst duhet theksuar detyrimi që i vë ligji i ri qeverisë për organizimin e mësimit të gjuhës amtare dhe kulturës shqiptare për fëmijët e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, në përputhje me standardet që parashikojnë konventat ndërkombëtare ku vendi ynë ka aderuar. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm janë përcaktimet që parashikon ligji për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta për të mënjanuar disfavorizimin e tyre në procesin e të nxënit për shkak të aftësive fizike të kufizuara.
Ndërkohë, ligji konsolidon standardet e ligjit aktual për shkollimin e fëmijëve të pakicave kombëtare.
Fuqizohet Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar
Projektligji kërkon që MASH-i dhe Këshilli i Ministrave të këshillohen me KKAP-në për çështje themelore të politikave arsimore
Projektligji për arsimin parauniversitar krijon hapësirë reale për rritje të cilësisë dhe transparencës së politikëbërjes në arsimin parauniversitar. Në këtë projektligj sanksionohet qartë roli i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (KKAP), në të cilin bëjnë pjesë figura të njohura publike për arsimin. Projektligji kërkon që MASH-i dhe Këshilli i Ministrave të këshillohen me KKAP-në për çështje themelore të politikave arsimore, si kurrikula, programet mësimore, tekstet, buxheti, rajonizimi i shkollave, kriteret e hapjes së shkollave publike dhe private, politikat e formimit universitar dhe kualifikimit të vazhduar të drejtorëve e mësuesve, mbrojtjen e të dhënave të nxënësve dhe disa aspekte të tjera. Nga ana tjetër, për zbatimin e Strategjisë dhe Politikave të Arsimit Parauniversitar në nivel qarku, ngrihet një këshill ekspertësh që funksionon pranë prefektit.
Vendorët
Zgjeron më tej politikën tonë konstante të decentralizimit dhe dekoncentrimit në sistemin e arsimit parauniversitar (APU) dhe, në këtë drejtim, ai realizon standarde të përparuara, të afërta me ato europiane. Projektligji parashikon një rritje të theksuar të rolit të pushtetit vendor në zhvillimin e APU dhe precizon kompetencat dhe përgjegjësit e njësive të qeverisjes vendore (bashki/komuna), si dhe të njësive arsimore vendore (DAR/ZA). Përmes këtij ligji fuqizohet roli politikëbërës i MASH-it dhe delegohen gjithnjë e më shumë përgjegjësitë dhe kompetencat e administrimit në bashki, komuna dhe DAR/ZA. Krijon kornizën ligjore që garanton rritjen e cilësisë së APU, e cila është deklaruar si objektivi madhor dhe motoja e gjithë sistemit tonë arsimor. Projektligji konsolidon strukturën e sistemit tonë të APU, ku, për herë të parë bëhet gati detyrim klasa parapërgatitore të arsimit fillor (çdo fëmijë 5-vjeçar duhet të vijojë së paku 1 vit arsim parashkollor përpara regjistrimit në klasën e parë).
Mësuesit
Projektligji vendos standarde të përparuara në formimin universitar të mësuesve të rinj dhe kualifikimin e vazhduar të mësuesve në detyrë (profesion i rregulluar; master i shkencave në edukim për të tre nivelet e APU sipas modelit të Finlandës, kualifikimi i vazhduar sipas modeleve të përparuara); projektligji institucionalizon plotësisht statusin e mësuesit dhe drejtuesit të shkollës në kuptimin e të drejtave, detyrave si dhe procedurave të konkurrimit për emërimin në punë. Sanksionon një strukturë dhe standarde kurrikulare moderne – të mbështetura në përvojën e vendeve më të suksesshme në arsim. Në këtë këndvështrim ligji mbështet tërësisht thellimin e reformës së kurrikulës në arsimin parashkollor, të detyruar dhe atij të mesëm.
Risitë
Institucionalizohet reforma e altertekstit
Institucionalizon reformën e altertekstit si garanci për rritjen e cilësisë së teksteve dhe zhvillimit të sektorit privat në fushën e botimeve. Vendos në standarde europiane vetëvlerësimin e shkollës si dhe vlerësimin i jashtëm të saj përmes: sondazheve (kampionimit) statistikisht të mbështetura gjatë vitit për klasat e ndërmjetme si dhe provimeve përfundimtare kombëtare, Provimit të Lirimit dhe Matura Shtetërore e finalizuar me Diplomë. Parashikon masa konkrete për mbështetjen e nxënësve me prirje të veçanta (talentet). Përveç kurrikulës me zgjedhje që diferencon prirjet dhe interesat e fëmijëve, Ligji shkon më tej dhe e zgjeron detyrimin e shtetit për nxënësit me aspirata të veçanta, duke i shtuar shkollave të ashtuquajtura social-kulturore për muzikën, artet dhe sportet, edhe shkollat për shkencat dhe teknologjinë duke filluar nga cikli i lartë i arsimit bazë. Ky është një hap kah kultivimi i hershëm i nxënësve me prirje të spikatura. Mbështetet në standarde të përparuara dhe fokusohet në menaxhimin mbi bazën e performancës.
Menaxhimi
Performanca e institucioneve arsimore
Projektligji nxit një zhvendosje të ndjeshme kah parimet dhe praktikat e menaxhimit që karakterizojnë sistemet arsimore të vendeve të zhvilluara: duke vendosur në qendër të drejtimit dhe menaxhimit performancën e institucioneve dhe të individëve të përshkruara me objektiva të matshme; duke bërë rezultatet e të nxënit qëllimin e vetëm të të gjitha veprimtarive të institucioneve dhe punonjësve arsimorë; duke e kthyer vlerësimin e institucioneve dhe punonjësve arsimorë në një normë rutinore pune; duke e kthyer raportimin periodik të institucioneve dhe punonjësve arsimorë në një normë rutinore pune. Me këtë risi projektligji siguron një rritje të transparencës së veprimtarive të institucioneve dhe punonjësve arsimorë te përfituesit e shërbimit arsimor (nxënësit, prindërit, shoqëria civile); të krijimit të mekanizmave me anën e të cilave përfituesit e shërbimit arsimor marrin pjesë në realizimin e këtij shërbimi.
Financimi
Fondet në bazë të specifikave të shkollës
Projektligji legjitimon modelin e financimit të arsimit parauniversitar publik të mbështetur në formulën “për nxënës”, duke hapur mundësinë e përllogaritjeve më të sakta mbi bazën e një bashkësie të zgjeruar treguesish. Shtimi i treguesve që merren parasysh gjatë zbatimit të formulës “për nxënës” do të bëjë të mundur që planifikimi i fondeve në bazë shkolle të jetë më afër specifikave të secilës shkollë. Me këtë mënyrë, duke hedhur hapat drejt autonomisë shkollore, ecet përpara drejt transparencës së përdorimit të fondeve financiare; shtimit të përgjegjësisë së personelit shkollor në përdorimin e mirë të mjeteve dhe shërbimeve që sigurohen nga këto fonde. Ligji përfshin për herë të parë në skemën financiare metodën e granteve për shkollat publike me qëllimin për të nxitur zhvillimin e shkollave. Sanksionon për herë të parë dhe sipas praktikave të vendeve të BE, të drejtat dhe detyrimet e nxënësve dhe prindërve si dhe raportet mësues-nxënës-prind, shkollë–prind. Bashkëpunimi shkollë-prindër zë një vend shumë të rëndësishëm në projektligj. Për herë të parë projektligji parashikon mbrojtjen e të dhënave të nxënësve dhe punonjësve arsimorë sipas standardeve të përparuara.
Arsimi privat, kërkesa më të larta
Projektligji nxit zhvillimin e arsimit privat cilësor përmes: vendosjes së standardeve të njëjta të kurrikulave dhe të kualifikimit të mësimdhënësve me atë publik; rritjes së rolit mbikëqyrës të MASH-it dhe DAR/ZA ndaj politikave të personelit, drejtues dhe mësimdhënës, në shkollat private; vlerësimit të jashtëm të cilësisë përmes inspektimit, kampionimit dhe provimeve kombëtare; mbështetjes financiare për nxënësit, mësuesit dhe infrastrukturën mësimore për shkollat jofitimprurëse që janë klasifikuar ndër shkollat më të mira të vendit.
Diskutimi
Para miratimit të tij, projektligji është i hapur për të gjithë
Pas këtij prezantimi, projektligji do të jetë i hapur për të gjithë. Instancat shtetërore, punonjësit arsimorë, në radhë të parë mësuesit, gjithashtu specialistët, organizatat joqeveritare, madje më gjerë prindër dhe përfaqësues të shoqërisë civile në përgjithësi. Debati ka si synim ta përmirësojë sa më shumë këtë projektligj dhe të ndërgjegjësojë sa më mirë grupet e interesit arsimor për filozofinë e këtij ligji dhe arsyet e risive të tij.
Miratimi
Projektligji pritet të zbatohet në 2011-n
Një ligj i arsimit parauniversitar përbën themelin e sistemit arsimor, por ai bëhet funksional sidomos nëpërmjet akteve nënligjore, udhëzimeve e urdhrave, rregulloreve të funksionimit të institucioneve. Një pjesë e tyre do të përmblidhen në një version të ri të Dispozitave Normative. Do të kemi kështu një paketë të plotë të legjislacionit arsimor, në frymën bashkëkohore dhe të mundshme për t’u zbatuar me korrektesë nga të gjitha palët e përfshira në zhvillimet tona arsimore. Ky projektligj, i kthyer në ligj, do të filloj të zbatohet në vitin 2011. Ai do të jetë baza e zhvillimit të arsimit tonë drejt standardeve europiane për t`i paraprirë integrimit të Shqipërisë në BE.
11 Dhjetor 2010