Pensionohem me titull

Fabio Capello synon të përfundojë aventurën e tij në drejtim të Anglisë duke triumfuar në Euro 2012. Kontrata e trajnerit italian me Federatën angleze të Futbollit do të skadojë pas përfundimit të garës së vitit të ardhshëm në Poloni dhe Ukrainë, kur ai planifikon të tërhiqet nga posti.
Në përgatitje të ndeshjeve kualifikuese kundër Bullgarisë dhe Uellsit në shtator, Anglia do të zhvillojë një miqësore me Holandën në Wembley më 10 gusht, vetëm tri ditë para fillimit të sezonit të ri në Premierligë. Dhe për Capellon këtu është fillimi i asaj që ai pret të jenë 12 muaj të triumfit.
“Mendoj se viti im i fundit do të jetë shumë i mirë, shpresoj të jetë kështu. Mundohem të bëj gjithçka më mirë”, tha Capello gjatë një konference për shtyp. “Studioj, përgatitem dhe përqendrohem. Shpresoj që deri në fund të karrierës time të fitojmë një trofe. Shpresoj kështu sepse kur jeni fitues, dëshironi të fitoni diçka, jo të humbni”, shtoi ai.
Shumë klube të mëdha do të kishin pasur dëshirë të angazhojnë Capellon pas largimit të tij nga posti i selektorit të Anglisë, por ai konfirmoi se planifikon të pensionohet pas Euro 2012 dhe pritet të punojë si komentues dhe analist për një televizion italian.
“Është puna ime dhe puna është jeta ime. E dua punën. Por, po, përfundimisht do të pensionohem pas Evropianit”, theksoi ai.
Për Capellon, orari i ndeshjes me Holandën nuk është ideal pasi ai nuk do të jetë në gjendje të vlerësojë formën e futbollistëve të tij para se të publikojë emëroren.
“Ju duhet të pyetni FIFA-n, ata kanë vendosur kështu. Zakonisht do të ishte e mërkura e parë pas ndeshjeve të para në ligë. Nuk mund të shikoj futbollistët që duhet t’i ftoj. Nuk e di se në çfarë shkalle do të jenë futbollistët”, shtoi italiani.
Lëndimet nënkuptojnë se Steven Gerrard do të mungojë në ndeshje, ndërsa dyshja e Arsenalit, Jack Wilshere dhe Theo Walcott janë në dyshim. Në të kaluarën, miqësoret e Anglisë janë shfrytëzuar si eksperiment për futbollistë të rinj që shpeshherë janë përcjellë me ndryshime në ekip. Mirëpo, para ndeshjeve vendimtare kualifikuese për Euro 2012 në shtator, Capello insiston se nuk është koha për eksperimente.
“Jo, tani duhet të përgatitemi për ndeshjet vendimtare kualifikuese. Unë bëj eksperimente nëse është e mundshme kur ndeshjet nuk janë aq të rëndësishme, por kjo përballje është shumë e rëndësishme sepse kemi shumë pak kohë të përgatitemi për takimet e ardhshme kualifikuese”, përfundoi ai. Anglia është në luftë me Malin e Zi për kualifikim të drejtpërdrejtë në Euro 2012.