E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus, i uritur për fitore

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 09:06

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon është optimist se ekipi i tij ka dëshirë të madhe për të luftuar për tituj në sezonin e ri.

Gjiganti torinez dëshpëroi duke përfunduar në pozitën e shtatë në edicionin e kaluar në Serie A dhe si rezultat, nuk u kualifikua për asnjë garë evropiane. Duke folur para sezonit të ri, Buffon insistoi se ky mund të jetë sezoni kur Juventus do të sjellë gëzim për tifozët e tij.

“Vetë tifozët e Juventusit kanë dëshirë të madhe për të fituar sërish. Gjëja më e rëndësishme është se edhe futbollistët kanë dëshirë të njëjtë. Nuk mund të themi ende se do të luftojmë për Scudetto. Vetëm shpresoj të lëmë pas vetes dy sezonet e fundit”, tha Buffon për Sky Sport Italia.

“Antonio Conte është trajner i mirë, që njeh shumë mirë fuqinë dhe dobësitë e të gjithë futbollistëve. Ai kërkon që gjithçka të shkojë perfekt dhe futbollistët janë duke përcjellë instruksionet e tij. Ekziston kuptim i mirë mes futbollistëve dhe trajnerit”, përfundoi Buffon.

Juventus e fillon sezonin e ri në Serie A në udhëtim te Udinese më 28 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›