Prishtina, më e përforcuara
Të dielën mbrëma ka përfunduar afati kalimtar i hendbollistëve nga klubi në klub. Këtij afati më së shumti hairin ia ka parë Prishtina, e cila ka marrë katër përforcime; Riad Shabanj (nga Kosova), Besmir Kusari (nga Vëllaznimi) Muhamet Dubovci dhe Shpëtim Mehmeti (nga Drenica).
Lehtë nuk e ka lënë as Kosova e Vushtrrisë, e cila ka përforcuar radhët e veta me Shkëlzen Kërtokun (nga Prishtina)Astrit Shalën (nga Trepça) dhe Veton Hajrizin (nga Drenica).
Kampioni aktual, Kastrioti është përforcuar me hendbollistin e Prishtinës, Hektor Dobroshin. Drita, e cila është rikthyer në Superligë, ka angazhuar Gzim Misinin, derisa Llapi ka marrë hendbollistin e Besës, Tafil Haxhiun.
Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka njoftuar se për lojtarët që vijnë nga bota jashtme, afati kalimtar zgjat deri më 15 shkurt 2012 dhe mund te regjistrohen në çdo kohë.
Te femrat, vetëm dy kalime
Në konkurrencën e femrave gjatë afatit kalimtar në FHK janë regjistruar vetëm dy transferime. Mimoza Xhemaili nga Prishtina është transferuar në Kastriot, derisa Ariana Kqiku nga Drita po ashtu në Kastriot.
9 hendbollistë kërkojnë të mbesin të lirë
Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka njoftuar se nëntë hendbollistë kanë kërkuar statusin e lojtarit të lirë. Arber Curri, Endrit Peja, Ekrem Maloku dhe Hamëz Xhuka kanë kërkuar të mbesin të lirë nga Vëllaznimi.
Të njëjtën e kanë kërkuar edhe Vlerson Zherka, Hamdi Salihu, Bardhyl Abazi nga Kastrioti. Po ashtu Visar Zhuri ka kërkuar që të mbetet lojtar i lirë nga Prishtina. Kurse në konkurrencën e femrave, Vlora Jashari ka kërkuar të mbetet e lirë nga Kastrioti. FHK bën të ditur se këta lojtarë mund të regjistrohen deri në përfundim të javës së 5-të të Superligës.