E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presioni nga investimet

Me investimet e mëdha nga Katari, Paris Saint Germain është nën presion për sukses në sezonin e ri në Ligue 1. Ekipi nga kryeqyteti francez synon titullin e kampionit dhe kualifikimin për në Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi i vendosur nga pronari, Sheiku Tamim bin Hamad al Thani. Trajneri Antonie Kombouare është optimist për arritjen e synimeve. Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 11:10

Pavarësisht shpenzimeve të mëdha gjatë këtij afati kalimtar të verës, Paris Saint Germain është ende në vlugun e punës, një javë para ndeshjes kundër Lorient në xhiron e parë të Ligue 1.

Trajneri Antonie Kombouare është në presion të udhëheqë ekipin drejt suksesit pas ardhjes së përforcimeve të reja me vlerë prej mbi 70 milionë eurosh brenda dy muajve, pasi anëtarë nga familja mbretërore e Katarit morën drejtimin e klubit.

“Futbollistët do të testohen ashpër çdo javë, të gjithë do të mundohen të mposhtin Parisin”, tha Kombouare. Ai paralajmëroi se suksesi “nuk ndodh brenda ditës”. “Të shtunën e ardhshme do të jetë vështirë dhe duhet të vazhdojmë të punojmë shumë. Përforcimeve të reja u nevojitet kohë sepse futbollistët duhet të ambientohen dhe të njihen më mirë mes vete, edhe pas ndeshjes kundër Lorientit duhet të vazhdojmë punën. Ka shumë situata për të cilat duhet të përgatitemi, taktik dhe strategji”, shtoi ai.

Përforcimet e deritashme përfshijnë portierët Nicolas Douchez dhe Salvatore Sirigu, mbrojtësin Milan Bisevas, mesfushorët Jeremy Menez, Blaise Matuidi dhe Mohamed Sissoko, dhe sulmuesin Kevin Gameiro. Klubit gjatë kësaj jave pritet t’i bashkohet edhe mesfushori i shumëkërkuar i Palermos, Javier Pastore.

“Të gjithë presin diçka nga ne pasi kemi investuar shumë para duke sjellë futbollistë të talentuar. Tani duhet të theksojmë se ata janë ende talente i rinj, ende nuk kanë fituar asgjë. Ata duhet të krijojnë historinë e tyre, duhet të fitojnë tituj dhe kjo është ajo që pres prej tyre”, u shpreh ai.

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka përshkruar PSG-n si “Manchester City francez”, që brenda tre viteve ka shpenzuar qindra miliona euro në përforcime nën pronësinë e Abu Dhabi.

“PSG i ri është në tjetër plan ekonomik. Ata jetojnë në tjetër planet financiar dhe asnjë klub tjetër francez nuk mund të garojë me ta. Është mirë për futbollin francez që ata mund të sjellin futbollistë kualitativë”, tha Wenger.

Presioni nga Sheiku Tamim bin Hamad al Thani, i cili me Qatar Sports Investments ka në pronësi 79 për qind të PSG-s, është për ekipin të fitojë ligën dhe kualifikohet për në Ligën e Kampionëve.

“Kur keni presion ju dëshironi të fitoni të gjitha dhe të shkoni sa më larg që është e mundshme, na pëlqen ky presion. Shpresoj të fitojmë titullin. Synimi ynë është të shkojmë në Ligën e Kampionëve. Sezonin e kaluar përfunduam në pozitën e katërt, tani duhet të shkojmë përpara dhe me ndihmën e futbollistëve të rinj të ngjitemi më lart”, përfundoi Kombouare. Ekipi mund të pëson ndryshime tjera para përmbylljes së afatit kalimtar të verës më 31 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›