E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionohet në Lazio

Edhe pse aktualisht nuk konsiderohet titullar, Lorik Cana thotë se ndihet mirë në Lazio dhe ëndërron të përfundojë karrierën në klubin romak. Mesfushori kosovar thekson se skuadra synon të luftojë për pozitat e para në Serie A dhe të shkojë sa më larg në Europa League. Falënderon tifozët e Lazios për përkrahje dhe zotohet t’ua plotësojë dëshirën e tyre kryesore - fitore në derbi ndaj Romës. Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 13:00

Lorik Cana është ende një objekt misterioz në grupin e gjerë të futbollistëve të Lazios.
Por, ylli shqiptar i futbollit luajti në ndeshjen e kthimit, të vlefshme për kualifikim në Europa League ndaj Rabotniçkit dhe dëshmoi se ka kilogram, centimetra dhe përvojë në gara ndërkombëtare.

Trajneri Edy Reja e konsideron mesfushorin kosovar zëvendësues të Brocchit, ndërsa vetë Cana nuk shqetësohet, përkundrazi, shprehet i kënaqur.

“Nuk mund të ndalem kurrë së falënderuari klubin, kam ardhur në Romë, kryeqyteti i Italisë, një qytet i shkëlqyeshëm. Kam nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Lazion, andaj ëndrra ime është që karrierën ta përfundoj në Romë”, tha Cana për Corriere dello sport.

Ai nuk brengoset me statusin e tij aktual. “Në Lazio për momentin nuk e kam të sigurt vendin në formacionin e ekipit bazë. Por, kjo tregon se kemi një ekip të fortë, të formuar nga futbollistë të rëndësishëm. Këtë vit klubi ka investuar shumë gjatë afatit kalimtar, sigurisht se askush nuk e ka vendin e garantuar. Por, në fund jam i sigurt se do të gjejmë hapësirë, sepse gjatë këtij sezoni do të marrim pjesë në shumë gara dhe të gjithë do të kemi hapësirë për lojë”, shtoi reprezentuesi i Shqipërisë.

Në vendlindjen e tij konsiderohet idhull dhe i tillë dëshiron të bëhet edhe në Lazio. Në formacionin 4-2-3-1 mund të paraqitet përkrah Ledesmas, por aktualisht në atë pozitë preferohet Brocchi.

“Pas pak do të fillojmë me punën serioze, synimi ynë është që të arrijmë më tepër sesa në sezonin e kaluar. Do t’i sfidojmë të gjithë, do të mundohemi të dalim menjëherë prapa Milanit, Juventusit e Interit, por në realitet objektivi i vërtetë i ynë është Europa League. Duam të shkojmë sa më larg që është e mundur”, u shpreh ai.

Menjëherë pas ardhjes së tij në kryeqytetin italian, tifozët i kanë kërkuar ta fitojë derbin ndaj Romës. Cana është i mësuar me sfida të tilla dhe joshet prej tyre. “Tifozët e Lazios më kanë pritur shumë mirë. Ata janë të shkëlqyeshëm. E duan shumë ekipin e tyre. Nga dita e parë kur kam ardhur, më kanë kërkuar fitore kundër Romës. Për ta kjo është shumë e rëndësishme, më tepër se triumfi në kampionat. Unë dhe bashkëlojtarët e mi do të angazhohemi maksimalisht. Jam i sigurt se mund t’i mposhtim”, ka pohuar Cana.

Të enjten mbrëma ai luajti në ndeshjen e kthimit ndaj Rabotniçkit në Maqedoni – shtet fqinj me Shqipërinë ‘e tij’. Cana kishte rastin të takohet me familjarë të tij. “Jam takuar me familjen e gjyshes sime. Ata tash e disa vite jetojnë në Maqedoni. Andaj, për mua ishte si të luaja si në shtëpinë time. Shpesh vij këtu për festat e fundvitit. Kjo është shtëpia ime e dytë. Më duhet të them se në Shkup u pritëm mirë, për ne ishte me rëndësi”, vazhdoi ai.

Dueli me Francën, emocion i madh

Në fillim të javës së ardhshme, Lorik Cana do të udhëtojë drejt kryeqytetit shqiptar, Tiranës, për t’iu bashkuar Kombëtares së Shqipërisë e cila më 2 shtator do ta sfidojë përfaqësuesen e Francës në kuadër të eliminatoreve për ‘Euro 2012’.

Reprezentuesi shqiptar i emocionuar po e pret këtë takim, pasi në Francë kishte kaluar disa vite të bujshme të karrierës. Ai thotë se e njeh mirë reprezentacionin francez.

“Është një emocion i madh për mua. Kam luajtur me skuadrat më të mëdha të këtij shteti (Olimpique Marseille dhe PSG). Njoh shumë futbollistë të Francës, shumë nga ta i kisha bashkëlojtarë. Megjithatë, jemi të gatshëm për të luftuar. Shqipëria nuk dorëzohet kurrë”, ka përfunduar Cana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›