Beteja e konkurrentëve
Të dielën do të zhvillohen tri ndeshjet e fundit të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll, e cila sjell edhe super-derbin mes rivalëve kryesorë të viteve të fundit, Prishtinës e Hysit.
Të dyja këto skuadra në sezonin e kaluar dominuan plotësisht në futbollin kosovar dhe me rivalitet të madh ia kishin mësyrë titullit të kampionit, të cilin trofe në fund e fitoi Hysi, derisa Prishtina u desh të pajtohet me epitetin e nënkampionit, edhe pse në tri ndeshjet mes tyre bardhekaltrit kishin fituar dy herë, derisa një takim kishte përfunduar baras.
Edhe në këtë edicion, prishtinasit dhe llapjanët janë favoritët kryesorë për t’u stolisur me titullin e kampionit, për të cilin trofe në betejë sivjet kanë hyrë edhe Vëllaznimi e Trepça ’89.
Andaj, edhe pse ky është vetëm fillimi i kampionatit të ri, pikët e kësaj ndeshjeje janë shumë të rëndësishme për të dyja ekipet. Më parë ‘përplasjet’ mes tyre tubonin numër goxha të madh të shikuesve, të cilët vërtet kënaqeshin me lojën e hapur që aplikonin këto ekipe, me aksionet e bukura të tyre apo edhe me golat e bukur që i realizonin futbollistët e tyre. Njëjtë pritet të jetë edhe të dielën. Kështu të paktën thonë trajnerët e këtyre dy ekipeve.
Ramiz Krasniqi i Prishtinës thotë se e respektin skuadrën nga Merdarë. Por, ai i paralajmëron mysafirët se nuk do ta kenë lehtë përballë djelmoshave të tij. “Do të jetë një ndeshje me peshë. Ne jemi përgatitur mirë për këtë takim, në të cilën nuk do ta kem lehtë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Kemi një skuadër cilësore që mund t’i dalë mbarë çdo sfide. Edhe ndeshjes me Hysin do t’i qasemi me seriozitet të madh që nga minuta e parë dhe të dalim me tri pikë të plota”, thotë Krasniqi.
Kurse, trajneri i Hysit, Fadil Ademi favorizon Prishtinën. Por, ai pohon se ekipi i tij nuk do të dorëzohet dhe se me lojë sulmuese do të mundohet ta mposht kundërshtarin midis kryeqyteti.
“Prishtina është favorit në këtë përballje për shkak se luan si vendas dhe ka përkrahjen e tifozëve. Mirëpo, ne do ta aplikojmë lojën tonë, lojën sulmuese, që është duke sjellë rezultate të mira. Ne kemi aftësi të shënojmë ndaj secilit ekip dhe më pas mund ta ruajmë rezultatin sepse kemi mbrojtje të fortë. Këtë mund ta bëjmë edhe ndaj Prishtinës”, tha Ademi
Interesant pritet të jetë edhe në Mitrovicë ku Trepça ’89 do të ndeshet me Besën. Kurse, Gjilani do të jetë nikoqir i Trepçës.
Superliga – xhiroja e 2-të
E diel
Gjilani – Trepça
Trepça ’89 – Besa
Prishtina – Hysi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 17:00