E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjenda e reformave

Komisioni për ndryshime kushtetuese ka caktuar afatin prej 30 javësh për ndryshimin e Kushtetutës dhe ligjeve për zgjedhjen e Presidentit. Reforma do të kalojë nëpër tri faza, ku përfshihet edhe debati publik. Ndërkaq, Komisioni për Ndryshmin e Ligjit për zgjedhjet ende nuk ka arritur të mbajë as mbledhjen konstituive. Nga Faton Ismajli më 09 maj 2011 në ora 10:00

Nëse gjithçka shkon sipas planit të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, atëherë qytetarët e Kosovës do të votojnë drejtpërdrejt presidentin në qershor të vitit të ardhshëm.

Kështu mendohet pasi deri në fund të këtij viti pritet të bëhen ndryshimet kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit të paraparë në marrëveshjen politike PDK, LDK, AKR, në prill të këtij viti.

Kryetari i Komisionit për Ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami thotë se për tridhjetë javë do të punohet në ndryshimin e Kushtetutës, Ligjin për president dhe për kompetencat e shefit të Shtetit.

Ai ka bërë të ditur se për javën e ardhshme është paraparë identifikimi i dispozitave kushtetuese që do të ndryshohen.

Sipas tij, puna e Komisionit është ndarë në tri faza.

“Faza e parë është identifikimi i dispozitave kushtetuese që do të ndryshojnë; faza e dytë është drafitimi apo shkrimi i amendamenteve dhe dy ligje, Ligji për zgjedhjen e drejtpërdrejt për Presidentin dhe Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Presidentin; dhe faza e tretë është debati publik”, ka thënë Bajrami për Express, të dielën.

Deputeti i PDK’së ka njoftuar se Komisioni do t’i raportojë Kuvendit, pas secilës fazë të punës.

“Do të raportojmë kohë pas kohe për progresin që e ka Komisioni.
Raportojmë në periudha të rregullta çdo tre muaj për progresin që kemi arritur dhe në fund të vitit shpresoj se do ta dorëzojmë listën e amendamenteve dhe dy ligje”, ka thënë ai.

Ndryshimet kushtetuese vijnë pas marrëveshjes politike ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, e cila parasheh që Komisioni për amandamentimin e Kushtetutës të kryejë punën e vet brenda 6 deri 9 muajsh.

Sipas marrëveshjes, zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen brenda 6 muajsh prej miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshe, Arsim Bajrami ka deklaruar se në Komision do të përfshihen edhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të jenë në konsensus me të gjitha palët.

“Do të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, do të këtë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Ata veç janë pjesë e Komisionit kushtetues. Janë duke ardhur edhe të zyrave diplomatike, edhe ICO’ja dhe ne do të mundohemi t’i përfshijmë sepse dëshirojmë të jemi të sigurt se ndryshimet do të bëhen me një konsensus të plotë”, ka shtuar Bajrami.

Në anën tjetër, Komisioni për ndryshimin e Ligjit zgjedhor ende nuk e ka mbajtur mbledhjen konstituive.

Kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli thotë se të mërkurën e ardhshme do të bëhen bashkë të gjithë anëtarët dhe do të përcaktojnë agjendën e punës për ndryshimin e ligjit.

Ai ka thënë se fillimisht do të kërkojnë mbështetjen nga Kuvendi për të vazhduar me planifikimin e agjendës.

“Agjenda e mbledhjes është konstituive, ne do t’i bëjmë kërkesë Kuvendit për përkrahje materiale, administrative dhe për përkrahje nga ekspertët”, ka thënë Demolli.

Ai ka thënë se në vija të trasha është përcaktuar agjenda e Komisionit, i cili do të punojë bashkë edhe zyrtarë të shoqërisë civile dhe organizatave të tjera për ndryshimet zgjedhore.

“Faza e parë do të jetë identifikimi të mangësive të ligjit, faza e dytë do të jetë gjetja e solucionit dhe faza e tretë është faza kur do t’i testojmë rezultatet e arritura përmes debateve të ndryshme”.

Edhe ndryshimet e Ligjit zgjedhor janë paraparë në marrëveshjen politike ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, e cila duhet të përfundojë nga 8 deri në 12 muaj, do të prodhojë si rezultat zgjedhje parlamentare në fund të vitit 2013.

Ulëset e minoriteteve

Arsim Bajrami ka thënë se Kushtetuta nuk do të preket sa u përket privilegjeve të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se Kushtetuta dhe Plani i Ahtisaarit e parashohin që pas dy palë zgjedhjesh, ulëset e rezervuara të minoriteteve kalojnë në vende të garantuara.
“Kushtetuta e ka përcaktuar që në ciklin e tretë të zgjedhjeve pas pavarësisë, vendet e rezervuara shndërrohen në vende të garantuara. Kështu që nuk do të bëjmë ndryshime, sepse këto ndryshime do të vijnë në mënyrë automatike, sipas fuqisë së Kushtetutës aktuale dhe Komisioni nuk i ka në agjendë ndryshimet kushtetuese që do të zvogëlojnë të drejtat e pakicave”, ka thënë Bajrami.

Po çka do të thotë kalimi nga vendet e rezervuara në vende të garantuara?
“Kalimi në vendet e garantuara nuk është një ndryshim teknik, por është një ndryshim substancial, sepse mundëson një balancim të përfaqësimit të pakicave dhe pakicat tani nuk do t’i kenë 20 vende të rezervuara plus vende të fituara, por maksimalisht në Kuvend do t’i kenë 20 vende të garantuara dhe ato do të marrin mandate shtesë vetëm nëse në zgjedhje marrin vota”.

Aktualisht pakicat në Kuvendin e Kosovës i kanë 27 deputetë, 20 të rezervuara, ndërsa 7 të fituara me votë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›