E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokada ruse rrit çmimin e grurit në Shqipëri

Importuesit: Kemi rezerva deri në gusht. Në 4 ditë, rritje 18% e miellit. Rrezikohet buka

Embargoja ruse për eksportin e grurit ka shkaktuar luhatje në bursa, duke sjellë rritje të çmimit deri me 25 për qind. Vendimi i qeverisë së Moskës për të ndaluar eksportet po jep efekt zinxhir në disa ekonomi, përfshi edhe Shqipërinë, e cila furnizohet me grurë kryesisht nga Rusia, për shkak të kostos së ulët të transportit. Roland Hysi, kryetari i Unionit të Agroushqimit, që mbulon edhe pjesën e importit të grurit tregon për “Shqip”, se në katër ditët e fundit, çmimi i një ton grurë ka pësuar rritje me gati 80 dollarë, gjë që do të reflektojë te produkti miell. Sipas Hysit, në dy ditët e fundit, në vend kanë hyrë përmes Portit të Durrësit shtatë anije me grurë nga Rusia, me një sasi prej rreth 25 mijë tonësh. “Luhatjet po ndihen çdo ditë, si pasojë e bursave dhe ndikimit që jep dollari. Vetëm për dy ditë ka rritje me 30 dollarë”, deklaron kryetari i Unionit Agroushqimor. Nëse situata do të vijojë e tillë, pa ndryshim, atëherë në vend rrezikohet rritja e çmimit të bukës.

Tregtarët thonë se buka 700 gramëshe ka pasur një kosto në miell rreth 26 lekë dhe tani ka shkuar në 28 lekë, ku pritet që në dy ditët e ardhshme të arrijë në 32 lekë, pra me një rritje prej afro 18 për qind.

“Për momentin nuk mund të them, të paktën deri në muajin gusht, se do të ketë efekte të rritjes së çmimit të bukës në vend, pasi kemi rezerva me grurë dhe miell të blerë me kosto para embargos”, tregon Hysi. Sipas tij, e gjithë goditja do të bjerë mbi prodhuesit e bukës, të cilët do të ulin fitimet në mënyrë që të mos ketë ndikim në çmim. Ekspertë të fushës mendojnë se konkurrenca mes furrave të bukës dhe ligjet e Autoritetit të Konkurrencës nuk do të lejojnë një rritje të çmimit, që sot është 60-70 lekë për një bukë 700 gramëshe (normative mesatare).

Të pyetur nga gazeta, importuesit shqiptarë po shikojnë gjetjen e rrugëve të tjera deri në zhbllokimin e embargos në Rusi, e cila mund të zgjasë deri në fund të vitit. “Do të shikojmë mundësitë për të marrë grurë në Hungari, Gjermani dhe Francë, vende që kanë prodhim dhe cilësi të lartë, por edhe në kosto, përfshi në valutë euro”, thotë Hysi, duke shtuar se arsyeja pse blihej gruri në Rusi ishte kostoja e ulët e transportit.

Që prej datës 15 gusht e deri më 31 dhjetor, qeveria ruse ka deklaruar se do të ndalojë eksportin e grurit, pasi zjarret masive shkatërruan të mbjellat. “Mendoj se është mirë të paraqesim një embargo të përkohshme të eksporteve nga Rusia për grurin dhe produktet e tjera të agrikulturës që rrjedhin prej tij”, ka deklaruar Kryeministri rus, Vladimir Putin. Qeveria ruse ka ulur parashikimet për vjeljen e grurit për vitin 2010 në 70 deri në 75 milionë tonelata nga 97 tonë që ishin në vitin 2009.
Njoftimi i zotit Putin ka çuar në një rritje të çmimit të grurit për të 23-tin muaj rresht. Rusia ka eksportuar 21.4 milionë tonelata grurë vitin e kaluar, pothuajse çereku i prodhimit total. Ndërkohë, një tjetër element që ka ndikuar në rritjen e çmimit të grurit është edhe moti i keq në Kanada, ku është paralajmëruar një krizë ushqimore, që pritet të prekë vendet më të varfra. Brenda harkut kohor njëmujor, çmimi i grurit ka pësuar rritje me rreth 220 dollarë për ton, duke rrezikuar të kapë kuotat negative të dy viteve më parë, në rreth 870 dollarë për ton (sot është 660 dollarë).

Deklarata e Kryeministrit rus, e bërë dy ditë më parë, shkaktoi furtunë në bursa, në masën 4 për qind, duke hedhur poshtë hipotezën e ministrit të Bujqësisë, Alexander Belyayev, se nuk ka ende një vendim për kufizimin e eksportit të grurit. Nga ana tjetër nuk mungon presioni i BE-së, kurse dje, zv/presidenti rus, Igor Shuvalov, deklaroi se “vendimi për ndalimin e eksportit mund të rishikohet, në varësi të prodhimit”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›