Murinjo: Refuzova një superofertë
Cili është pengu më i madh i Hoze Murinjos? Që nuk u largua nga Çelsi në fund të sezonit të kaluar për t‘u emëruar "te një prej ekipeve më të mëdha në Evropë". Ka qenë vetë trajneri portugez që e ka pohuar këtë gjë, në një intervistë për një gazetë ruse. Ndër të tjera, "Speciali" rrëfeu se ka refuzuar një ofertë "mjaft joshëse" për të marrë vendin e Stiv MekKlarenit, në momentin kur ai sapo ishte larguar nga stoli i kombëtares angleze. "U gabova që nuk e lashë Çelsin në fund të sezonit të kaluar", ishin fjalët e Murinjos. "Kisha një ofertë të rëndësishme, nga një prej klubeve më të famshme në Evropë, por në atë kohë vendosa të qëndroja në Londër, pasi i kisha premtuar tifozëve që nuk do të largohesha nga ‘Stemford Brixh‘ me nismën time. Katër muaj më vonë, më pushuan nga puna. Tashmë e kuptoj se nuk duhej të kisha hequr dorë nga shansi që m‘u paraqit". Pasi e shkarkoi nga blutë, pronari Roman Abramoviç preferoi që në drejtim të skuadrës të emëronte Avram Grant. Megjithatë, vetëm pak muaj pasi gjendej i papunë, Murinjos i erdhi oferta e përfaqësueses së "Tre Luanëve", e cila nuk arriti të kualifikohej për në Euro 2008. Në këtë detyrë, ai duhej të zëvendësonte teknikun MekKlaren, të cilësuar si shkaktarin e rënies së futbollit anglez. Por, trajneri nga Setubal preferoi ta quante veten jashtë garës, duke i hapur rrugën Fabio Kapelos (teknikut aktual). "Oferta që Federata Angleze më bëri ishte vërtet joshëse, por iu përgjigja negativisht. Të punosh me një ekip kombëtar, edhe pse kjo kombëtare quhet Angli, nuk më intereson. Unë i adhuroj stërvitjet e përditshme, ndeshjet që luhen çdo javë, ose ndonjëherë edhe tri herë në javë. Në fund të fundit nuk jam në moshën 60 vjeç, por jam vetëm 45". Pasi punësoi Kapelon, detyra e të cilit është që t‘i kthejë lavdinë përfaqësueses së Mbretëreshës, FA bëri të ditur se pavarësisht bisedave me shumë kandidatë, "italiani ishte zgjedhja e parë". Për sa i përket së ardhmes së afërt, Murinjo nuk e ka fshehur dëshirën për t‘u rikthyer në një pankinë prestigjioze, ku preferon në Itali ose në Spanjë. Nga ana tjetër, luzitani nuk ndjen aspak zili që Çelsi arriti në finalen e Ligës së Kampioneve pikërisht kur ai u largua dhe ka pohuar se në Moskë do të bëjë tifo për blutë. "Nuk e kam zili Grantin që arriti ta çonte Çelsin në finalen e Champions, pasi ndjenja të tilla mund të shfaqen vetëm te të dobëtit dhe humbësit. Nëse do të fitojnë Championsin? E kam fituar edhe unë. Që pas largimit nga skuadra nuk kam thënë asnjë fjalë rreth arsyeve të pushimit nga puna. Nuk ka pasur probleme ndërmjet meje dhe Abramoviçit dhe marrëdhënia jonë është e hapur. Vazhdojmë të flasim me njëri-tjetrin dhe nuk e harrojmë periudhën kur kemi punuar së bashku".