E Diel, 1 Nëntor 2026

Pepe, ja budallallëqet e “idiotit” të Real Madrid

SPANJE- Idiot! Është ky epiteti i zgjedhur nga Uejn Runi në Tuiter, për të përkufizuar sjelljen e mbrojtësit të Realit të Madridit Pepe. Sjellja e tij në klasiken e Kupës ndaj Barcelonës, të mërkurën në mbrëmje, e fituar 2-1 nga katalanasit, ka skandalizuar jo vetëm botën e futbollit, por edhe mediat e tifozët. Madje, edhe vetë Murinjo e ka quajtur si të “padenjë për Realin e Madridit”, në konferencën për shtyp pas ndeshjes në Kupë. Akti i fundit i Pepes ishte të mërkurën në mbrëmje në “Bernabeu”, në sfidën me Barçën. Në fillim, ai simuloi për një pseudo-goditje të Fabregas me dorë në fytyrë. Ok, një gjest i tillë ndodh gjithandej dhe historia e futbollit është e mbushur me raste të tilla. Por, gjëja më e rëndë është ecja mbi këmbën e Mesit në minutën e 22-të të pjesës së dytë, në një moment kur loja ishte e ndaluar. Pepe në ato momente ishte i ndëshkuar me të verdhë dhe me këtë gjest, rrezikoi një sanksion të rëndë. “I shëmtuar, i dëmshëm dhe i paparaqitshëm”, shkruan për portugezin gazetari Filipo Maria Riçi i “Gazzetta dello Sport”, që i jep mbrojtësit të Realit notën “3”.
Kartonat
Dy net më parë, Pepe nuk u ndëshkua me karton të kuq, por që kur ka veshur fanelën e Realit të Madridit (klubi spanjoll e pagoi 30 milionë euro), ka dalë 6 herë me të kuqe në 135 ndeshje të luajtura. Pak a shumë, njëherë në 22 ndeshje. Pepe ka marrë ndëshkimin maksimal në të tre kompeticionet: kampionat, Kupë dhe Champions League. Numra tërësisht të ndryshëm në krahasim me periudhën te Porto, kur në 85 ndeshje, ai regjistron vetëm një karton të kuq. Po ashtu edhe me kombëtaren, ku në 37 takime, është ndëshkuar vetëm 6 herë me karton të verdhë. Një gjë e tillë do të thotë se lojtari nuk e duron presionin që mbart mbi vete fanela e Realit të Madridit. Pepe është simboli i lojës së dhunshme të Realit, që del në pah sidomos në klasiket me Barçën.
Getafe
Problemi i Pepes është se ndëshkimet e tij kanë mbetur në histori. Është normale që një mbrojtës të dalë me të kuqe, pasi ndjehet në vështirësi përballë një kundërshtari, por si mund të shpjegohet episodi i 21 prillit 2009? Kundër Getafes, Pepe bën një faull për penallti ndaj Kaskueros dhe i pakënaqur, ndërsa kundërshtari ndodhej në tokë, e goditi disa herë rresht me shkelma. Më pas u zu me të gjithë dhe u desh ndërhyrja e Iker Kasijas për të evituar më të keqen. Gjykatësi sportiv e dënoi Pepen me 10 ndeshje skualifikim, me këtë motivacion: “Një ndeshje pezullim për faullin, katër për sjelljen e dhunshme ndaj Kaskueros, katër për sjelljen e dhunshme ndaj Albin dhe një për fyerjet ndaj arbitrit. Nuk u provokua dhe nuk tregoi shenja pendimi të menjëhershëm. Për më tepër, është ndëshkuar 7 herë me të verdhë këtë sezon”. E kuqja e së mërkurës ishte e dyta në klasiket me Barcelonën, pas asaj në gjysmëfinale të Champions League, kur i ndërhyri si “kasap” Dani Alvesh përpara syve të arbitrit.
Ndeshja
Barcelona fitoi 2-1 në çerekfinalen e parë të Kupës së Mbretit, luajtur të mërkurën në “Bernabeu”. Ronaldoi kaloi Realin në avantazh pas 10 minutash, Pujol barazoi në të 49-tën, ndërsa Abidal shënoi golin e fitores për Barçën në minutën e 77-të.

Lidhje te tjera Runi: Pepe është një idiot! Mediat spanjolle në kor: Reali, një ekip i pistë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›