E Diel, 1 Nëntor 2026

Peqin, aty ku njerëzit jetojnë çmendurisht me futbollin

Nga Dritan Ikonomi
Një udhëtim dhe disa orë në qytetin e vogël të Peqinit sigurisht që nuk është mënyra më e mirë për të shtyrë ditën, që në fund të fundit nuk është se shtyhet kushedi se cfarë edhe në qytete shumë më të mëdha. E megjithatë, ideja e një reportazhi në ditën kur skuadra vendase rikthehet për herë të parë në fushën e saj pas "syrgjynosjes" disamujore, është ngacmuese. Shkumbini u ka munguar tifozëve të tij që nga 14 tetori 2006, kur humbiste 0-2 me Partizanin. Si për ta bërë më të hidhur kupën e dëshpërimit, një goditje me "putër" nga ana e Komisionit të Disiplinës të FSHF-së e dënoi skuadrën me gjashtë ndeshje në fushë asnjanëse, si pasojë e disa incidenteve të papëlqyeshëm të ndodhur në takimin me të kuqtë. Pesë ndeshje kampionati dhe një për Kupën e Shqipërisë u luajtën në fushë asnjanëse. 130 ditë pa skuadrën e tyre, në mesin e sezonit, janë vërtet shumë për një komunitet të cmendur pas futbollit, sic është ai i Peqinit, i gatshëm deri në marrëzi për të përkrahur bardhekaltrit e Shkumbinit. E si të mos mjaftonte dënimi nga federata, rikthimi në shtëpi u shty për pak ditë edhe nga fushata zgjedhore, që në Shqipëri ka zakon të bëjë corap gjithcka e nuk kursen as futbollin. Cdo pritje e ka një fund dhe ja tek vjen edhe dita e shumëpritur: 21 shkurt 2007, Shkumbini pret Luftëtarin, për javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Natyra nuk ngurron të luajë pjesën e saj dhe dhuron një ditë vere, ideale për të parë futboll në stadium. Hyrja është falas, askush nuk duhet të ngurrojë për të shkuar në stadium e të përkrahë skuadrën e zemrës, të cilës i kushtoi shtrenjtë "internimi". Pesë ndeshje në fushë neutrale prodhuan vetëm humbje për peqinasit, që tani mbajnë vendin e fundit në renditje dhe janë më të rrezikuarit për të zbritur poshtë. Transfertat në Peqin nuk kanë kaluar pa shqetësime për skuadrat që janë ndeshur në fushën sportive të qytetit të Shqipërisë së Mesme. Fitoret shpeshherë janë konsideruar si tabu dhe jo pa të drejtë, vështirë se gjendet ndonjë stadium në Kategorinë Superiore aq intimidues për kundërshtarin. Është etiketuar shpesh si "fushë e nxehtë", është thënë rëndom "atje nuk luhet", aq sa tani askush nuk do të habitej nëse në foklor do të dilnin edhe "përralla me Peqin", përvec atyre me Qeros e kucedra. E megjithatë, një vizitë në Peqin, ditën e ndeshjes, nuk është aspak si të shkosh në burimin që e ka zënë kucedra. Pas një kafeje e një gote konjak në një lokal në qendër, ku cmimet janë si në kohën e "xhaxhit" e ku respektin ta bëjnë me gjithë zemër, vjen rruga për në stadium. Grupet e vegjël të njerëzve në qytetin ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin të shohin me kureshti, por pa kurrëfarë armiqësie, nga ajo që shihet rëndom në aq shumë stadiume të botës. Nga Tirana vjen pyetja: "Si është gjendja?". Asgjë shqetësuese, por duhet pritur ende. Do edhe gjysmë orë të nisë ndeshja dhe para bilbilit të fillimit asnjëherë nuk ka ndodhur gjë në Peqin. Rrëmujat përherë janë bërë gjatë apo pas ndeshjeve. Atmosfera në tribunë është krejt normale kur gjyqtari Kridens Meta fërshëllen startin e takimit kundër Luftëtarit. Disa thirrje për të mbajtur drejt, nga ata që kujtojnë se i bëjnë "presion" gjyqtarit, dhe vetëm kaq. Me kalimin e minutave, situata tensionohet, por këtë herë e kanë me skuadrën e tyre. Gjirokastritët janë mbyllur në mbrojtje, por Shkumbini e ka të pamundur të depërtojë, falë gabimeve foshnjarake të sulmit. Tifozët nuk aprovojnë dhe nuk i kursejnë sharjet. Nuk është dakord ndihmëstrajneri Gugash Magani, i cili ironizon që nga stoli: "Shajini, shajini, se ashtu do fitojnë". Ish-kapiteni është një legjendë për Peqinin dhe tifozët as nuk e cojnë ndërmend t'i kundërshtojnë. Dhe ai ka të drejtë. Si pasojë e gjendjes në renditje, por edhe e mungesës së gjatë në fushën e tyre, skuadra është e tensionuar dhe këmbët nuk binden. Në fundin e pjesës së dytë, Rizvanolli i cliron të gjithë, me golin e cmuar, por vuajtjet ende nuk kanë mbaruar. Me dhjetë lojtarë, gjirokastritët hidhen përpara. Nuk kanë forcë, por janë në gjendje të mbjellin panik në tribunë. Sekondat e fundit, goditje nga këndi për miqtë dhe ankth te tifozët. Për fat, gjuajtja me kokë e gjirokastritit është e dobët dhe pritja e Llanit shmang infarktin masiv, ndërkohë që Meta ul siparin e dramës. Më në fund, të gjithë janë të lumtur. Peqin, 21 shkurt 2007 6 ndeshje Dënimi që iu dha Shkumbinit nga Komisioni i Disiplinës, për incidentet në ndeshjen e javës së gjashtë, kundër Partizanit. 5 humbje Bilanci i Shkumbinit në ndeshjet e kampionatit, të luajtura në fushat asnjanëse të Durrësit e Lushnjës, 1 fitore I vetmi sukses i Shkumbinit në fushë neutrale, kundër Flamurtarit, për Kupën e Shqipërisë. Gaz Vogli, mikpritësi i gazetarëve Gazmend Vogli është pronari i televizionit "Klaudiana" dhe një mikpritës e shoqërues i përhershëm në stadium i gazetarëve e kameramanëve që shkojnë në Peqin për të ndjekur ndeshjet e futbollit. "Ne si qytet e kemi zakon t'i presim mirë jabanxhinjtë, por në stadium ka edhe njerëz të papërgjegjshëm që nuk e kuptojnë se hedhja e sendeve sjell vetëm dëm", thotë Gazi. Duke mos dashur të justifikojë incidentet e ndeshjes kundër Partizanit, nuk ngurron as të shprehet se dënimi ka qenë i tepruar. "Duket se kanë dashur të na bëjnë kokë turku. Nuk i përkrah ata që duan sherr, por 6 ndeshje ishte një dënim tepër i rëndë dhe i paarsyeshëm". Të shkuara, të harruara, ajo cka shpreson tani është që e ardhmja të jetë e qetë: "Njerëzve nuk ua mbyllim dot gojën dhe sharje do ketë, ashtu si kudo. Por, jam i bindur që incidente të rënda nuk do të ketë më".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›