E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja për shtyp dhe trajnerët shqiptar, një binom i çuditshëm

Nga Algen Vrapi

Albania-Sport
- Në futboll nuk fiton më i forti. Në futboll i fortë është ai që fiton. Ndodhi kjo në javën e njëzetë me kampionen në fuqi në fushën e saj dhe me skuadrën që, prej disa javësh, po i drejtohet e sigurt titullit, po në fushën e saj. Pra humbën edhe Elbasani, edhe Tirana. Të dy trajnerët e skuadrave vendase, në përfundim të ndeshjeve përkatëse, nuk dolën para përfaqësuesve të medias për të dhënë deklaratat e zakonshme. Nëse kjo është apo jo në etikën, në "Fair Play"-n e një trajneri, le ta gjykojnë sportdashësit. Në fund të fundit është e drejta e tyre të flasin apo të heshtin. Por nëse heshtja vjen vetëm pas një humbjeje, atëherë nuk shkon. Sigurisht media sportive nuk është kurrsesi në rolin e prokurorit që kërkon llogari. Por ndoshta sportdashësi e lexuesi tifoz do të donte të dëgjonte edhe opinionin e trajnerit, të dëgjonte ato "përse"-të që cuan në atë rezultat, ndoshta edhe ndonjë nga mënyrat për t'u ringritur në ndeshjen e radhës. Pra, një opinion i trajnerit humbës, është edhe një respekt për tifozin, për atë tifoz të cilit shpesh teknikët shqiptarë i bëjnë thirrje për mbështetje në stadium. Të dish të humbasësh, të dish ta menaxhosh humbjen për të rifilluar fitoret, është një cilësi e dobishme për një teknik profesionist, cilësi që duhet të dijë t'ua përcjellë edhe futbollistëve. Heshtja me shtypin, e përsërisim, është një e drejtë e trajnerit. Gjendja shpirtërore e lojtarëve dhe e trajnerit pas një humbjeje mund të jetë e trazuar, nuk është e njëjta gjë si pas një fitoreje. Kjo është e vërtetë. Me një dyshim të vogël: më pak se dy orë pas takimit me Kavajën dhe pas heshtjes me shtypin vendas, gjendja shpirtërore e trajnerit të bardhebluve u duk e stabilizuar gjatë komentimit të një ndeshjeje të Ligës së Kampioneve në një kanal televiziv. Edhe kjo është gjithashtu një e drejtë e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›