Shqipëri-Slloveni, UEFA zbarkon nesër në Tiranë për inspektim

Albania-Sport - Një delegacion i UEFA-s do të vijë nesër në Tiranë, ku më pas do të inspektojë stadiumin "Loro Borici" të Shkodrës, ku kombëtarja shqiptare do të luajë më 24 mars 2007 ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2008, atë kundër Sllovenisë, deklaroi sot zëdhënësi i shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), Lysjen Nurishmi.
Ndërkohë, sikurse është bërë e ditur, për ketë ndeshje pritet që të vijnë në Shqipëri rreth 100 tifozë sllovenë, për të ndjekur kombëtaren e tyre, ndërkohë që do të jenë të pranishëm edhe 20 gazetarë. Shqipëria vjen në këtë takim pas asaj humbjeje 0-1 në miqësoren e 7 shkurtit 2007, po në Shkodër, kundër Maqedonisë dhe Kombëtarja kuqezi mban vendin e parafundit në grupin G, me një pikë të vetme të marrë në 3 takime, ndërsa Sllovenia renditet vetëm një vend sipër nesh, me 3 pikë të marra nga 3 takime.