E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI zgjedh të dielën kryetarin për degën e Tiranës

07/05/2005  Dritan Prifti paraqet zyrtarisht dorëheqjen

Strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të zgjedhin ditën e diel kryetarin e kësaj partie për kryeqytetin. Ilir Dashi dhe Armend Halebi janë kandidatët që do të synojnë postin prej të cilit ka dhënë dorëheqjen Dritan Prifti. Strukturat e kësaj partie kanë përzgjedhur emra, të cilat janë kandidatë të kryeqytetit, pasi Prifti do të kandidojë në rrethin e Fierit, gjë e cila e bënte të pamundur të ishte kryetar i partisë në Tiranë. Gjithashtu, ditën e diel, do të zhvillohet dhe konveta e parë e lëvizjes rinore për integrim, e cila, pas largimit të kryetarit të saj, disa muaj më parë, do të bëjë zgjedhjen e drejtuesit të këtij forumi. Mësohet se aktualisht janë afruar dy kandidatura, ajo e Erisa Xhixhos dhe Ilir Ballës. Delegatë të të gjitha strukturave të LRI-së në vend do të bëjnë përzgjedhjen e kryetarit të tyre për këtë forum, i cili zë aktualisht 20 për qind të përfaqësuesve të tij në strukturat e partisë. Pas konsolidimit të këtyre dy strukturave kryesore për LSI-në brenda 15 ditëshit të dytë të muajit maj do të mblidhet dhe Konventa Elektorale. Në këtë konventë do të zyrtarizohet lista e 100 kandidatëve për deputetë të kësaj partie për zgjedhjet e 3 korrikut. Gjithashtu në Konventë do të miratohet dhe platforma elektorale e partisë për zgjedhjet, duke përcaktuar objektivat që synohen të arrihen nga kandidatët e saj. Duke iu referuar deklaratave të përfaqësuesve të partisë, LSI-ja nuk do të pranojë formula bashkëpunimi mes saj dhe forcave të tjera politike, pasi synon të testohet para elektoratit shqiptar për pozicionin që do të ketë pas zgjedhjeve të 3 korrikut.

LSI ankohet te Blushi për listat

Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit nuk i është përgjigjur kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim për t'i dhënë listën e votuesve. Kërkesa e kësaj force politike, sipas kryetares së LGI-së, Brizida Gjikondi, është konform Kodit Zgjedhor, ku të gjitha subjektet politike, të cilët janë pjesëmarrës në procesin zgjedhor, kanë të drejtë t'u sigurohet lista e votuesve. Sipas Gjikondit, kërkesa i është dërguar dy herë ministrit Blushi, i cili në të dyja rastet nuk ka kthyer asnjë përgjigje, në një kohë që deklarohet se janë mbi 200 mijë emra të dubluar, gjë e cila do të thotë që janë votat për të zgjedhur mbi 15 deputetë. Ndërsa nga ana e saj, LSI-ja ka deklaruar se është e gatshme që vullnetarë të saj të marrin pjesë në struktuart që ministria ka ngritur për të eliminuar dublimet në listat, në një kohë që janë shkelur dhe afatet për publikimin e këtyre listave. Mungesa e bashkëpunimit mes ministrisë dhe LSI-së është kritikuar nga përfaqësuesja e grave të LGI-së si një mënyrë për të manipuluar zgjedhjet e 3 korrikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›