E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për 3 ndërmarrje, shpërndahet 20-përqindëshi

Nga Express më 21 prill 2011 në ora 18:00

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në një mbledhje të mbajtur sot, miratoi listat e punëtorëve për shpërndarjen e pjesshme të shumës së 20-përqindëshit punëtorëve të kualifikueshëm për tri ndërmarrje shoqërore: për Ndërmarrjen Shoqërore (NSH) “Zastava-Ramiz Sadiku”, Pejë; “Prodhimtaria Primare-Ereniku”, Gjakovë; “28 Nëntori”, Podujevë.

Bordi i Drejtorëve, po ashtu, miratoi shpërndarjen përfundimtare të fondeve të likuidimit për NSH PRN059 “Kosova Kontroll”– rajoni i Prishtinës. “Ky është një lajm shumë i mirë për Agjencinë dhe për Kosovën, pasi që është ndërmarrja e dytë e likuiduar në tërësi. Pas përmbushjes së kërkesave të kreditorëve, shuma e mbetur në shumë 60 mijë euro, në bazë të ligjit, i transferohet buxhetit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të AKP-së.

Bordi diskutoi edhe për procesin e filluar dhe që është duke vazhduar për amandamentimin e ligjeve që lidhen me procesin e likuidimit, me qëllim të përshpejtimit të këtij procesi të rëndësishëm për procesin e privatizimit dhe për ekonominë e Kosovës në përgjithësi.

Miratohet transaksioni i “Llamkos”-it me kushte rigoroze

Bordi i Drejtorëve aprovoi Valën e 50 të privatizimit, në të cilën janë vendosur për shitje 15 ndërmarrje të reja atraktive dhe me perspektivë. Gjithashtu, Bordi aprovoi transaksionet e shitjes përmes Valës 49 të privatizimit, si dhe transaksionin e ndërmarrjes “Llamkos”, me kushte rigoroze ndaj ofertuesit fitues me qëllim të realizimit të premtimeve të dhëna në ofertë.

Bordi i Drejtorëve diskutoi dhe miratoi një memorandum lidhur me kompensimin e punëtorëve të skemës së asistencës sociale të NSH Sharrcem nga fondet e akumuluara nga të ardhurat e qirasë.

Gjatë këtij takimi, Bordi i Drejtorëve diskutoi edhe për depozitimin e mjeteve të fondeve të mirëbesimit në BQK, ku deri më tani janë deponuar 532 milionë euro, ndërsa norma e interesit llogaritet 4.4 milionë euro, ose 3.9 milionë euro më shumë se më parë, që i bie 8 herë më shumë përfitime se sa që ishin fituar poqese mjetet do të mbaheshin akoma në xhirollogari rrjedhëse. AKP do të vazhdojë me deponimin e mjeteve në BQK, duke kërkuar mundësi për norma më të larta të interesit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është më rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.

Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve në investitorë privatë, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›