Për Burleskën
Underneath the city lights
There is a world few know abort...
Nën dritat e qytetit
Është një botë që fare pak dinë për të...
Kamerieres Ali (Christina Aguilera) i ka ardhur në majë të hundës jeta monotone në Iwoa kur, me paratë e një rroge, vendos të ndjekë ëndrrën e saj.
Dhe niset me, siç nuk mund të ndodhë ndryshe, një biletë njëdrejtimëshe për Los Angeles.
Pavarësisht se entuziazmi i saj prej naiveje has në shumë përplasje dyersh para hunde në Los Angeles, kokëfortësia e bën të kryejë punë fare të zakonshme – në një klub jo të zakonshëm - në Burlesque.
Për pronaren dhe drejtoreshën artistike, Tess, (Cher) - e cila ndodhet në pisk mes dilemës për ta shitur klubin dhe rrezikut që të fundoset, si pasojë e borxheve në tregun e patundshmërive - klubi Burlesque nuk është thjesht një pasuri. Ai shndërrohet në një çështje personale, si paraqitje e një linje mes suksesit apo fundosjes përfundimtare. Linjë aq e hollë, sa në një moment na shfaqet në formën e një perdeje që lëshohet deri në gjysmë pikërisht në mes të shfaqjes.
Është koha kur Ali (shkurt nga Alisa), e gjendur në skenë, me fyt të tharë para një publiku që pret, shpërthen me një vokal deri në kufij të përsosmërisë.
Duartrokitjet paralajmërojnë lindjen e një ylli skene...
Por, të gjitha vështirësitë e menaxhimit të Burlesque nuk kanë mbaruar.
Tess duhet të mësojë që në Los Angeles më shtrenjtë se çdo gjë shitet pamja, në mënyrë që të mbijetojë financiarisht.
Jack (Cam Gigandet), një aspirant ky për shkrues këngësh, zihet në kurthin e dilemës; të vazhdojë me të fejuarën e tij(një aktore spirante në New York) apo të bjerë viktimë e sharmit të Ali. Vendos për këtë të dytën. Dhe, vështirësitë në këtë marrëdhënie pastaj e çojnë te përfundimi i këngës së tij (deri atëherë s’kishte përfunduar asnjë këngë të vetme): “Show me how you burlesque”.
Burlesqe me skenarin e tij na ofron një rrëfim dramatik - tipik amerikan - për dashurinë, guximin për të ndjekur ëndrrat, për suksesin dhe triumfin e asaj që rëndom perceptohet si pozitive. Nuk mungon as ironia e dialogëve, sarkazma dhe intrigat e personazheve dytësore.
Por, më shumë se gjithçka tjetër në këtë mjuzikëll vlen të theksohen cilësitë vokale të dy këngëtareve Cher dhe Christina Aguilera, rreth të cilave edhe sillet e tërë shfaqja në Burlesque.