Për Dik Martët e aradhat pro-serbe mjafton të lexojmë disa prej parathënieve mjeshtërore të Ismail Kadaresë
Cilido që kërkon të dijë portretin e vërtetë të Karla Del Pontes, mjafton të qëmtojë në parathëniet mjeshtërore të disa librave ndërgjegjësues për detyrimin tonë të papërmbushur ende, si edhe për disa vende që “ende nuk janë distancuar nga krimet e kryera në të shkuarën prej regjimeve totalitare komuniste” (Pika 6 e vendimit të P.A-së së KE-së). Majtizmi ynë i skajshëm është në krye të këtyre vendeve. Ajo që ndodhi në 16 shtatorët e kaluar, për festimin e Konf.Pezës me ovacione për E. Hoxhën, është njëra ndër shpërfilljet më të pacipa të këtij vendimi.
Parathëniet e librave me subjekt ndëshkimin e krimeve të totalitarizmit shqiptar, me autor I. Kadarenë, tashmë mund të përmblidhen në një vëllim më vete. Është një zë i fuqishëm, i sinqertë, i shprehur me një stil të mprehtë, që dëshmon papajtueshmërinë e autorit të këtyre parathënieve me ato regjime të cilat “kanë qenë karakterizuar nga dhunime të lirisë së ndërgjegjes, të mendimit dhe të shprehjes”, siç lexojmë që në pikën e parë të vendimit të Këshillit Parlamentar të Europës, debatuar në Strasburg, “Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (25.01.2006”).
Një shkrimtar i kalibrit të përbotshëm, si I. Kadareja, nuk mund të duronte dhunën komuniste dhe as asfiksinë e fjalës së lirë. Gjesti i tij i braktisjes së regjimit të pasardhësit të diktatorit, R. Alisë, ia tronditi themelet hipokrizisë së kohës, kur kërkohej që né, shqiptarët, të mos ishim as Lindje, as Perëndim! Ata që ishin mësues në shkollat e mesme në atë kohë të ethshme, kanë ruajtur në kujtesën e tyre sesi kishte ardhur një qarkore nga Komiteti Qëndror i Alisë, që të dënohej “arratisja” e Kadaresë. Por frika ishte thyer, disi. Dhe kundërveprimi ishte i guximshëm. Dënimi publik i shkrimtarit u la në mes; por në letërsi autori i madh mbeti jashtë veprave që studioheshin në shkollë, me urdhër “të brendshëm”. Veçse nuk mund të shkohej më tej. Vendimi i pashpallur zyrtar mbeti në letër. R. Alisë po i dridheshin këmbët. Diktatura, në grahmat e fundit të saj, nuk guxoi që të bënte një njoftim ndëshkues mediatik.
Një shkrimtar si Ismaili ishte koherent në dënimin e diktaturës, shumë kohë më parë nga 25 janari i 2006-s, kur AP e KE-së mori vendimin e saj të prerë “Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Dhe dihen mirëfilli (me përjashtim të brezit të ri të sotëm, citimet e asaj kohe, kur edhe referatet e zakonshme do të nisnin domosdoshmërisht me mençurinë e tiranit, në të gjitha fushat e dijes! Dashakëqijtë do të bënin mirë të flisnin edhe për veprat e Kadaresë, të cilat mbeteshin me vite sirtarëve. Dhe redaktorë të rëndomtë në letrat, por të zellshëm si militantë, i linin veprat pa botuar, bile jepnin edhe opinione se ishin të pabotueshme (ideologjikisht!). Nëse shkrimtarë mediokër ishin të paluajtshëm nga Tirana, Kadareja kishte edhe paralajmërime dhe vendime për “qarkullim” (në fushat e Myzeqesë), që të edukohej pranë klasës punëtore!
***
Intelektualët denigrues të cilët sapo i zumë ngoje, nuk ia falin Kadaresë Parathëniet e tij të mrekullueshme në veprat për “Zonjën e Zezë”; për shkrimtarët e rinj të talentuar Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, të ekzekutuar nga diktatura; për poeten me vargje që të rrëmbenin, Drita Çomon... por edhe për Parathënien e tre autorëve kroatë të shquar të “Spastrimit etnik”, libër i cili “duke qenë sfidë kundër shpërfilljes cinike, e cila i hapi rrugën aksionit kriminal të Millosheviçit, është njëkohësisht një qortim mbresëlënës për një pjesë të mendimit intelektual ballkanik që, edhe në rastet kur ishte kundër kësaj doktrine çnjerëzore, u tregua i mefshët e i vonuar për t’i rënë kambanës së alarmit. Nga ky qortim nuk përjashtohet edhe ndonjë pjesë e intelektualëve shqiptarë”.
Ndërmjet veprave të shumta të Kadaresë, në të cilat spikat frymëzimi për një kohë të re të mendimit të lirë, adhurimi për pluralizmin, si edhe ku ndihet buçitës fshikullimi ndaj nostalgjisë për një sistem shoqëror mbytës, kemi zgjedhur Parathënien e autorëve kroatë që cituam, të cilët i dolën në mbrojtje Kosovës, duke iu kundërvënë burrërisht “avokatëve të krimit”. Këta lloj avokatësh Kadareja i cilëson si “intelektualë që kanë braktisur parimet e mëdha të humanizmit, duke iu vënë në mbrojtje totalitarizmit komunist me një agresivitet të pashembullt, duke filluar nga mizoritë e Stalinit e të Titos e gjer tek ato të Fidel Kastros”.
***
Opinioni publik i njerëzve të ndershëm u trondit, disa vite më parë, nga qëndrimi i përkundërt me vetveten dhe, për më tepër, i çuditshëm, i Karla del Pontes, prokurores së Hagës. Kjo, siç duket, kishte harruar se nuk ia kishte vërshëllyer kush në Serbi, që të dorëzoheshin për t’u proceduar në Gjyqin e Hagës Mladiçët e kompani, që mbahen të strehuar brenda kufijve të tanishëm të Serbisë, ende të përkëdhelur. Sapo e mbaroi mandatin si prokurore, i kishte shkrepur me shqiptarët, duke ngritur zërin për krime të hamendësuara që paskëshin bërë shqiptarët ndaj ushtarakëve serbë, por edhe ndaj civilëve, gra e fëmijë, të cilët qenkan vrarë nga UÇK-ja, që t’u merreshin organet trupore për transplantim! Del Ponte, që ishte emëruar ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, kishte zgjuar habi edhe në vendin e saj me këto trillime absurde! Ishin bërë edhe ekspertiza e gërmime në veri të Shqipërisë dhe dyshimet e Del Pontes dolën blof! Ndërkaq u kritikua ashpër edhe në vendin e saj. Pati një mori zërash në Zvicër që ajo ishte padenjë për të qenë ambasadore në Argjentinë.
***
Kadareja e shpjegon bukur e bindshëm , me përsiatjen e tij psikologjike, cilësi e shkrimtarëve të pazakontë për kah përmasat. Në Parathënien që po shqyrtojmë, zbërthehet figura e një alter ego-je të Del Pontes, filozofit francez Rezhis Debre.
Ja mendimet e Kadaresë për autorët kroatë të “Spastrimit etnik”: “Kur të tre autorët kroatë që shkruan dhe botuan këtë libër, egërsia serbe e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit ishte ende në dallgëzimet e para të saj. Nostalgjia projugosllave vazhdonte ende ta mbronte atë që mendjet e ndritura të Europës e cilësonin si “nazizëm ballkanik”. Të gjitha shenjat ishin shfaqur qartë: propaganda vulgare raciste, urrejtja për popujt e tjerë, masakrat masive, kampet e përqendrimit dhe, mbi të gjitha, doktrina e “spastrimit etnik”. Kjo e fundit përbënte edhe thelbin rreth të cilit mbështillej e keqja. Dhe meritë e autorëve kroatë është që e kapën pikërisht atë thelb, në kohën kur sytë e të tjerëve ishin të verbër.
U desh që të derdheshin përrenj të tjerë gjaku, u desh që krimi serb të harbohej në Bosnjë për të arritur, më pas, në Kosovë, që Europa dhe bota të shkundeshin, më në fund, nga dremitja. Që mendja të arrinte më në fund në skenën e mirëfilltë të tragjedisë në Kosovë, popullit shqiptar iu desh që të flijonte mijëra nga vajzat e djemtë e tij më të mirë, qindra foshnje të prera me thikë, qindra gra e cuca të përdhunuara, mijëra shtëpi të djegura, dhjetëra mijëra fate njerëzore të përmbysura (...)”. “(...) Fushata për të dënuar Aleancën Atlantike për ndërhyrjen e saj, për të nxjerrë të pafajshme Serbinë, vazhdoi sipas një logjike të përçudnuar që të balanconte fajin midis serbëve dhe shqiptarëve; madje, disa herë, të bënte fajtorë shqiptarët në këtë konflikt!”. “Në krye të kësaj fushate ishin ata intelektualë që dikur kishin bekuar haptas ose heshturazi krimet e stalinizmit apo të maoizmit. Për të kuptuar portretin e tyre, mjafton të përmendim njërin, filozofin francez Rezhis Debre. Ka botuar shumë libra dhe është quajtur shpikësi i “mediologjisë”; megjithatë ka dy shenja në jetën e tij që është vështirë të harrohen. E para, ka lidhje me dyzet vjet më parë, kur është akuzuar se ka tradhtuar Çé Guevarën, akuzë e përdorur tani vonë nga e bija e këtij të fundit. E dyta, kur në 1999-n është akuzuar prapë për pabesí, këtë herë nga një grup pleqsh kosovarë, që jetonin bashkë me mijëra të tjerë në llucën e Bllacës, në Maqedoni. Kur dëgjuan për deklaratën e tij, pleqtë e treguan ngjarjen kështu: “Erdhi pastaj një frëng i dijshëm, nga ata që u thonë filozofa. Por ai kishte kenë i pabesë”. “Rezhis Debre, duke përfituar nga terri që mbuloi ngjarjen e parë (...) është përpjekur ta lajë veten nga akuza të hershme. Mirëpo nga përsëritja e akuzave për pabesí prej pleqve anonimë të Bllacës, dyzet vjet më pas, ai nuk lahet dot në jetë të jetëve. Shprehja “e gjen nga s’e pret” duket si e krijuar enkas për këtë rast. Në kulmin e konfliktit të Kosovës, Rezhis Debre, - intelektual i angazhuar në aksione të guximshme, - u nis për në Jugosllavi, më saktë për në Kosovë. U nis për të parë me sytë e tij tragjedinë, për të dhënë gjykimin e tij, për të dënuar, “si gjithmonë”, xhelatët. Për të mbrojtur, “si gjithmonë”, viktimat. Ai mbërriti në Bllacë të Maqedonisë, atje ku mijëra shqiptarë të Kosovës po jetonin vuajtjet e ferrit. Ai dëgjoi midis tyre katër ditë, dëgjoi rrëfimet e tyre, mori shënime, ngjalli shpresa se do t’i dëshmonte botës ferrin që pa. U lehtësuan njerëzit kur nxorën një pjesë të krusmës; patën shpresë se fjala e “filozofit frëng” do të ndikonte që të zbutej disi ajo skëterrë”. “Pas kësaj Rezhis Debre u kthye në Paris. Në kohën që Franca priste dëshminë e tij, për habinë e të gjithëve, ai boton një letër drejtuar presidentit të Francës në të cilën, jo vetëm nuk tregon asgjë për ato lemeri që njerëzit i besuan në Bllacë por, përkundrazi, merr në mbrojtje Serbinë, Milosheviçin. Kurse për viktimat shqiptare nuk shfaq veçse një mosbesim të ftohtë”.
Më tej autori tregon në një mënyrë mbresëlënëse dhe ironike sesi u pritën me përçmim dëshmitë e tij dhe kush ia kishte paguar biletat. (E vërteta filloi të pikonte aty-këtu: edhe ftesa, edhe shoqëruesit, edhe paguesit ishin nga Beogradi(...) Shkurt, ai u nis atje ashtu siç qé nisur dyzet vjet më parë: për të tradhtuar. Atëherë, një njeri. Këtë herë, një popull)”.
“(...)Është e nevojshme të përmendet sot se, ndërsa ka mbaruar tragjedia e Kosovës, po bëhen përpjekje të krijohet një vazhdim i saj, njëfarë pastragjedie. Dukuritë që u përmendën më lart, balancimi i krimeve etj. etj. e dëshmojnë këtë synim”.
Le të vihet re ajo fjala “balancim”, që ka dalë dy herë gjatë pjesës që cituam. Bënë krime serbët, por bënë krime edhe shqiptarët: u lamë! Vërtet profetike: Ramush Haradinaj, rrezikon të rifillojë sërishmi Hagën, pasi mori pafajësinë. Gjithmonë për krime të pavërtetuara!
Nuk më rrihet pa dhënë edhe një fjali mbyllëse: “Por, siç ndodh nganjëherë kur ke dënuar dikë që e ke pasur të afërt, fill pas ndëshkimit shfaqen ca si shenja pendimi. Që pendimi të përligjej, u bë e dëshirueshme gjetja e gabimeve të shqiptarëve...”. “Qëndrimi i Karla Del Pontes është i përngjashëm me atë të Rezhis Debresë!
Debatuar në Strasburg, “Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (25. 01.2006).
Le të kujtojmë zemërimin e Abdulla Katuçit, më shumë se dy vite më parë/Kulla e tetëdhjetëvjeçarit Abdulla Katuçi gjendet në Rripë të Burrelit, 116 km larg Tiranës. I ka shkallët të vjetra prej druri, të nxira nga lagështia. Abdullai, si i zoti i shtëpisë, të cilit iu konbtruollua kulla, thotë: “Dua që të më ballafaqojnë me atë grua (me Karlën). Të shohim a rrej unë, a rren ajo!”.
Janë ngjarje për thurjen e një vepre letrare surrealiste, gjer në kufijtë e fantashiencës, ngjarje thuajse të pabesueshme për njerëzit normalë. Po a ia vlen që të stërhollojmë gjera që s’bindin askushin? Në këtë rast po, sigurisht. Sepse në themel të këtij vodvili (komedi e lehtë për të prurë shpirtin në vend, pas një drame të tmerrshme) qëndron një pabesi cinike, në kurriz të kombit tonë. Siç e pamë më sipër, krimi u dashka quajtur i dyanshëm. Ashtu si në tryezën televizive të Mikele Santoros, me antishqiptarë komunistë të tipit Armando Kosuta, Pietro Ingrao, Bizi, dhe marka të tjera të këtij kallëpi, të përgjëruar si stalinistë. Përmasat s’kanë rëndësi për këta mashtrues. Njëshi mund të barazohet me njëmijën! Që krimet të balancohen!
Por le të shkojmë më tej: I biri i Abdullait, Mersin Katuçi, 48 vjeç, që çalon nga njëra këmbë prej reumatizmës (i sapokthyer nga llixhat), thotë: “Nëse nuk e zbulon shteti këtë punë, do ta zbuloj vetë. Kurrë nuk kanë hyrë në kullën tonë serbë dhe as kosovarë. Hetuesit e Hagës ishin këtu dhe nuk zbuluan asnjë provë prej së cilës të nisej ndonjë hetim dhe nuk kemi asnjë informacion ose shenjë për të filluar një çështje të tillë“. I zoti i kullës, i prekur në nder për akuza të shpërfytyruara, demek sikur100-300 ushtarë e civilë serbë janë prurë në këtë kullë për t’u hequr organet, domethënë për transplantim! Kështu shkruan Del Ponte në librin e çmendurive „Gjuetia, unë dhe kriminelët e luftës“. Mersini shpërthen: “Ata (të grupit të Hagës, nja dymbëdhjetë veta) u shoqëruan nga prokurori i Burrelit, Arben Dyla i cili, në fillim të 2004-s, e shoqëroi këtë grup për të inspektuar shtëpinë“. Ai gjeti mirëkuptimin e të zotit të shtëpisë që t’i bënin kontroll kullës e t’i hapnin të gjitha dyert e të kontrollonin të gjitha skutat. Dhe vërtet “për 9 orë familja ka ndenjur jashtë, ndërsa hetuesit e huaj kanë rrëmuar në çdo cep të saj dhe kanë kthyer gjithçka përmbys”. Megjithatë, Del Ponte e përdor fjalën “bashkëpunim” (në thonjëza) në të dy faqet e vetme që i kushtohen Shqipërisë. Pra, sikur shqiptarët nuk kishin bashkëpunuar sa duhet, për zbulimin e së vërtetës! Kjo ka revoltuar jo vetëm prokurorin e Burrelit që i shoqëroi, Zotin Arben Dyla. Por kundërvënien më interesante e ka bërë profesor doktor Nestor Therecka, shef pavioni në Qendrën Spitalore Universitare. Prof. Nestor Tereska, kishte lënë mendjen për akuza të tilla transplantimesh që s’ishin bërë ende në vendin tonë dhe “është si të njoftosh se nesër do të ngrihet një anije kozmike nga Tirana”.
Ta dinte se do të përgojohej në këtë mënyrë nga këta mashtrues të pacipë, do të mund t’u punonte një rreng: T’u thuhej inspektorëve se i zoti i shtëpisë, Abdulla Katuçi, ishte plotësisht dakord për t’ua hapur të gjitha portat, qoftë edhe pa një autorizim kontrolli; vetëm se, pas inspektimit, ata do t’u përgjigjeshin me shkrim disa pyetjeve të tij (domethënë të jepnin një intervistë): Pyetja 1. “Si ju duket sterilizimi i këtyre “stallave të operacionit?”. 2. A keni me vete edhe ndonjë arkeolog, meqë disa varre të shekujve, që kanë mbetur pa emër (se emrat i kanë bërë të palexueshëm agjentët atmosferikë të kohës), i keni shqyrtuar si varreza serbësh ndërsa për një varr të tillë u është dhënë përgjigjja e njëjtë, nga banorë të ndryshëm, për një emër të caktuar shqiptari? 3.Ende nuk e ditkeni se në Tiranë akoma nuk kanë filluar të bëhen transplantime? 4. Gjykata e Hagës a ka nene për të paditur ndërkombëtarisht mashtrues e gënjeshtarë në dobi të një shteti të caktuar, kundër një vendi-viktimë? 5. . .
Duke folur prapë seriozisht për një ngjarje joserioze, duhet të kujtojmë se “bashkautori në librin e Karla Del Pontes, Chuk Sudetic, ish-gazetar i Nju Jork Tajmsit për Ballkanin, thotë në një intervistë që i ka dhënë një të përditshmeje zvicerane se “kishte informacione të besueshme (!) për dërgim të serbëve nga Kosova në Shqipëri, për t’u hequr organet”.
Shqiptarët kanë një proverb: “Miu s’gjente dot vrimë ku të futej, pa do të merrte edhe kungullin nga pas”! Shqiptarët, si në luftë, si jashtë lufte, nuk mundeshin dot të vinin te shtëpia e komshies që ta ndihmonin për thagmat që po i punonin disa paramilitarë të Arkanit, palé të transportonin 100 deri në 300 ushtarë serbë nga Kosova për te kulla e Abdulla Katuçit, në Rripë të Burrelit, 116 km larg Tiranës! Duket se Karla Del Ponte, s’paska haber fare sesa krime kanë bërë serbët në Kosovë, në dhjetëvjeçarë dhe, veçanërisht, në vitet e holokaustit të 1999-s. Njëshi shqiptar do të ishte cingërimë për t’u krahasuar me njëmijëshin serb! Serbët kanë bërë krime të lemerishme ndaj shqiptarëve dhe këta të fundit i kanë luftuar jo si kamikaxe, por sipas rregullave luftarake, ndonëse në pabarazi mjetesh e armësh. Të mundur keqazi nga forcat ushtarake të NATO-s, që ishin në anën e të drejtit, tani sajojnë se ç’mund të mendojnë shqiptarët për katilë të tillë, siç janë serbët. Janë të tillë sa një shkrimtar i yni i madh ka thënë se fjala serb do të thotë gjarpër (nga latinishtja: serpes)! Gjithçka meritojnë, në portretizimin më të skalitur, që e kanë hak! Por forcat e NATO-s do të bënin mirë që ta çonin luftën gjer në fund, me përfundimin e saj në kapitullim pa kushte, që të mundurit të mos e ngrinin bishtin më vonë, siç po ndodh me radikalin Tomislav Nikoliç. Si Koshtunica, si Tadiçi, si Anastasijeviçi, si Nikoliçi, ashtu edhe peshkopët ortodoksë serbë, ndryshojnë nga Millosheviçi vetëm në mënyrat për ta pasur Kosovën ende koloni; nuk ndryshojnë në thelb. Ajo që ka thënë një i huaj se Koshtunica është nacionalist romantik, Nikoliçi është pragmatik, e kusuri me nofka të tjera, mund të thuhet shkurt se të gjithë janë shovinistë. Nikoliçi ia hedh fajin Perëndimit dhe përligj indoktrinimin serb. Perëndimi, që mbështet pavarësinë e Kosovës, e shtyn Serbinë drejt Putinit, - sipas Nikoliçit. Kjo, shkurt, do të thotë: Na jepni Kosovën ta gllabërojmë, që të jemi me ju, e të mos jemi me Rusinë!
***
Titulli në origjinal i librit i cili sa nuk e la autoren pa vajtur në Argjentinë, është: “Carla Del Ponte: LA CACCIA. Io e i crimminali di gurra”.
Duket se kërkon të bëhet edhe shkrimtare, në pleqëri. Ç’është e vërteta ka bërë edhe një promovim në Milano, ku ka marrë drizat, në vend të kurorës së dafinave. Madje, vendi i saj, Zvicra, e ka kritikuar ashpërsisht sepse ka shkelur rregullat e diplomates (ambasadore në Argjentinë) dhe është kërcënuar se do të shkarkohet nga funksionet. Si diplomate, ajo nuk duhet të merret me politikë, ndërsa ka bërë të kundërtën. Nga ana tjetër, duket se ka humbur edhe arsyen e shëndoshë. Nuk janë të pakët ata që thonë se është paguar majmërisht nga Serbia. Pavarësisht nga thirrjet e saj për të vënë në dorë Mladiçin dhe kriminelët e tjerë - kur ishte kryeprokurore në Hagë , - atëherë serbët u tallën me zërin e saj, duke e quajtur një vox clamantis in deserto (Një zë që ulërin në shkretëtirë). Ata kanë bërë një pazar me leverdi, duke e futur në këto brazda. Sepse ajo po kërkon, tani, “kriminelë shqiptarë të hamendësuar” gjer në grotesk, që u shkojnë për osh orvatjeve serbomëdha për të justifikuar krimet e tyre. Ndërsa kërkojnë qimen në përpeq, bëjnë sikur nuk kuptojnë se, për të vënë në burgun ndërkombëtar kriminelët në rangjet e tyre, nuk do të mjaftonin jo vetëm burgjet e Hagës, por as ato të tërë Europës!
Por mënyra sesi kërkohet nga Del Ponte që t’i hyet një pune të pamundur, është krejtësisht e pabesueshme, madje edhe diskredituese për reputacionin e saj, që u bë thërrime me këtë libër. Në gjuhën në të cilën është shkruar libri, e gjithë përmbajtja e tij mund të përmblidhet në: “L’asino salta il fiume, sprovisto dal ponte” (Fluturon gomari, përtej bregut tjetër të lumit pa urë ). Dhe fjala dal ponte i përgjigjet me tamam emrit të saj, që ka rënë poshtë kuotës së urës, (ponte) ku ndodhet ajo “pastërtia sterile”, afërsisht e ngjashme me sterilitetin e kullës me dërrasa të kalbura të Abdullait të zemëruar, që e ka me hak t’i marrë me gjyq mashtrueses një shumë të majme, për ta bërë kullën e tij të vjetër ultramoderne!
Zoti Lulzim Basha, në intervistën e fundit, e përcaktoi Raportin pa konsultë të Dik Martit, sipas stilit të Karlës, si të mbështetur në fiksime. “Ishte një plan diabolik, sepse pa asnjë provë, pa asnjë fakt”, - tha ish- ministri i Jashtëm. “Synojnë të barazojnë viktimën me vrasësin”. “Dik Marti kërkon të mbulojë dështimet e tij si antropolog që nuk ka gjetur asnjërin prej të 1800 të zhdukurve kosovarë, si i punësuar me kontratë pune”.
Ilir Meta ka folur ashpërsisht për këto sajesa antishqiptare, krejtësisht të pabesueshme. Ç’është e vërteta, edhe opozita e ka demaskuar këtë orvatje të fundit antishqiptare.