“Propozimi i Edvin Ramës, i denjë për personazhe të Franc Kafkës ose të spitaleve psikiatrike”
Kryeministri Berisha denoncon PS-në, e cila pa asnjë fakt për zgjedhjet, kërkon hetime mbi dyshime, kundër Kushtetutës dhe Ligjit
Kreu i ekzekutivit fton opozitën që të përshtatë me ligjet e vendit, kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve të kaluara 2009 duke e siguruar se mazhoranca do të jetë e gatshme të miratojë çdo kërkesë ligjore të Partisë Socialiste. Kryeministri tha se në 8 nga 9 nenet e kërkesës së propozuar nga opozita, kërkohej hetimi i dyshimit, kur nuk kishte asnjë fakt ose provë, duke shtuar se Edvin Kristaq Rama vazhdon të ruajë kulturën e bllokut, pasi po përpiqet të poshtërojë votën e shqiptarëve
Lideri i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha, reagoi dje ndaj projektvendimit të Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve, të paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, duke e konsideruar atë si jo në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Deklaratën e tij, kryeministri e bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. Kryeministri Berisha i cilësoi pretendimet e PS-së, si të pa bazuar në ligj, në prova e fakte konkrete.
Sipas kreut të qeverisë, rezoluta e socialisteve kërkon “hetimin e dyshimeve pa fakte” dhe kjo tha Berisha është e papranueshme. Berisha akuzoi kryetarin e PS-së, Rama se ka hequr dorë prej komisionit hetimor me qëllimin e vetëm, atë të dhunimit të votës së qytetarëve shqiptarë.
Berisha iu referua pikërisht mënyrës sesi deputetët e majtë u sollën gjatë mbledhjes të Komisionit të Ligjeve dhe largimit të tyre pasi sikundër theksoi kryeministri ofruan një propozim tërësisht antikushtetues të bazuar kryekëput në hetim të dyshimeve, të pabazuara në asnjë fakt.
“Edvin Kristaq Rama u përpoq dhe bëri çdo gjë që të rrënojë votën e shqiptarëve. Gjeti dhe ndonjë mik dhe aleat në këtë përpjekje, qoftë para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve, por dështoi së bashku me ta. Sepse rregulli, parimi dhe transparenca e institucioneve ndërkombëtare dhe institucioneve të vendit predominuan tërësisht dhe asgjësuan çdo përpjekje për të damkosur votën e qytetarëve shqiptarë. Ne e kemi mbrojtur dhe do ta mbrojmë atë si vlerën më themelore të kësaj shoqërie. Propozimi i Edvin Kristaq Ramës, është i denjë për personazhe të Franc Kafkës ose të spitaleve psikiatrike. Nga 9 nene në 8 prej tyre thuhet të hetohet dyshimi dhe në asnjë fjalë që, siç kërkon rregulli i demokracisë, siç kërkon Kushtetuta e çdo vendi të lirë, siç kërkojnë parimet më themelore të një shoqërie të lirë, siç sanksionojnë ligjet aktuale të Shqipërisë dhe të çdo vendi, siç sanksionojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të çdo vendi, vetëm dyshimi i bazuar në prova, fakte dhe grup-fakte është i autorizuar në një shoqëri të lirë”, u shpreh kryeministri.
Sipas kryetarit të qeverisë, ky ndryshim i qëndrimit të kryesocialistit është pasojë e vendimit që dha prokuroria e Shkodrës e cila provoi pas numërimit të votave se nuk ka pasur asnjë manipulim.
“Çfarë e shtyu zotin Rama të tërhiqet nga Komisioni Hetimor? Atë e shtyu rezultati i Prokurorisë së Shkodrës, e shtyu transparenca, e shtyu drita e diellit. Vetë zoti Rama refuzoi dhe nuk pranoi t’i drejtohet asnjë institucioni, por, ndërkohë, ndërseu një prej lejtnantëve të tij të padisë në zonën tonë më tradicionale, duke pretenduar se në këtë zonë, në Shkodër, dhe konkretisht në këto qendra votimi është bërë batërdia. I keqpërdori në mënyrë ekstreme duke i nxjerrë para medias si sharlatanë dhe mashtroi javë të tëra se kemi gjetur fakte e dokumente, se me video dhe me të gjitha faktojmë manipulime groteske. Prokuroria shqiptare me hetimin e saj në Shkodër u dha përgjigje edhe elementëve të tjerë mafioz të lidhur me zotin Rama, të cilët bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të damkosur zgjedhjet e vendit, por dështuan në mënyrën më të merituar”, tha kreu i ekzekutivit.
Kryeministri Berisha tha se këto ndryshime në qëndrime të kryetarit të PS janë reflektuar edhe brenda forcës së tij politike. Ai theksoi se Rama me çdo kusht kërkoi të mbajë drejtimin e partisë duke e justifikuar me mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve. Një gjë të ngjashme reflektoi dhe me kërkesën për rinumërim të votave, duke hequr dorë papritur prej saj pasi e kërkoi prej më shumë se një viti. Si dëshmi të kësaj mungese stabiliteti në qëndrime të kreut socialist, kryeministri solli dhe pjesë nga diskutimet në darkën e Strasburgut, në restorant Krokodil.
“Një njeri që ka moralin dhe sapo ulet në karrigen e kryetarit ndërron statutin dhe vendos në të një normë, të cilën pararendësi i tij për hir të së vërtetës në rrafshin moral e vendosi vetë, u largua ndonëse nuk e kishte fare të shkruar në statut, i dorëzoi dhe skeptrin e partisë, ky zotëri nxitoi të shkruajë, në emër të politikës së re të 99-ve të , se kur partia humbet zgjedhjet, kryetari largohet. Dhe një lloj si në moton e Zhvegut që ç’më duhet mua se çfarë bëj unë, pasi humbi zgjedhjet mblodhi pasagjerët dhe u tha po përmbysa makinën patentën do ta mbajë prapë unë, po rrëzova autobusin, ju pësoni ç’të doni, shofer unë mbetem prapë. Kur ishim në Strasburg u tha të pranishmëve se ky zotëria ka nga Gjykata Kushtetuese 36 vendimet kundër dhe se i tillë është ky. Pas pesë minutash, kur ftuesit tanë i thanë shko në Gjykatë Kushtetuese, i tha jo, sepse e kontrollon ky Gjykatën Kushtetuese. U thash, të nderuar zotërinj e dëgjoni ju këtë, pesë minuta më parë tha se unë kam marrë 36 vendime kundër nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa tani thotë që ky e ka në kontroll Gjykatën Kushtetuese. Cilën besoni ju? Ata qeshën. Ai u bë për dhembshuri. Kjo është e vërteta. Po të dojë të dalë ti mohojë, por vetëm i them të ketë kujdes me mohimet, sepse unë kam dokumente të plota”, theksoi kryeministri.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha i bëri thirrje grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të shqyrtojë dhe të riformulojë projektrezolutën në përputhje me Kushtetutën dhe garantoi se mazhoranca që nesër do të jetë e gatshme ta miratojë atë me unanimitet.